Auditori: 13 zyrtarë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës punojnë ende me kontrata të vjetra
13 zyrtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), nuk u janë ofruar aktet dhe kontratat e punës të reja për nënshkrim, ndonëse kjo kërkesë parashihej me Rregulloren e cila hyri në fuqi në muajin gusht të vitit 2024.
Kjo gjetje është evidentuar në raportin e auditimit të pasqyrave financiare të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për Këshillin Gjyqësor të Kosovës për vitin 2024.
“Nga 36 mostra të audituara për administratë, në 13 prej tyre kemi vërejtur që KGjK nuk kishte përgatitur dhe ofruar zyrtarëve aktualë për nënshkrim aktet e reja të emërimit apo kontratat e punës, pavarësisht që afati ligjor i përcaktuar në rregulloren e lartcekur ishte tre muaj pas hyrjes në fuqi të kësaj Rregullore apo fundi i gushtit 2024. Këto raste kanë të bëjnë kryesisht me pozitat bashkëpunëtor profesionalë, vozitës, roje, etj” – thuhet në gjetje të raportit.
Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e saj tregon se këto akte emërime/kontrata ekzistuese të nënshkruara nga 2012 e tutje nuk ofrojnë bazë të qartë për kalkulimin e pagës pasi që vlera e koeficienteve të këtyre akte emërimeve/kontratave ndryshon me vlerën e koeficienteve aktual të rregulluar me Ligjin e pagave apo Rregulloren për klasifikimin e vendeve të punës e cila ka hy në fuqi nga qershori 2024.
ZKA gjen një rast ku Këshilli Gjyqësor paguan në mënyrë retroaktive një këshilltar pa kurrfarë dëshmie që arsyeton vlerën e llogaritur.
“Ndërsa, në një rast “Pagesa Retroaktive” e realizuar në muajin korrik 2024 në vlerë prej 5,776 euro për pozitën këshilltar për periudhën shkurt-dhjetor 2023 (11 muaj), KGJK nuk ka sjellë dëshmi (vendim, kontratë apo e ngjashme) më të cilën e dëshmon dhe arsyeton llogaritjen dhe realizimin e kësaj pagese” – bën të ditur raporti.
Këto gjetje ZKA i bazon në Rregulloren Nr.02/2024 për klasifikimin e vendeve të punës për nëpunësit civilë në administratën e sistemit gjyqësor, përkatësisht nenit 32.1 Aktet e emërimit dhe /apo kontratat e punës me hyrjen në fuqi të kësaj rregullore, obligohet sekretariati, jo me vonë se tre muaj nga hyrja në fuqi e kësaj rregullore, që të përgatis dhe t’ju ofrojnë zyrtarëve aktualë për nënshkrim aktet e reja të emërimit dhe/apo kontratat e punës.
Kjo kishte ndodhur si rezultat i numrit të madh të punonjësve që ka KGJK dhe pakujdesisë së zyrtarëve përgjegjës për llogaritjen e pagës.
Mungesa e përgatitjes së akteve të reja të emërimit apo kontratave të punës sipas ZKA-së, përveç se është mospërfillje e kërkesave ligjore njëkohësisht ndikon edhe në krijimin e paqartësive në llogaritjen dhe realizimin e pagesave për punonjësit si dhe në raste të kontesteve e vështirëson marrjen e vendimeve apo kalkulimin e drejtë të pagesës.
Ndërsa pagesa e retroaktives pa dëshmi mbështetëse ndikon në realizimin joracional të parasë publike.
Kreut të KGJK-së, ju rekomandua që të forcojë kontrollet tek burimet njerëzore, të përgatiten dhe t’iu ofrohen zyrtatëve aktet e reja për nënshkrim.
“Kryetari i KGJK-së duhet të forcojë kontrollet në menaxhimin e burimeve njerëzore duke përgatitur dhe ofruar zyrtarëve aktualë për nënshkrim aktet e reja të emërimit apo kontratat e punës në mënyrë që çdo pagesë të realizohet bazuar në akt emërim/kontratë individuale dhe me koeficient aktual sipas legjislacionit në fuqi. Po ashtu duhet te sigurohet që çdo pagesë e retroaktives të paguhet vetëm kur përcjellet me dëshmi përkatëse” – rekomandon raporti.
Menaxhmenti i KGJK-së është pajtuar me gjetjet e Auditorit.
Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 12.05.2025 nga Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, konfirmohet se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me gjetjet e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për “Raporti i Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2024”.
Raportin e plotë për KGJK-në mund ta gjeni KËTU.