Akuza e kundërakuza në Kuvendin Komunal se kush i ka fajet për bërllokun në Prishtinë
Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës të së hënës (02.06.2025), ka pasur përplasje me fjalë mes asamblistëve lidhur me krizën e shkaktuar nga mosheqja e mbeturinave në kryeqytet.
Në mbledhjen e pestë të rregullt të Kuvendit Komunal, të mbajtur sot më 02.06.2025, diskutimet u përqendruan në ndërprerjen e shërbimeve nga kompania “Pastrimi”. Por, nuk munguan akuzat ndaj udhëheqjes komunale për gjendjen me mbeturina.
Edhe pse në asnjërën pikë të rendit të ditës të kësaj mbledhjeje nuk ishte paraparë të diskutohej për subvencionimin e pagave të punëtorëve të kompanisë “Pastrimi”, kjo u mundësua pas kalimit të propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Me nisjen e diskutimeve nisën edhe kritikat e partisë më të madhe opozitare në Prishtinë lidhur me krizën e bërllokut.
“Ndërmarrja ‘Pastrimi’ ka dekada që funksionon, për 25 vite probleme të kësaj natyre nuk janë shfaqur asnjëherë. Ka pasë telashe por jo në masën të cilën tani po ndodhin”- u shpreh Gëzim Sveçla nga LVV.
Ai foli edhe për thirrjet që Komuna ua ka bërë qytetarëve që t’i paguajnë faturat e mbeturinave në Komunë, për çka tha se kjo thirrje është edhe bojkot ndaj qytetit.
Sveçla shtoi se si rezultat i kësaj, qytetarët e Prishtinës po ballafaqohen me krizën e mbeturinave.
“Si rezultat jemi ballafaquar me pamje që na kanë lëndu dinjitetin tonë si qytetarë, pamje që Prishtina nuk i ka pa për 25 vite, bërllok. Kjo qeverisje e ka prodhu atë pamje, rrjedhimisht kjo qeverisje e ka ba bërllok”- tha Sveçla.
Përveç pakënaqësive me ekzekutivin e Komunës, gjithashtu ai tha se si LVV nuk janë të kënaqur as me menaxhmentin e “Pastrimit”.
Kurse, shefi i grupit të PDK-së, Leutrim Retkoceri, kritika të drejtpërdrejta pati ndaj drejtorit të Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci.
Sipas Retkocerit, Brestovci së bashku me kryetarin Rama përmes kontratave të ngociuara me operatorët privatë “ka pasur qëllim që të shkatërrojë ndërmarrjen ‘Pastrimi’.
Në anën tjetër, as drejtori Bekim Brestovci nuk kurseu kundërakuzat ndaj Retkocerit të PDK-së.
Për borxhin prej 2.7 milionë euro që ndërmarrja ‘Pastrimi’ pretendon se Komuna ka ndaj tyre, Brestovci tha se ata nuk mbajnë përgjegjësi për këtë pasi që nuk kanë as kontratë të nënshkruar me ndërmarrjen.
“Në cilën mënyrë mund të ekzekutohet një pagesë me paranë publike ndaj dikujt nëse nuk ke kontratë dhe kush është përgjegjës dhe fajtor që s’ka kontratë? Natyrisht që kryeshefi i ndërmarrjes ‘Pastrimi’” – tha Brestovci.
Ndërsa, asamblisti i pavarur, Berat Lahu, gjatë fjalës së tij në Kuvend tha se zgjidhja për këtë është që të propozohen tre kandidatë për komisionin e aksionarëve që detyrën e parë që ta bëjnë është të shkarkojnë menaxhmentin e vetë “Pastrimit”.
“Si ka mundësi me thanë që ajo ndërmarrje meriton subvencionim kur ajo ndërmarrje ka punësu militantë politkë të PDK-së, mbi 300 në tri vitet e fundit dhe ka më shumë staf administrativ sesa operativë në qytet”- tha ndër të tjera Lahu.
Për borxhin e pretenduar prej 2.7 milionë euro, nënkryetari i Prishtinës, Shkëmb Manaj, deklaroi se kjo çështje do të shkojë në gjykatë me propozim-padi të përfaqësuesve të ndërmarrjes “Pastrimi” dhe se pritet që kjo të kryhet me procedurë të ndërmjetësimit.
Manaj tha se Komuna e Prishtinës gjatë pesë muajve të vitit 2025 nuk ka asnjë kontratë të nënshkruar me kompaninë, ndaj edhe nuk mund të paguhet borxhi i pretenduar.
Kjo është seanca e pestë e rregullt e Asamblesë së Prishtinës për këtë vit.
Aktualisht Kuvendi Komunal është në pauzë.
Raportimet e plota për gjendjen me mbeturina në Prishtinë mund t’i lexoni në LINK.