Foto: AUV
AUV: Peshku i ngrirë në treg është i sigurt për konsum, edhe pse mund të përmbajë parazitë
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njofton se në tregun e Kosovës gjendet peshk i ngrirë deti apo oqeani, i cili gjatë përgatitjes mund të shfaqë praninë e parazitëve të llojit Anisakis simplex.
AUV thekson se prania e këtyre parazitëve nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut në rastin e peshkut të ngrirë, ngase procesi i ngrirjes në temperatura të ulëta i ka shkatërruar aftësinë e tyre për të shkaktuar sëmundje.
Sipas tyre, peshku i ngrirë është i sigurt për konsum, veçanërisht kur gatuhet në temperatura mbi 60°C – standard që siguron asgjësimin e çdo rreziku të mundshëm.
Ndërsa agjencia tutje thotë se ndonjë incident mund të paraqitet vetëm në rastin e konsumimit të peshkut të freskët (të pa ngrirë), i cili nuk është trajtuar fare me nxehtësi apo ngrirje, veçanërisht në përgatitje si “crudo”, sushi apo sashimi. Sipas tyre, në këto raste peshku duhet të jetë patjetër i ngrirë më parë, në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe ligjet në fuqi.
AUV shkruan se kjo nuk është vetëm praktikë e vendeve të Bashkimit Evropian, SHBA-së apo Kanadasë, por është e përcaktuar qartë edhe në legjislacionin e Kosovës, të harmonizuar me direktivat e BE-së për sigurinë ushqimore.
“Këto standarde janë të bazuara në studime të shumta shkencore dhe në rekomandimet e institucioneve prestigjioze ndërkombëtare si EFSA (Autoriteti Evropian për Siguri Ushqimore); FAO (Organizata e OKB-së për Ushqim dhe Bujqësi). Theksojmë edhe njëherë se, në rastin kur ky produkt përdoret sipas udhëzimeve, domethënë përmes përgatitjes termike (gatimit) apo ngrirjes, ai nuk paraqet rrezik për shëndetin publik”- thuhet në njoftimin e datës 27.09.2025.
Gjithashtu, Agjencia ka ftuar qytetarët, mediat dhe institucionet relevante që të bazohen në informacione të sakta dhe profesionale, dhe që, siç thonë ata, të shmangin “interpretimet e gabuara që mund të shkaktojnë panik të panevojshëm në publik”.
“Institucionet përgjegjëse në këto raste AUV vazhdojnë të mbikëqyrin dhe kontrollojnë në mënyrë rigoroze sigurinë ushqimore në treg, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare”- njofton AUV.