Apeli pritet ti trajtoj ankesat ndaj aktgjykimit dënues për Tush Frrokajn që akuzohet për vrasje të dhëndrrit
Tush Frrokaj, i akuzuari dhe dënuar nga shkalla e parë, për vrasjen e mikut, njëherazi dhëndrin e tij, ka dalë para gjykatës së Apelit lidhur me këtë rast.
I njëjti akuzohej për vrasjen e dhëndrit të tij më 07.08.2023, armëmbajtje pa leje, shtrëngim për të cilat ishte dënuar me 21 vite burgim (në total) dhe marrje në posedim e pasurisë së luajtshme vepër për të cilën ishte refuzuar akuza.
Gjykata e Apelit sot më 09.10.2025 dëgjoi ankesat e palëve në procedurë rreth aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Pejës.
Ankesë rreth aktgjykimit kanë paraqitur Prokuroria e Pejës, Ndrec Dodaj avokat i të akuzuarit dhe Hamdi Ibrahimi, avokat i palës së dëmtuar.
Prokuroria e Pejës e ka atakuar aktgjykimin prë shkelje esenciale të dispozitave të kodit të procedurës penale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike duke kërkuar dënim më të lartë për të akuzuarin ose që të anulohet aktgjykimi i Themelores dhe të kthehet rasti në rigjykim.
Tutje edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Hamdi Ibrahimi ka kërkuar dënim më të ashpër për të akuzuarin.
Sipas Ibrahimit dënimi nuk korrespondon me peshën e veprës penale që e ka kryer i akuzuari, pasi sipas Brahimit qëllimi i Tush Frrokajt nuk ka qenë vetëm vrasja e të ndjerit por edhe vrasja shpirtërore e familjarëve.
“Për dënim e kam bërë të qartë, dënimi nuk korrespondon me peshën e veprës penale të kryer, kjo vrasje, përveç që ka dashtë me vra A. P., qëllimi u kanë me u vra krejt familja shpirtërisht. Askush nuk ka shpreh as ma t’voglën keqardhje për familjen për këtë që i ka ndodhur”- tha Ibrahimi.
Kurse një nga familjarët e të ndjerit, Mark Prenaj tha se me vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë nuk është pajtuar fare. Sipas Mark Prenaj djali i tij është vrarë pa faji.
“Me këtë dënim nuk jam pajtu hiç, zotëri gjykatës, djalin tem e ka vra pa kurrfarë faji, unë ja kam lanë drejtësisë dhe zotit, se djalin e ka vra pa pikë faji {…}, djalin e ka vra pa pas as hak as hile. Po tash Gjykata tu e lan kapak tu e fal e tu e lëshu qashtu edhe ka ardhë kjo punë deri këtu. S’jam i pajtimit me këtë dënim se ky ka bo diçka që kurrkush ska bo”- tha Mark Prenaj.
Aktgjykimin e kanë atakuar Tush Frroku me avokatin e tij, Ndrec Dodaj i cili ka kërkuar nga Gjykata ta zbus dënimin për të akuzuarin.
Avokati Dodaj tha se qëndron pranë ankesës që e ka bërë për aktgjykimin dënues të Gjykatës të Pejës pëe Tush Frrokajn.
Tutje i njëjti kërkoi nga Gjykata e Apelit që të shikohen disa elemente ose ngjarje që i kanë paraprirë këtij veprimi, që datojnë 4 ose 5 vite më parë.
Avokati kërkoi që ti zbutet dënimi të akuzuarit ose rastin të kthet në rigjykim. Anëtarë të Kolegjit të Apelit janë gjyqtarët, Kadrije Goga Lubishtani, Hashim Qollaku dhe Xhevdet Abazi.
Sipas Prokurorisë, në ora 16:26, i akuzuari Tush Frokaj shkon te lokali ku ishte duke ndenjur tashmë i ndjeri, dalin jashtë dhe bisedojnë për 20 minuta.
Në ora 16:47 tashmë i ndjeri kthehet brenda në lokal dhe i tregon një personi tjetër F. R. për bisedën e zhvilluar jashtë, me karakter personal.
Tre minuta më vonë, sipas Prokurorisë, më 16:49, në lokal futet i akuzuari Tush Frokaj niset në drejtim të tanimë të ndjerit dhe ka shtënë katër herë në drejtim të tij.
Me tu nisur nga dera e hyrjes, për të dalë jashtë, Frokaj përsëri kthehet dhe shtie edhe tri herë të tjera në drejtim të Prelajt.
Me këto veprime, Prokuroria pretendon se përpos vrasjes së Anton Prelajt ka vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë, të cilët ishin afër tavolinës ku ishte tashmë i ndjeri.
Me këtë veprim Frokaj akuzohet për vrasje të rëndë.
Për armën me të cilën e kishte kryer veprën penale Frokaj akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje pasi gjatë bastisjes ishin gjetur në shtëpinë e tij edhe 10 fishekë, këllëf pistolete, shufër metalike, 13 fishekë të tjerë, 2 fishekë të pushkës së gjuetisë, një thikë dhe pajisje për pastrimin e armëve.
Pasi kishte kryer vrasjen, sipas Prokurorisë, Frokaj kishte dalë nga lokali dhe me armë kishte arritur ta ndalte një veturë dhe shoferin e veturës e detyron nën kërcënimin e armës që të voziste veturën në drejtim të fshatit Zllakuqan.
Me këtë veprim i njëjti akuzohet për veprën penale të shtrëngimit.
Për veturën që në një pikë të caktuar shoferi e kishte braktisur, duke ia lënë drejtimin e automjetit Frokajt, i akuzuari sipas Prokurorisë e kishte marrë veturën dhe e kishte lënë te shtëpia e tij.