I akuzuari Jeton Vllasaliu - Foto: KALLXO.com
Mbrojtja kërkon nga Gjykata e Apelit anulimin e vendimit që dënoi me burgim të përjetshëm vëllezërit Vllasaliu
Në Gjykatën e Apelit sot, më 06.11.2025, është mbajtur seanca ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut, vëllezërit e akuzuar për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.
Jeton dhe Nexhat Vllasaliu akuzohen se kanë vrarë në bashkëkryerje e më pas e kanë zhdukur trupin e Bedri Rexhepit, i cili nga Prokuroria nuk ishte identifikuar për më shumë se 17 muaj. Motivi i kësaj vrasje është cilësuar të jetë përfitimi pasuror në vlerë prej 30,000 euro.
Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të akuzuar për rastin e vrasjes së biznesmenit nga Prishtina Bedri Rexhepit, më 28.05.2025 janë dënuar nga Gjykata e shkallës së parë me burgim të përjetshëm.
Në seancën e Apelit u shqyrtuan ankesat e mbrojtjes së të akuzuarve dhe përgjigjja në ankesë e avokatit të palës së dëmtuar.
Mbrojtësit e të akuzuarit Jeton Vllasaliu, avokatët Driton Musliu dhe Florent Latifaj, ankesën e tyre e kanë parashtruar për të gjitha bazat ankimore, me propozim që Gjykata e Apelit ankesën e parashtuar ta aprovojë, aktgjykimin e shkallës së parë ta ndryshojë ose çështjen ta kthejë në rivendosje.
Mbrojtësi i të akuzuarit Jeton Vllasaliu, avokati Florent Latifaj gjatë elaborimit të ankesës tha se aktgjykimit të shkallës së parë në tërësi i mungon arsyetimi.
Ankesë ndaj vendimit të Themelores kanë parashtruar edhe mbrojtësit e të akuzuarit Nexhat Vllasaliu, avokatët Shemsedin Piraj dhe Kosovare Kelmendi.
Avokatja Kosovare Kelmendi gjatë elaborimit të ankesës së saj tha se aktgjykimi i shkallës së parë ka shkelje esenciale dhe nuk ka analizë të mirëfilltë nga Gjykata e shkallës së parë.
Më tej Kelmendi tha se asnjë dëshmitar nuk e ka përfshirë të mbrojturin e saj në vrasjen e Bedri Rexhepit.
Tutje, avokati Shemsedin Piraj i propozoi Gjykatës që ankesa e mbrojtjes të aprovohet, aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet apo çështja të kthehet në rivendosje dhe nëse çështja kthehet në rivendosje të mos gjykohet nga trupi gjykues paraprak.
“Nuk jemi duke kërku mëshirë, jemi duke kërku drejtësi” – tha në fund Piraj.
Të akuzuarit Jeton dhe Nexhat Vllasaliu thanë se i mbështesin deklarimet e mbrojtësve të tyre.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Besnik Berisha, tha se vepra penale është kryer në mënyrë të sofistikuar.
Berisha tha se arkitekt i kësaj vepre është i akuzuari Nexhat Vllasaliu ndërsa ekzekutues i akuzuari Jeton Vllasaliu.
Ndër të tjera, avokati tha se dënimi me burg të përjetshëm ndaj dy të akuzuarve është dënimi më i paktë.
“Dënimi i përjetshëm dhe dënimi më i pakti përballë një krimi në befasi, në pabesi, përballë një krimi në konakun e tij e të atij përballë një krimi kur u ftua si mik e doli si një kufomë që u shëtit malit të madh të Vllasalisë” – tha avokati.
Në fund avokati Besnik Berisha tha se burgu i përjetshëm do të ishte i vetmi dënim që do duhet të mbetet në fuqi për dy të akuzuarit.
Në fund, Gjykata i njoftoi palët se brenda afatit ligjor vendimin e Gjykatës së Apelit do ta marrin përmes Gykatës së shkallës së parë.
Kjo çështje penale në Gjykatën e Apelit po trajtohet nga kolegji në përbërje të gjyqtarëve: Mentor Hajraj (kryetar i kolegjit) Kadrije Goga-Lubishtani (gjyqtare referuese) dhe Xhevdet Abazi (anëtar).
Ndryshe, seanca e paraparë të mbahej në Gjykatën e Apelit më 20.10.2025 për këtë rast nuk ishte mbajtur pasi avokatja e familjes së Bedri Rexhepit, Dafina Osmani, kishte deklaruar se nuk i ka pranuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve për aktgjykimin dënues, dhe kishte kërkuar që seanca të shtyhet për një ditë tjetër.
Vendimi i Gjykatës së shkallës së parë me të cilin dy të akuzuarit ishin dënuar me dënim me burgim të përjetshëm ishte marrë nga trupi gjykues i përbërë nga Medie Bytyqi (kryetare), Gent Beka dhe Agim Kuqi (anëtarë).
Misteri i zhdukjes së biznesmenit ishte hulumtimi të cilin e kishte transmetuar emisioni “Kallxo Përnime” në maj të vitit 2021.
Sipas aktakuzës, Jeton Vllasaliu, më 08.04.2021, Bedri Rexhepin e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, pasi paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.
Gjithnjë sipas aktakuzës, me të arritur te shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e vret Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.
Sipas dosjes së Prokurorisë, pastaj veturën me të cilën Bedri Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jeton Vllasaliu e kishte dërguar në arat e fshatit Shushicë, Janjevë. Pastaj, i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhat Vllasaliun, i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me veturën e tij personale nga vendi ku Jeton Vllasaliu kishte fshehur veturën e të ndjerit.
Me këtë veprim, sipas dosjes së Prokurorisë, Nexhat Vllasaliu kishte ndihmuar në kryerjen e veprës penale.
Me këto veprime të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë, si dhe veprën penale – dëmtim i varreve apo kufomave.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast penal mund t’i lexoni duke klikuar në këtë LINK.