Konfirmohet rasti i parë me 'Murtajën e ruminantëve të vegjël' në një fermë delesh në Prizren
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njofton se në fshatin Landovicë të Prizrenit, është konfirmuar prania e sëmundjes PPR (Murtaja e ruminantëve të vegjël).
Rasti thuhet se është vërtetuar pas hulumtimeve diagnostike në terren dhe analizave laboratorike, ku Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar infektimin në një fermë dele në këtë fshat.
AUV thekson se kjo sëmundje nuk është zoonotike, pra nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve dhe nuk transmetohet nga kafsha tek njeriu.
Megjithatë, sipas njoftimit, PPR-ja ka pasoja të mëdha për shëndetin e kafshëve, rrit ngordhshmërinë dhe shkakton humbje ekonomike për fermerët.
“Masat që ka ndërmarrë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë për parandalimin e përhapjes së PPR-së janë: kontrolli dhe mbikëqyrja e vazhdueshme në zonën e prekur, asgjësimi i kafshëve të prekura, kufizimi i lëvizjes së kafshëve në zonat tjera, si dhe njoftimi dhe bashkëpunimi me fermerët lokalë”- thuhet në njoftimin e lëshuar, sot më 26.09.2025.
Agjencia u ka bërë thirrje fermerëve dhe qytetarëve që të kenë bashkëpunim të ngushtë me shërbimet veterinare dhe në momentin që identifikohen shenja klinike si temperaturë e lartë, rrjedhje nga hunda dhe sytë, diarre, pneumoni apo kollitje e vazhdueshme, AUV bënë thirrje që të raportojnë menjëherë te organet kompetente.
Ata kanë apeluar fermerët që të respektojën masat dhe udhëzimet e veterinerëve zyrtarë dhe të mos blejnë kafshë nga ferma të tjera pa e ditur statusin e tyre shëndetësor.
“Vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë mund të parandalojmë përhapjen e kësaj sëmundjeje dhe të mbrojmë blegtorinë tonë”- thuhet tutje në njoftim.