Flamuri i Norvegjisë - Foto: REL
Prania e dronëve çrregullon fluturimet në aeroportet e Oslos dhe Kopenhagës
Aeroporti i Kopenhagës, më i ngarkuari në rajonin nordik, ka bërë të ditur të martën në mëngjes (23.09.2025) se është rihapur pas pranisë së dronëve që kishin ndërprerë ngritjet dhe aterrimet pothuajse për katër orë. Edhe aeroporti i Oslos ka bërë të ditur gjithashtu se është rihapur pasi kishte mbyllur hapësirën ajrore sherri i një droni, raporton Reuters.
“Policia ka nisur një hetim të intensifikuar për të përcaktuar çfarë lloj dronësh janë këta”, ka bërë të ditur ndihmësi i shefit të policisë së Kopenhagës, Jakob Hansen. “Dronët janë zhdukur dhe ne nuk kemi marrë asnjërin prej tyre”.
Hansen ka thënë se autoritetet në Danimarkë dhe Norvegji do të bashkëpunojnë që të përcaktojnë nëse ka ndonjë ndërlidhje ndërmjet dy incidenteve.
Hapësira ajrore e aeroportit të Oslos është rihapur në 3:22 të mëngjesit të sotëm, ka bërë të ditur një zëdhënës për operatorin e aeroportit norvegjez, Avinor.
Aeroporti ishte mbyllur prej mesnatës për shkak se ishte vërejtur një dron, derisa të gjitha fluturimet janë devijuar në aeroportin më të afërt.
Policia daneze ka bërë të ditur gjatë të hënës (22.09.2025) se dy prej këtyre dronëve të mëdhenj janë parë duke fluturuar në afërsi të aeroportit të Kopenhagës, duke mbyllur krejt trafikun ajror.
Aeroporti kishte ndalur fluturimet prej orës 20:26, ka bërë të ditur shërbimi i përcjelljes së fluturimeve, FlightRadar. Rreth 50 fluturime janë devijuar në aeroportet e tjera të afërta.
Pasi rihapjes, aeroporti i Kopenhagenit ka njoftuar në X se vonesat dhe disa ngritje të anuluara do të vazhdonin dhe u kërkoi pasagjerëve të kontrollonin linjat e tyre ajrore.
Mbylljet e aeroportit erdhën pas një sërë sulmesh në aeroportet europiane në ditët e fundit.
Një sulm kibernetik i së premtes së kaluar shkatërroi sistemet e regjistrimit të pasagjerëve të ofruara nga “Collins Aerospace”, njësi e RTX-së që ndikoi në operacionet në Heathrow të Londrës dhe aeroportet e Berlinit dhe Brukselit. Gjatë fundjavës dhe deri të hënën, pasojat vazhduan të pengonin udhëtimet në të gjithë rajonin.
Në vitin 2018, prania e dronëve mbi pistën e Gatwick pranë Londrës bllokuan dhjetëra mijëra pasagjerë dhe ndërprenë qindra fluturime në kulmin e sezonit të festave.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com