Ilustrim
Fytyrat "e reja" të PDK-së të cilat pritet të hyjnë në Kuvend dhe ato "të vjetrat" që rrezikojnë të mbesin jashtë
Në 25-shen më të votuar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) deri më tani kanë hyrë gjashtë persona të rinj, ndërkaq disa figura të tjera që kanë qenë pjesë e legjislaturave të mëparshme rrezikojnë të mbesin jashtë Kuvendit.
Sala Jashari, Përparim Gruda, Jakup Nura, Artan Behrami, Altin Krasniqi dhe Petrit Hajdari janë gjashtë kandidatët e PDK-së të cilët për herë të parë kanë arritur të grumbullojnë vota për ta siguruar mandatin e Deputetit të legjislaturës së nëntë.
Deri më tani Sala Jashari ka 32,052 vota, Përparim Gruda 27,004, Jakup Nura 26,635, Artan Behrami 23,241, Altin Krasniqi 19,223 dhe Petrit Hajdari 15,144 vota.
Ndërkaq, fytyrat politike të PDK-së të cilët njerëzit janë mësuar t’i shohin në televizion gjatë mandatit të fundit dhe në ato parapraket e të cilët rrezikojnë të mbesin jashtë Kuvendit janë: Xhavit Haliti, Hisen Berisha, Hajdar Beqa, Eliza Hoxha, Isak Neziri, Ardian Kastrati, Besa Ismaili, Faton Abdullahu dhe Kujtim Gashi.
Hisen Berisha ka vetëm 10,257 vota, Xhavit Haliti ka 11,332 vota, Hajdar Beqa ka 13,625 vota, Eliza Hoxha 14,157 vota, Isak Neziri 8,560 vota, Ardian Kastrati 6,253 vota, Kujtim Gashi 13,122 vota, Besa Ismaili 7,321 vota dhe Faton Abdullahu 4,944 vota.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur publikimin e rezultateve preliminare për kandidatët për deputetë nga Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Koha e fundit e publikimit të rezultateve për kandidatët për deputetë është 11:26, më 20.02.2025. Ende nuk ka përfunduar numërimi 100% i rezultateve për kandidatët për deputetë.
KQZ-ja ka njoftuar se pas numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimit të rezultateve të subjekteve politike nga Formularët e rezultateve të plotësuar në vendvotime – proces i cili është zhvilluar dhe po vazhdon në Qendrat Komunale të Numërimit, në platformën elektronike https://rezultatet2025.net janë publikuar rezultatet për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë.
KQZ-ja ka procesuar gjithashtu në faqen zyrtare 100% të të dhënave të rezultateve të vendvotimeve të Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, apo 2,533 nga 2,533.
Në bazë të rezultateve të fundit preliminare të përditësuara në orën 09:46, më 20.02.2025, në uebfaqen e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është e para me 40.80%, apo 342,281 vota.
Partia e dytë me më së shumti vota është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.03%, apo 184,811 vota.
E treta është renditur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.63%, apo 147,888 vota.
Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me Nismën, Demokratët, Intelektualët dhe Listën Ideal kanë marrë 7.46%, apo 62,588 vota.
Lista Serbe është partia e pestë me 4.61%, apo 18,942 vota.
Këto janë Zgjedhjet e para të rregullta që Kosova i ka mbajtur që nga shpallja e pavarësisë, më 2008.