Flamuri i Turqisë, Foto: Pixabay
Federata turke e futbollit zbulon se qindra gjyqtarë kanë llogari bastesh
371 prej 571 gjyqtarëve të futbollit në ligat turke është mësuar se kanë llogari bastesh. 152 zyrtarë është zbardhur se kanë vënë aktivisht baste, ka raportuar të hënën (27.10.2025) e përditshmja britanike, “The Guardian”.
Federata e Futbollit e Turqisë (TFF) do të fillojë veprimet disiplinore kundër gjyqtarëve që u mësua se kishin vënë baste në ndeshje futbolli, pasi ka zbardhur se qindra prej tyre kishin llogari bastesh, ka deklaruar të hënën presidenti i TFF-së.
Ibrahim Haciosmanoglu ka theksuar se një hetim i federatës – bazuar në të dhëna nga institucionet shtetërore – ka zbuluar se 371 nga 571 gjyqtarë aktivë në ligat profesionale të Turqisë kishin llogari bastesh dhe se 152 prej tyre vinin në mënyrë aktive baste.
“Si federatë, ne filluam duke pastruar oborrin tonë”, ka thënë Haciosmanoglu në një konferencë për shtyp në Stamboll. “Midis atyre që u zbulua se kishin llogari bastesh ishin shtatë gjyqtarë të nivelit të lartë, 15 asistentë të nivelit të lartë, 36 gjyqtarë të klasifikuar dhe 94 asistentë të klasifikuar”.
Ai ka theksuar se disa gjyqtarë kishin vendosur një numër marramendës bastesh, me njërin prej tyre që kishte vënë bast 18.227 herë dhe 42 gjyqtarë që kishin vënë bast secili për më shumë se një mijë ndeshje futbolli. Të tjerë u zbulua se kishin vënë baste vetëm një herë. Haciosmanoglu ka thënë se bordi disiplinor i federatës do të fillojë të ndërmarrë veprime menjëherë.
“Ata do t’i referohen bordit disiplinor dhe do të përballen me dënimet e nevojshme në përputhje me rregulloret tona”, ka thënë ai, duke shtuar se të dhënat e reja mbulojnë një periudhë pesëvjeçare sipas ligjit sportiv të Turqisë.
Sipas Nenit 57 të kodit disiplinor të TFF-së, ata që shpallen fajtorë për baste në ndeshje futbolli përballen me ndalime që variojnë nga tre muaj deri në një vit nga arbitrimi ose aktivitete të lidhura me futbollin.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com