Votimi për zgjedhjet lokale në Kosovë më 12.10.2025. Foto: Kallxo.com/Denis Sllovinja
Dyshohet se e shiti votën 120 euro dhe e fotografoi, aktakuzë ndaj dy personave në Suharekë
Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave Y. Rr., dhe B. K., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”.
Sipas aktakuzës, në zgjedhjet lokale të mbajtura më 12.10.2025, në fshatin Budakovë të Suharekës, i pandehuri Y.Rr., ka ofruar shumën 120 euro të pandehurit B.K., me qëllim që ky i fundit të votojë në favor të kandidates për ansamble komunale, dhe për verifikimin e votimit, Y.Rr., ka kërkuar të shohë telefonin e B.K., pas së cilës i ka dorëzuar shpërblimin.
Ndërkaq, i pandehuri B.K., akuzohet se ka pranuar këtë përfitim me qëllim të ndikimit në votimin e tij.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit” – thuhet në komunikatën e Sistemit Prokurorial të publikuar më 20.11.2025.