Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilir Gashi.
Gashi (PDK): E vetmja mënyrë për ta kthyer besimin e qytetarëve është rivotimi në Mitrovicë
Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilir Gashi, ka deklaruar se edhe pse ka përfunduar procesi i verifikimit dhe numërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Jugut, ka defekte të shumta që bien ndesh me Rregulloren zgjedhore dhe se kjo “komunë duhet të shkojë në rivotim”.
Madje, ai përmendi mundësinë për një komision hetimor për këtë çështje.
“Pothuajse në të gjitha vendvotimet ka defekte që bien ndesh më Rregulloren zgjedhore, Rregulloren e brendshme të KQZ-së dhe për rrjedhojë ne do të bëjmë një analizë, një komision hetimor për të vërtetuar origjinalitetin e tyre”- tha ai për media, më 12.11.2025.
Gashi tha se ky proces duhet të bie edhe në duart e organeve të drejtësisë sepse siç kanë vënë re “kemi një defekt serioz të fletëvotimeve” që në njëfarë mënyre e kanë rrënuar besimin e opinonit publik në procesin zgjedhor.
“Si rrjedhojë, ne konsideorjmë që e vetmja mënyrë për ta kthyer besimin në binarë, për ta rikthyer besimin e qytetarëve dhe për t’i dhënë integritet dhe besueshëri është rikthimi edhe njëherë i qytetarëve të Mitrovicës në këtë proces- që është rivotimi”- shtoi ai.
Tri ditë pas përfundimit të garës zgjedhore, mes shumë pretendimeve për cenim të zgjedhjeve, deri te përfshirja e Prokurorisë për nisje të hetimeve, përfundoi procesi i numërimit të votave.
Fletëvotimet me numra serik të ndryshëm që u gjetën në disa kuti, ngritën pretendimet e PDK-së dhe partnerëve të koalicionit në Mitrovicë mbi procesin e zgjedhjeve.
PDK pretendon se në kutitë e votimit janë gjetur fletëvotime që do duhej të ishin në një vendvotim tjetër, e në disa raste kanë pretenduar se janë gjetur edhe fletëvotime që i takonin një qendre tjetër të votimi.
Ditën e parë të nisjes së numërimit të votave, më 10.11.2025, pas ngritjes së pretendimeve të para, Prokuroria Themelore në Mitrovicë urdhëroi ndaljen e procesit të numërimit.
Një ditë më vonë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve doli me një komunikatë për media dhe publikoi një letër sqaruese të kompanisë CETIS të cilën thanë se është një gabim teknik që ka ndodhur në procesin e shtypjes së fletëvotimeve.
“CETIS thekson se merr plotësisht përgjegjësinë për këtë gabim teknik, duke nënvizuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre. Kompania shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmon se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve për të sqaruar rrethanat e rastit” – thuhet në njoftimin e KQZ-së, të lëshuar më 11.11.2025.
Të martën pasdite, Prokuroria Themelore e Mitrovicës lëshoi urdhëresë për rifillimin e numërimit të fletëvotimeve, duke marrë për bazë reagimin e KQZ-së, që sipas Prokurorisë ka qartësuar dilemat.
“Kjo pasi kompania CETIS mbi printimin e fletëvotimeve për zgjedhjet komunale në Kosovë, përmes një njoftimi ka shpjeguar se problemi i numërimit ndodhi ekskluzivisht në njërën nga katër kokat/pllakat e printerëve me ngjyrë, përgjegjëse për printimin e numrit të qendrës së votimit, dhe se marrin përgjegjësi për këtë gabim, sipas të cilës në rrethana normale do të ishte pothuajse i pamundur të ndodhte.” – thuhej në njoftimin e datës 11.11.2025 të Prokurorisë së Mitrovicës.
Në anën tjetër përfaqësuesit e PDK-së pretendojnë se procesi tashmë është cenuar dhe më 11.11.2025, kanë dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa dhe kanë kërkuar rivotim.
https://kallxo.com/lajm/perfundon-procesi-i-numerimit-te-votave-ne-mitrovice/