Edi Rama: Për më shumë se 70 minuta kuqezinjtë ishin të barabartë me Anglinë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka falënderuar kombëtaren shqiptare për kualifikimin për Play-Off të Botërorit 2026 në futboll por edhe për ndeshjen e sotme ndaj Anglisë.
Ndeshja Shqipëri-Angli në Tiranë, përfundoi me rezultat 0-2 në favor të anglezëve.
“Pavarësisht rezultatit, në një ndeshje ku për më shumë se 70 minuta kuqezinjtë ishin thjesht të barabartë me një superfuqi si Anglia, skuadra jonë meriton mirënjohje dhe respekt të madhe për arritjen historike të vendit të dytë në grupin eliminator të Botërorit”- ka shkruar Rama.
Shqipëria ka përmbyllur kampanjën në grupin K si e dyta me 14 pikë, me ç’rast shkon në Play-Off për kualifikim.
Anglia ka përfunduar e para me 24 pikë dhe është kualifikuar direkt për në Botëror kurse Serbia ka përfunduar e treta në këtë grup me 13 pikë, Letonia e katërta me 5 pikë dhe Andora e fundit me 1 pikë.
Shorti për Play-Offin do të mbahet më 20.11.2025.