Artan Abrashi (LVV) dhe Emilija Rexhepi (NDS). Foto: Artan Abrashi në Facebook.
Artan Abrashi koalicion me Emilija Rexhepin për balotazhin në Prizren
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, Artan Abrashi ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me kryetaren e partisë të komunitetit boshnjake Partisë së Re Demokratike (NDS) Emilija Rexhepi për udhëheqjen në Prizren, pas zgjedhjeve të mbajtura me 12 tetor, të cilat do të zhvillohen edhe në një raund tjetër, në balotazh mes LVV-së dhe PDK-së.
Lajmin e ka bërë të ditur Abrashi përmes një njoftimi në Facebook.
“Ne u pajtuam që SZK-ja të jetë pjesë e degës ekzekutive dhe se do të vazhdojmë së bashku me projektet e mëdha që i përfshimë në buxhetin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, do të kthejmë komunitetit boshnjak të drejtat dhe përfaqësimin që e meritojnë” – ka shkruar Abrashi.
Ai ka thënë se nëse arrin të bëhet kryetar do ta funksionalizojë Qendrën Kulturore Boshnjake.
“Biseduam për çështjen e Zëvendëskryetarin e Komunës për komunitete. Ky bashkëpunim është shprehje e respektit, bashkëjetesës dhe vizionit tonë të përbashkët për një Prizren gjithëpërfshirës, të drejtë dhe me mundësi të barabarta për të gjithë”- shtoi ai.
Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovë dhe Artan Abrashi nga Lëvizja Vetëvendosje do të përballen në ballotash pas katër javësh (09.11.2025), për të siguruar votat e nevojshme për të marrë postin e kryetarit të Komunës së Prizrenit.
Në zgjedhjet e mbajtura të dielën, më 12.10.2025, për kryetar të Prizrenit, Totaj, sipas rezultateve preliminare, kryetari aktual i kësaj komune, Shaqir Totaj, doli i pari duke marrë 41.99% apo 24,281 vota, kurse Artan Abrashi nga LVV, doli i dyti me 29.80% apo 17,231 vota.
Zgjedhjet lokale janë mbajtur më 12.10.2025.