Foto: Faqja zyrtare e OKB-së
“Dhuna digjitale është dhunë e vërtetë” paralajmëron shefja e UN Women për Europën
Pandëshkueshmëria online dhe kultura mizogjene po i rrezikojnë gratë. “Dhuna online është dhunë e vërtetë dhe ajo po i prek më shumë gratë”, ka theksuar Belen Sanz, duke paralajmëruar për rritje të përplasjeve gjinore.
Urrejtja online kundër grave po rritet dhe tensionet gjinore po shumëfishon në jetën reale, ka thënë për Euronews drejtuesja e divizionit të Kombeve të Bashkuara për Gratë në Europë dhe Azinë Qendrore, ndërsa paralajmëroi për një mjedis gjithnjë e më armiqësor për vajzat dhe gratë e reja.
“Dhuna digjitale është dhunë e vërtetë”, ka thënë Belen Sanz, drejtoreshë e UN Women për Europën dhe Azinë Qendrore. “Gratë dhe vajzat e përjetojnë atë, dhe kjo ka pasoja të jashtëzakonshme sepse ua hesht zërin si dhe ua cenon të drejtat dhe zgjedhjet e tyre”, ka shtuar ajo.
74 % e grave në Europë ose e kanë përjetuar vetë dhunën online ose me sytë e tyre e kanë parë duke u ushtruar ndaj një gruaje tjetër, thuhet në një studim të vitit 2021 të kryer nga Njësia e Inteligjencës Economist.
“Është thelbësore që të ketë një rregullore në lidhje me zhvillimin dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale dhe teknologjive dixhitale”, tha Sanz, duke shtuar se është gjithashtu e rëndësishme të sigurohet që njerëzit, veçanërisht djemtë dhe vajzat e reja, të mund të dallojnë informacionin që marrin.
Ndër format më të dëmshme të abuzimit në internet është pornografia deepfake, e cila përdor fytyrat e grave për simulimin e akteve seksuale pa pëlqim e viktimave.
Pornografia deepfake përbën afërsisht 98 % të të gjitha videove deepfake në internet, me 99 % të objektivave që janë gratë, thuhet në një raport të vitit 2023 nga firma e sigurisë kibernetike, “Home Security Heroes”.
Dhe si kundërpërgjigje, fushata vjetore e OKB-së “16 Ditë Aktivizmi kundër Dhunës me Bazë Gjinore” synon dhënien fund dhunës dixhitale kundër të gjitha grave dhe vajzave. Fushata ka nisur të martën (25.11.2025) në mbarë botën.
“Është e rëndësishme që ne si shoqëri ta kuptojmë se kjo formë dhune nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar”, ka thënë drejtoresha Sanz.
Bota dixhitale, pasqyrë e realitetit
Sanz ka deklaruar se dhuna në internet pasqyron dhunën fizike dhe seksuale me të cilën përballen gratë dhe vajzat në përditshmëri në një numër gjithnjë e në rritje.
Një në tri gra në Bashkimin Europian ka përjetuar një lloj dhune fizike ose seksuale gjatë jetës së tyre, bën të ditur Instituti Europian për Barazi Gjinore.
Ndërmjet viteve 2014 dhe 2024, përqindja e grave të moshës 18-74 vjeç që kanë përjetuar një formë të dhunës me bazë gjinore, nuk është përmirësuar, duke rënë me më pak se një pikë përqindjeje për dhjetë vjet (nga 31.4 % në 30.7 %) dhe duke reflektuar sjellje seksiste të rrënjosura thellë.
“Është shumë e qartë se nuk ka përparim linear, nevojitet një përpjekje dhe mbështetje e vazhdueshme nga vendet në të gjitha nivelet për të siguruar që të mos kemi prapakthim në progresin që kemi shënuar gjatë viteve të fundit në këto fusha”, ka thënë Sanz.
Megjithatë, ajo ka paralajmëruar për një reagim të kohëve të fundit në të gjithë shoqërinë, si politike ashtu edhe sociale, të nxitur nga dezinformimi në rritje që ndikon drejtpërdrejt në mënyrën sesi shoqëria e kupton përparimin e grave.
“Po shohim breza të rinj burrash që vënë në pikëpyetje barazinë gjinore sikur përparimi të ketë shkuar larg shumë larg për gratë dhe sikur kjo i vë burrat në situatë të rrezikshme”, ka thënë Sanz.
Një anketë e vitit 2025 me më shumë se 24 mijë persona në 30 vende ka spikatur se 57 % e burrave të Gjeneratës Z dhe 56 % e burrave të mijëvjeçarit mendonin se vendi i tyre kishte “shkuar shumë larg me promovimin e barazisë së grave”. Gjenerata Z i referohet të rriturve të lindur ndërmjet viteve 1997 dhe 2012.
Drejtoresha e OKB-së për Gratë për Europë ka vënë në dukje se ky perceptim nuk është domosdoshmërisht i lidhur me progresin aktual, por pasqyron sfida më të gjera shoqërore, duke përfshirë qasjen në punësim dhe paqëndrueshmërinë ekonomike.
Gratë në sferën publike përballen me dhunën më të madhe
Debatet rreth politikave të barazisë gjinore dhe rolit të grave po ndikojnë gjithashtu në pjesëmarrjen e grave në jetën publike.
Përfaqësimi i grave në politikë është rritur ngadalë gjatë dhjetëvjetëshit të fundit. Në Bashkimin Europian, gratë përbënin 33.4 për qind të mandatave në parlamentet kombëtare më 2024, rreth nëntë pikë përqindjeje më shumë se më 2010.
Megjithatë, përfaqësimi i grave në nivel lokal mbetet i ulët dhe i pabarabartë, duke filluar nga 25 % në 43 % në varësi të vendit.
Përveç barrierave tradicionale për gratë që kanë qasje në politikë, siç janë stereotipet gjinore rreth roleve politike dhe vështirësitë rreth ekuilibrit midis punës dhe jetës personale, gratë në role të shërbimit publik përjetojnë nivele joproporcionale të dhunës.
“Gratë që përballen me nivelin më të madh të diskriminimit dhe sulmeve janë ato që kanë një rol publik”, ka thënë Sanz, duke shtuar se politikanet femra janë shumë më të përfolura dhe u nënshtrohen standardeve më të larta krahasuar me kolegët meshkuj.
Rreth 32 % e grave në politikë në Europë raportojnë se përjetojnë dhunë – me gati një në tri gra që përballen me dhunë kibernetike, duke përfshirë kërcënime, ngacmime dhe abuzime në platformat dixhitale, sipas të dhënave nga Këshilli i Komunave dhe Rajoneve Europiane.
“Demokraci e fortë është ajo ku kemi më shumë gra në pozicione vendimmarrëse”, ka argumentuar Sanz. “Dhe që të arrihet kjo, duhet të sigurohemi që gratë të mbrohen, pasi të gjithë duhet të mbrohen kur ushtrojnë të drejtën për të marrë pjesë në jetën publike”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com