Festa e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë për 28 Nëntor. Foto: Zyra e Kryeministrit.
Ambasada e Shqipërisë bashkon politikanët kosovarë për festën e 28 Nëntorit
Me rastin e festës së 28 Nëntorit – Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, Ambasada e Shqipërisë në Kosovë i ka mbledhur pak ditë para kësaj date, krerët e shtetit të Kosovës dhe personalitete tjera të larta për të festuar së bashku.
Në këtë ngjarje, nikoqir i të cilës ishte ambasadori shqiptar Petrit Malaj morën pjesë, ndër të tjerë, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti me një pjesë të kabinetit qeveritar, kryekuvendari Dimal Basha, si dhe ish-presidentët Fatmir Sejdiu dhe Atifete Jahjaga.
Në shënim të 113- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministri në detyrë, Kurti tha se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ka marrë formën e një përkushtimi të thellë, që nuk matet vetëm me dokumente apo statistika, por me mënyrën se si përmirësohet jeta e qytetarëve.
“58 marrëveshje të nënshkruara vetëm në katër vitet e fundit nga 184 gjithsej dhe qindra mijëra qytetarë që çdo ditë e prekin këtë afrim në jetën e tyre, janë tregues se vizioni i përbashkët nuk është vetëm fjalë: është tregti që rritet me qindra milionë euro, energji që qarkullon pa pengesa, janë Lojërat Mesdhetare 2030, studentë që gëzojnë mundësi të barabarta, janë 26 vendkalime kufitare të reja e deri te projekti gjigant hekurudha Prishtinë–Durrës”- tha Kurti gjatë fjalës së tij, më 24.11.2025.
Ai ndër të tjera përmendi hapjen e zyrave doganore, heqjen e vulës apostile, njohjen e pensioneve dhe sigurimeve, njësimin e diplomave si dhe lëvizjen pa kontrolle kufitare. Në arsim e kulturë përmendi abetaren unike, enciklopedinë shqiptare dhe projektet kulturore mbarëkombëtare. Ndërsa në siguri, turizëm, bujqësi e drejtësi, Kurti tha se procedurat e unifikuara dhe bashkëpunimi teknik po i bëjnë dy shtetet më funksionale dhe më të afërta se kurrë.
Për më tepër, Kurti tha se ky përvjetor i shtetit shqiptar, po kremtohet në sfond të 81-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga nazifashizmi dhe 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, duke kujtuar që Shqipëria ishte i pari dhe i vetmi vend në Europë që u çlirua me forcat e saj, duke u rreshtuar drejt pas Aleatëve.
“Të bekuara qofshin Shqipëria dhe Kosova përgjithmonë dhe së bashku i jetofshim dhe festofshim përherë!”- u shpreh ai.
28 Nëntori simbolizon datën historike e cila gërsheton përpjekjet e shqiptarëve nga të gjitha trojet për një shtet të pavarur. 113 vjet më parë, u shënua akti i pavarësisë së Shqipërisë, ndonëse jashtë kufijve të këtij shteti mbeten territore të mëdha të banuara me shqiptarë autoktonë. Dhe, pavarësisht ndarjes me kufij shtetëror, që nga viti 1912, Dita e Flamurit vazhdon të jetë frymëzim i përbashkët i shqiptarëve. Në Kuvendin e Vlorës, delegatët nga Kosova ishin në mesin e atyre që vunë firmën në aktin e Pavarësisë së këtij shteti, duke dëshmuar unitetin historik të kombit shqiptar.