Basha për dorëheqjen e Liburn Aliut: Është normale të ketë pasur pakënaqësi
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka folur për dorëheqjen e Liburn Aliut nga detyra e Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, duke thënë se e çmon kontributin e tij si aktivist dhe ministër.
Sipas Bashës, është normale që të ketë pasur pakënaqësi lidhur me zgjedhjen e tij si kryetar i Kuvendit.
Ndërsa ka thënë se “edhe në familje ka pakënaqësi nganjëherë, por me rëndësi është që të vazhdohet rrugëtimi përpara”.
“Unë lexova në media që ka dhënë dorëheqje me paknaqësinë e tij për rastin e zgjedhjes sime si kryetar i Kuvendit. Unë e çmoj kontributin e tij si aktivist në LVV, sic e çmoj kontributin e secilit aktivist tjetër që ka dhënë secili aktivist. E respektoj edhe punën e tij si ministër. Është komplet e natyrshme me pasë paknaqësi mes vete. Ju e dini që edhe unë si deputet kam pasur pakënaqësi me ministra dhe kemi pasur debat të hapur në Kuvend. Qe besa, kjo është demokracia, për shkak e edhe në familje ka pakënaqësi nganjëherë, por me rëndësi është që të vazhdohet rrugëtimi përpara. E çmoj kontributin e tij si në Lëvizje dhe në Qeveri”- është shprehur ai përmes një konference për media.
Liburn Aliu më 27.08.2025 ka dorëzuar te Kryeministri në detyrë Albin Kurti, letrën e dorëheqjes nga detyra e ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Aliu thotë se arsyeja e dorëheqjes së tij lidhet me zgjedhjen e Dimal Bashës Kryetar i Kuvendit të Kosovës.
“Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit te kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim”- ka shkruar ai në Facebook.
Pas shumë përpjekjesh për të gjetur një kandidat që do të siguronte shumicën, më në fund, Dimal Basha, mes kundërshtive politike, u zgjodh kryeparlamentar me 73 vota për, 30 kundër dhe 3 abstenime, nga gjithsej 115 deputetë të pranishëm në sallë më 26.08.2025.
https://kallxo.com/lajm/liburn-aliu-jep-doreheqje-nga-qeveria-kurti-nuk-i-pelqen-basha-si-kryetar-kuvendi/