Aeroporti i Brukselit
Belgjika mbledh këshillin e sigurisë kombëtare pas shfaqjes së dronëve në aeroporte e baza ushtarake
Këshilli i sigurisë kombëtare i Belgjikës do të mbajë të enjten (06.11.2025) mbledhje pas shfaqjes së dronëve në aeroporte duke shkaktuar kaos fluturimesh dhe ngritur shqetësime sigurie, ka raportuar gazeta “The Guardian”.
Aterrimet dhe ngritjet e aeroplanëve u anuluan për disa orë të martën mbrëma në aeroportin më të ngarkuar të Belgjikës në Bruksel, duke shkaktuar anulim të disa fluturimeve. Hapësira ajrore ishte mbyllur edhe mbi aeroportin e Liezhit, qendër e rëndësishme për transport mallrash, duke shkaktuar vonesa dhe anulime të tjera.
Njëherësh, kryetari i qytetit flaman, Diest, ka raportuar se zyrtarët policorë dhe ushtarakë kanë vërejtur të martën katër dronë në afërsi të bazës së afërt ajrore ushtarake, Schaffen.
Para shfaqjes së fundit të dronëve, autoritetet belge po hetonin misterin e shfaqjes së dronëve në disa baza ushtarake në fundjavë, përfshirë bazën Kleine-Brogel, afër kufirit me Holandën, ku janë të vendosur aeroplanët luftarakë belgë F-16, dhe ku thuhet se ruhen armë bërthamore amerikane.
Ministri i Mbrojtjes, Theo Francken, i ka thënë transmetuesit publik RTBF se incidenti i së martës duket se është kryer nga profesionistë që synojnë destabilizimin e vendit.
Dronët kanë shkaktuar muajve të fundit ndërprerje të konsiderueshme në të gjithë Europën. Në shtator, Aeroporti i Kopenhagës u mbyll për katër orë dhe Aeroporti i Oslos për tre orë pas shfaqjes së dronëve. Pati gjithashtu dyshime për ndërhyrje të dronëve rusë në hapësirën ajrore polake dhe rumune.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com