Presidentja Vjosa Osmani – Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
Edhe dy ditë kohë, Osmani: Me rëndësi është që seanca për qeverinë të ftohet brenda afatit
Dy ditë para përfundimit të afatit 15-ditor për thirrjen e seancës për formimin e Qeverisë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ftesa për seancën për formimin e Qeverisë, mund të bëhet edhe si seancë e jashtëzakonshme me 40 nënshkrime të deputetëve, teksa shprehet e bindur që do të ftohet me kohë, në mënyrë që të respektohen afatet kushtetuese.
“Unë nuk mund të paragjykoj se cili do të jetë rezultati i votimit. Me rëndësi është që seanca të ftohet brenda atij afati. Më pas është në duart e deputetëve dhe të partive politike se çfarë diskutojnë mes vete. Këto janë procese në të cilat nuk kam ndërhyrë më herët dhe as tani”- tha ajo për media më 17.11.2025.
Ndërsa, sa i përket ftesës për seancë, ajo tha se ka pasur shpresë se do të ftohet më herët, bazuar në bisedat që ka pasur.
“Sot është e hënë dhe e mërkura është data e fundit për seancë. Por, siç e thashë, u takon deputetëve të partive politike. Me rëndësi është që seanca të ftohet brenda afatit kushtetues, dhe përderisa është brenda atij afati, nuk ka asnjë shkelje”- tha Osmani.
Osmani ka përsëritur se nuk kërkohet garanci, por që ka vlerësuar se Konjufca i ka gjasat për të qenë mandatari i dytë.
“Sa i përket nënshkrimeve, kjo nuk ka qenë çështje garancie. Çështja e nënshkrimeve nuk kërkohet as me Kushtetutë, e as me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese. Sikur të ishin dy kandidatë, atëherë do të shihej se cili prej tyre i ka gjasat më të mëdha. Por, megjithatë, kur është vetëm një propozim, shihet nëse ai kandidat i ka gjasat, dhe nga ajo që ka shprehur kandidati për kryeministër, Konjufca, është vlerësuar nga ana ime si Presidente se i ka ato gjasa”- shtoi ajo.
Sipas saj, nuk është kërkuar asnjëherë garanci. Osmani shtoi se ajo e ka respektuar Kushtetutën. Sipas saj, ajo nuk ka faj për bllokimin që nëntë muaj.
“Kushtetuta është e qartë: Nëse dështojnë mandatarët e parë, shkohet te i dyti. Unë nuk kam bërë asgjë tjetër përveçse kam respektuar Kushtetutën. Dhe mos të harrojmë që ka pasur një vonesë 9-mujore, të cilën nuk e kam kërkuar, as përkrahur e as shkaktuar unë si Presidente. Për 9 muaj i kemi pritur partitë politike. Kam shpresuar se do të tregonin durim për këto dy javë”- tha ajo.
Sipas saj, në asnjë moment nuk ka qenë qëllimi i saj të shkaktojë vonesa.
“Tani po i vjen fundi gjithë procesit dhe do të shohim çfarë do të ndodhë”- tha Osmani.
Edhe pse kanë mbetur vetëm edhe dy ditë për thirrjen e seancës për formimin e Qeverisë me mandatarin e dytë të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ende nuk është bërë asgjë publike nëse i kanë 61 vota, apo nëse kanë formuar ndonjë koalicion.
Publikisht të gjitha partitë kishin deklaruar se nuk e votojnë Konjufcën për kryeministër.
Në anën tjetër, Kurti u është përgjigjur gazetarëve më 10.11.2025, “se kanë ngelur edhe 10 ditë”, për këtë punë.
“Mandati i është dhënë nga zonja Presidente Vjosa Osmani, Glauk Konjufcës nga Lëvizja Vetëvendosje- ne urojmë për më të mirën. E ritheksojmë- nuk mendojmë që është punë e mençur të shkojmë në zgjedhje në dhjetor e pastaj sërish në prill”- tha ai.
Kurti, ka deklaruar se deputetët e Kuvendit të Kosovës janë para përzgjedhjes: “Ose le të themi ‘Kurti 2.5’ deri në dhjetor ose ‘Konjufca 1’ deri në prill.”
“Por pa asnjërën prej këtyre, nuk është e mundur. Domethënë duhet të përcaktohen për njërën prej këtyre”- tha ai për media më 10.11.2025.
Më 04.11.2025, Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje mandatoi Glauk Konjufcën për kryeministër të vendit.
Konjufca pas nominimit për mandatar, tha se partitë tash e kanë në dorë nëse duan ta votojnë Qeverinë apo duan zgjedhje të reja.
“Tash partitë tjera e kanë në dorë nëse duan zgjedhje menjëherë. Të gjithë jemi në llupën e popullit, por mua po më duket që shpata e gjykimit do të jetë më e mprehtë se kurrë më parë”- tha Konjufca, duke thënë se kompromis më të madh se ky Vetëvendosja nuk mund të bëj.
Në po të njëjtën ditë, presidentja Vjosa Osmani zyrtarisht mandatoi atë, dhe menjëherë ka filluar afati 15 ditësh i Konjufcës për të formuar Qeverinë e re.
“Nuk kemi emër tjetër, përveç propozimit nga partia e parë me emrin e zotëriut Glauk Konjufca… Mandatimi i tij është gjithashtu në përputhje me përgjegjësinë tjetër, që presidentja të ruajë stabilitetin e vendit duke shmangur zgjedhjet”- tha Osmani.
Pas mandatimit nga LVV, Konjufca u shpreh se nuk synon koalicione dhe qeveri afatgjate.
“Ideja ka qenë e thjeshtë, ta krijojmë një Qeveri të re për me i shmangë dy gjëra aq shumë të rëndësishme: e para janë zgjedhjet e reja dhe e dyta që të provojmë të bashkëpunojmë që të mundet Kosova me pasë buxhetin e saj për vitin 2026”- tha Konjufca para gazetarëve.
Propozimi i LVV-së për Qeveri të udhëhequr nga Konjufca u kundërshtua nga PDK, LDK, AAK dhe NISMA Socialdemokrate, të cilat kërkojnë zgjedhje e jo zvarritje të procesit, siç po e quajnë ata propozimin e LVV-së.
Kosova tashmë po i bën nëntë muaj pa institucione të reja, pra që nga zgjedhjet e 09.02.2025.
Mandatari i parë për Qeverinë, Albin Kurti, ka dështuar t’i marrë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës për formimin e Qeverisë “Kurti 3”.
Për kanë votuar vetëm 56 deputetë, partitë e ish-opozitës kanë votuar kundër dhe katër vota kanë qenë abstenim.
Në ndërkohë, Gjykata Kushtetuese është ende duke e trajtuar një ankesë të Listës Serbe në lidhje me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, dhe ende është e paqartë nëse ky institucion do ta konsideroj të konstituar Kuvendin.