Samiti në Tiranë: Liderët diskutojnë për milionat e dytë e Planit të Rritjes, Kosova ende nuk i ka fituar të parët
Në Tiranë të Shqipërisë po mbahet Samiti i Planit të Rritjes “Rruga jonë për në BE” në të cilin po merr edhe Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos. Kurse, Kosova e cila ende nuk ka arritur t’i përfitojë as milionat e para nga kjo pako, po përfaqësohet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Kosova veçse ka caktuar 28 dhjetorin si datë për zgjedhjet e parakohshme, duke e shpërndarë kështu Kuvendin e Kosovës që e pamundëson ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare gjatë këtij viti.
Sidoqoftë, ajo gjatë fjalës së saj në këtë samit, Kos ka përmendur se dy nga gjashtë vendet e rajonit akoma nuk kanë filluar të miratojnë reformat, kurse dy performuesit më të mirë, kanë miratuar rreth 50% të reformave.
“Sa i përket fondeve të disbursuara, jemi ende nën 10% të shumës totale. Pra rreth 400 milionë euro nga një pako prej 6 miliardë eurosh që janë lënë më njëanë për rajonin. Ne mund të bëjmë më shumë dhe duhet të bëjmë më shumë, të gjithë së bashku”- tha Kos në Tiranë, ku po qëndrojnë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Synim i saj në këtë samit është që të flitet se si mund të bëhet më shumë gjatë pjesës së dytë të Planit të Rritjes.
“Komisioni Europian dëshiron që Plani i Rritjes të jetë tërësisht i suksesshëm”- ka shtuar ajo, duke thënë se duhet integrim sa më i shpejtë, si për shembull që vendet e BP të bëhen pjesë e Tregut të Përbashkët, Tregut të Energjisë por edhe të tjera.
Komisionerja Kos në këtë samit ka thënë se po merr pjesë pak pas publikimit të pakos së zgjerimit të BE-së, e cila sipas saj ka sjellur dinamikë të re për zgjerimin.
“Gjithnjë e më shumë, kjo çështje ka të bëjë me sigurinë dhe Europa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor. Ky është një gabim që e kemi bërë në të shkuarën dhe duhet ta korrigjojmë e ta rregullojmë. Prandaj jamë e knënaqur që këto takime po hapin gjithnjë e më shumë dyer”- tha Kos mes tjerash.
Ajo ka thënë se shumë dyer do të hapen nga BE dhe se vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Europës.
“Këtë duhet ta bëjmë edhe në formë institucionale. Pra që të bëheni shtet anëtar i Bashkimit Europian”- shtoi Kos.
“Duam që BE të jetë realitet i prekshëm për qytetarët tuaj”- tha Kos.
Ajo shtoi se kjo do të sillte siguri e begati për tërë kontinentin Europian.
Komisionerja për Zgjerim tha se Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia vetëm se përfitojnë nga SEPA kosto më të ulëta të transaksioneve por se shtoi se objektivi është që të gjitha vendet të shkojnë përpara në sinkron.
“I gjithë Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Europian, si anëtarë të barabartë e me të drejta të plota. Duke njohur faktin që ju të keni arritur përputhje të plotë me legjislacionin dhe vlerat e BE-së”- shtoi Kos.
Në qershor, ka thënë ajo, do të jetë skadimi i periudhës njëvjeçare të pritjes së mëtejshme për reformat e papërmbushura dhe rrezikohen thuajse 300 milionë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Me këto fonde mund të ndërtohen linja tramvaji, rrugë, shkolla, spitale e prandaj le të diskutojmë sot se si mund të ulim më tej edhe tarifat e roamingut sepse të paguash shtesë në vendet e tjera, ne nuk e bëjmë këtë e pse ta bëni ju? Të punojmë për përshpejtimin e përafrimit me rregullat e BE-së”- tha tutje Kos, duke shtuar se një treg i përbashkët rajonal i cili është funksional do të rriste të gjitha ekonomitë e rajonit me 10%.
Kos ka thënë se e di që reformat nuk janë gjithmonë të lehta, por ato përshpejtojnë rrugën drejtë anëtarësimit në BE.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, gjatë këtij samiti ka thënë se janë shtatë dyer që duhet të hapen mes BE-së dhe Europës.
Ai ka thënë se gjatë vitit 2026 do të përfundojnë tarifat e roaming mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.
“Ne kemi hequr tarifën e brendshme Roaming me gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor”- tha Rama, duke shtuar se kjo nuk ka të bëjë me faturat telefonike por për të hapur një kufi mes qytetarëve të Ballkanit dhe Europës.
Për shkak të zvarritjes për formimin dhe funksionalizimin e institucioneve qendrore, Kosova rrezikon të humbasë një pjesë të fondeve ato të vitit 2024 dhe 2025, nga Plani i Rritjes i Komisionit Europian. Ndërkohë që vendet e tjera të rajonit tashmë kanë përfituar milionat e parë dhe të dytë, Kosova nuk ka arritur të përfitojë 61 milionë euro që, në kushte normale institucionale, do t’i takonin. Koha po shkon e bashkë me të kufizohen edhe mundësitë.
Komisioni tha për KALLXO.com se Kosova mbetet e kualifikuar për të përfituar deri në 882 milionë euro fonde në kuadër të Planit të Rritjes, me kusht që të hyjnë në fuqi marrëveshjet dhe të plotësohen të gjitha kushtet tjera për pagesë, ekspertët e fushës vlerësojnë se nëse nuk arrinë të ratifikohet marrëveshja në Kuvend, Kosova mund të humbasë milionat për dy vitet e para.
Ndërkohë që vendi po shkon në zgjedhje të reja, kjo marrëveshje ndërkombëtare ka mbetur e ngrirë.
Edhe pse Komisioni Europian bën me dije se Kosova ishte ndër partnerët e parë të Ballkanit Perëndimor që miratoi Agjendën e saj të Reformave, i cili u miratua nga Komisioni Europian në tetor 2024, ata tërheqin vërejtjen se Mekanizmi i Reformave dhe Rritjes është një instrument i kufizuar në kohë, 2024-2027.
Komisioni Europian në fillim kishte qartësuar se në rast se disa kushte nuk përmbushen, Komisioni mund të pezullojë pagesat pjesërisht ose plotësisht në varësi të kushtit.
Pas një pezullimi të tillë dhe në rast se partnerët e Ballkanit Perëndimor nuk i plotësojnë kushtet përkatëse gjatë një periudhe mospagimi prej një viti (ose dy vitesh në vitin e parë të zbatimit), shuma e pezulluar do të tërhiqet dhe mund të rishpërndahet midis përfituesve të tjerë në vitet në vijim.
Plani i Rritjes nxit përgatitjet e partnerëve të zgjerimit për anëtarësim në BE, duke sjellë përpara disa nga përfitimet e tij përpara integrimit të plotë në BE. Kjo nga ana tjetër duhet të përshpejtojë ndjeshëm shpejtësinë e procesit të zgjerimit dhe rritjen e ekonomive të tyre.
Konvergjenca ekonomike është një element thelbësor në afrimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor me BE-në. Mungesa e konvergjencës është një problem i madh për rajonin e Ballkanit Perëndimor; aktualisht është në rreth 35% të nivelit mesatar të BE-së.
Plani i Rritjes ka potencialin të dyfishojë madhësinë e ekonomive të Ballkanit Perëndimor brenda dekadës së ardhshme. Për të mbështetur këtë proces, instrument i financiar prej 6 miliardë eurosh, Instrumenti i Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor, u miratua për periudhën 2024-2027.
Kosova tashmë ka më shumë se nëntë muaj pa institucione të reja. Më 5 dhjetor 2024, është hera e fundit kur është mbajtur seancë plenare.