Vrasja në Gllamnik të Podujevës- Apeli shqyrton ankesën e të akuzuarit dhe të prokurorit
Në Gjykatën e Apelit sot më 02.10.2025 është mbajtur seanca ndaj Orges Zhugollit i akuzuar për vrasjen e A. Zh., pas një konflikti në komunikacion në shtator të vitit 2022, në Gllamnik të Podujevës
Orges Zhugolli më 04.06.2025 nga Gjykata e Prishtinës ishte dënuar më 20 vite burgim për vrasjen e A. Zh. në Gllamnik të Podujevës.
Ky vendim ishte marrë nga trupi gjykues në përbërje të Ertan Sejfulla (kryetar i trupi gjykues) dhe Fatime Dërmaku dhe Naser Foniqi (anëtarë).
Në seancën e mbajtur në Gjykatën e Apelit më 02.10.2025, gjyqtarja referuese, Kadrije Goga- Lubishtani bëri të ditur se ankesë kundër vendimit të shkallës së parë kanë bërë Prokuroria Themelore e Prishtinës dhe mbrojtësi i të akuzuarit Orges Zhugolli, avokati Naim Rudari.
Gjyqtarja Goga- Lubishtani bëri të ditur se Prokuroria e Prishtinës ankesën e saj e ka bërë për për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal.
Prokuroria përmes ankesës së saj ka kërkuar që ka kërkuar që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet dhe të akuzuarit t’i shqiptohet një dënim më i lartë si dhe i akuzuari të shpallet fajtor edhe për veprën e dytë armëmbajtje pa leje, për të cilën Gjykata e shkallës së parë e kishte liruar nga akuza.
Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Zhugolli, avokati Naim Rudari tha se qëndron në tërsi pranë ankesës së parashtruar dhe tha se aktgjykimi i shkallës së parë ka shumë paqartësi.
Ndër të tjera, avokati Rudari kërkoi nga Gjykata e Apelit që ankesa e Prokurorisë të refuzohet dhe çështja të kthehet në rigjykim me qëllim që të vërtetohet me saktësi se çfarë ka ndodhur.
Ndërsa vet i akuzuari Zhugolli deklaroi se qëndron pranë fjalës së dhënë nga i mbrojturi i tij.
Në fund, gjyqtari Mentor Hajraj njoftoi se palët vendimin e Gjykatës së Apelit do ta marrin përmes gjykatës së shkallës së parë.
Nga Prokuroria e Apelit dhe nga pala e dëmtuar nuk ishte prezent askush në seancë.
Kjo çështje penale në Gjykatën e Apelit po trajtohet nga kolegji në përbërje të gjyqtarëve Mentor Hajraj (kryetar i kolegjit gjykues), Kadrije Boga-Lubishtani (gjyqtar referues), dhe Valbonë Musliu- Selimaj (antare).
Në seancën e datës 27.05.2025, i akuzuari Orges Zhugolli është gjetur fajtor nga Gjykata e Prishtinës për vrasjen e A.Zh., pas një konflikti në komunikacion në shtator 2022.
Ndërsa për pikën 2 të aktakuzës “armëmbajtje pa leje” i njëjti është liruar, pasi gjyqtari, Ertan Sejfulla kishte thënë se nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale, meqë nuk i është gjetur thika.
Gjyqtari Ertan Sejfulla në këtë seancë të mbajtur më 27.05.2025 kishte thënë se do të ketë edhe një seancë tjetër për lartësinë e mbajtjes së dënimit.
Mq datë 30.05.2025 është mbajtur seanca për lartësinë e mbajtjes së dënimit. Në këtë seancë, prokurori, Arben Hoti dhe avokati i të akuzuarit, Naim Rudari kanë paraqitur rrethanat lehtësuese dhe rrethanat rënduese që gjykata duhet ti ketë parasysh kur të caktoj lartësinë e dënimit.
Prokurori, Hoti ka kërkuar që të dënohet me dënim maksimal i akuzuari duke specifikuar rrethanat rënduese si shkalla e lartë e dashjes, prezenca e dhunës në kryerjen e veprës penale, faktin që viktima ka qenë e pa mbrojtur, si rrethanë tjetër rënduese sipas prokurorit është mosha e viktimës e cila ka qenë vetëm 22 vjeçar, dëmi i cili është shkaktuar (vdekja e një personi), mungesa e provokimit nga i ndjeri, sjellja e të akuzuarit pas kryerjes së veprës penale si arratisja e tij mungesa e pendesës.
Kurse avokati, Naim Rudari kishte thënë se veprimet e Zhugollit në këtë rast kanë qenë pothuajse në afekt mendor dhe ka munguar lidhja kauzale mes veprimit dhe pasojës së shkaktuar se sipas tyre, i akuzuari ka shkaktuar pasojën fillestare por jo edhe pasojën përfundimtare.
Sipas Rudarit, vdekja e të ndjerit ka ardhë si pasojë e një plage që ishte shkaktuar nga përleshja me Zhugollin por që mjekët nuk kishin arritur ta identifikonin dhe ta mjekonin duke shkaktuar gjakderdhje.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas dosjes së Prokurorisë, më 12.09.2022, rreth orës 20:50, afër marketit “Melis”, që gjendet në fshatin Gllamnik, Komuna e Podujevës, i pandehuri Orges Zhugolli ka privuar nga jeta A.Zh., për shkak të një konflikti që kanë pasur në komunikacion.
Sipas aktakuzës në atë mënyrë që derisa tani i ndjeri ishte duke drejtuar veturën e tipit “Golf 6”, në të cilën gjendeshin edhe Endrit Rrustemi, Redon Rrustemi, Valon Uka dhe Valdrin Rrustemi, të cilët ishin nisur për në Prishtinë, në fshatin Gllamnik takojnë veturën “Golf 2”, që e drejtonte tani i pandehuri Orges Zhugolli dhe në momentin kur tani i ndjeri tenton që ta tejkalojë i pandehuri e pengon duke vozitur në mes të dy shiritave dhe me shpejtësi të ngadaltë.
Tutje sipas aktakuzës, pas disa përpjekjeve tani i ndjeri arrin që ta tejkalojë dhe posa që i pandehuri vëren që ajo veturë e tejkalon, ai fillon nga tani i ndjeri të kërkojë që të ndalet duke blinduar me drita; pas pak i ndjeri e ndal veturën afër marketit “Melis” dhe menjëherë prapa tij ndalet edhe i pandehuri Orges Zhugolli, i cili del nga vetura me thikë në dorë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Orges Zhugolli i afrohet Endrit Rrustemit dhe e shtyn me qëllim që ta largojë, mirëpo i pandehuri fillon të shajë, i afrohet tani të ndjerit dhe menjëherë e godet një herë me thikë në gjoks në anën e majtë të kraharorit dhe largohet menjëherë me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa dëshmitarët Endrit Rrustemi, Redon Rrustemi, Valon Uka dhe Valdrin Rrustemi e dërgojnë shokun e tyre në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë. Viktima rreth orës 03:00, më 13.09.2022, në QKUK ndërron jetë.
Më këtë, Orges Zhugolli akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje”.