Foto: Screenshot, LDK Facebook
Abdixhiku për partitë e komuniteteve joshumicë: Instrumentalizimi i tyre lë shenjë në marrëdhëniet me partitë shqiptare
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Pas pakënaqësive të shprehura nga disa parti të komuniteteve joshumicë joserbe në Kosovë, në lidhje me propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e një Qeverie të tranzicionit, ka reaguar Lumir Abdixhiku, i pari i LDK-së.
Abdixhiku ka deklaruar se disa parti minoritare po keqpërdoren.
“Instrumentalizimi i tyre në përpjekjen e zgjidhjes politike e parlamentare lë shenjë të rëndë në përfaqësimin e pakicave në Kosovë dhe marrëdhëniet e tyre me partitë shqiptare.” – shkruan Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se nuk është krim të kërkohet bashkim ndërshqiptar dhe unitet politik brenda shqiptarëve.
“Ç’është e vërteta, në 17 vjet shtet, dakordimi mes partive shqiptare ka qenë parakusht i përfshirjes së mëpasshme minoritare; përfshirje e garantuar me Kushtetutë. Me Kushtetutën e hartuar nga LDK.” – ka shkruar Abdixhiku mes të tjerash.
Tutje, ai ka thënë se për herë të parë përfaqësuesit e kominiteteve joshumicë mbajnë anë partiake.
Më pas Abdixhiku ka bashkëngjitur një pjesë të letrës së tij për propozimin e Qeverisë tranzicionale, duke thënë se këtë pjesë qëllimisht po refuzojnë ta lexojnë përfaqësuesit e partive joshumicë, që janë pjesë e Kabinetit qeveritar në detyrë.
“Qeveria Nacionale e Tranzicionit, e formuar nga të gjitha partitë shqiptare dhe në përputhje me Dispozitat kushtetuese, EDHE NGA PËRFAQËSUES TË PARTIVE TË KOMUNITETEVE JOSHUMICË, do të ketë afat të caktuar (deri në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri), qëllime të qarta politike dhe ekzekutive, Program dhe agjendë ekzekutive të dakorduar, si dhe Kryeministër dhe Kabinet përfaqësues e unifikues.” – është pjesa e ndarë nga Abdixhiku.
Para vazhdimit të seancës konstituive, në një Konferencë për media, Elbert Krasniqi, Emilja Rexhepi, Nenad Rashiq, Fikrim Damka dhe disa të tjerë shprehën pakënaqësi për, siç thanë, mosftesën e tyre për takim sipas idesë së LDK-së.
“Jemi për formimin e institucioneve sa më parë dhe sa më shpejtë. Kemi një vërejtje të madhe për deklaratën për media të Lumir Abdixhikut i cili u bën thirrje vetëm partive politike shqiptare dhe i përjashton përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë. Jo se presim ftesë për t’iu përgjigj, por qasja përjashtuese nuk është në frymën multietnike të Kosovës.” – ka deklaruar Elbert Krasniqi.
Në shkresën që i është dërguar Kurtit përmendet “stagnimi 4 vjeçar”. Krasniqi tha se kjo nuk qëndron.
“Nuk kemi pasë ftesë. Ftesa ka qenë vetëm për partitë politike shqiptare. Nëse i kanë numrat, atëherë le ta bëjnë Qeverinë.” – ka shtuar Emilja Rexhepi, Zëvendëskryeministre në detyrë.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, më 06.05.2025, ka propozuar krijimin e një Qeverie tranzicioni, si opsion për dalje nga ngërçi institucional.
Ky propozim ka ardhur në përgjigje të ftesës së liderit të Vetëvendosjes Albin Kurtit për bashkëqeverisje me LDK-në, të dërguar një ditë parë.
Abdixhiku ka deklaruar se LDK e ka vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit.
“Kam marrë një letër nga Kryetari i LVV-së. I nxitur nga konsiderata për votuesit e LVV-së, kam ndjerë nevojën që t’i përsërisë qëndrimet. LDK ka garuar me Program të qartë. LDK ka garuar me qëndrime të qarta për bashkëpunim politik. LDK e ka vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me LVV-në, por vendi është në krizë të thellë institucionale. Zgjidhjen nga kjo bllokadë, LDK e konsideron të domosdoshme. LDK propozon nisjen e një procesi të ri politik dhe kjo zgjidhje kërkon përgjegjshmëri dhe unitet. LDK propozon fillimisht nisjen e procesit për formimin e Qeverisë Nacionale të Tranzicionit.” – është shprehur ai.
Abdixhiku ka propozuar që kjo Qeveri të ketë afat të caktuar deri në zgjedhjen e Presidentit të ri.
Ai ka thënë tutje se është i gatshëm për takime me liderë partiakë lidhur me këtë ide.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti në letrën që ia ka dërguar Kryetarit të LDK-së ka shkruar se është i “interesuar” dhe i “vullnetshëm” për koalicion me LDK-në.
Në këtë letër Kurti shkroi se pavarësisht dallimeve në bindje politike e në politikat qeverisëse, koalicionet “bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet”.
Ftesa e Kurtit për LDK-në ishte bërë në ditën kur Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet në përpjekjen e 11-të.
Lideri i LDK-së Lumir Abdixhiku pas rezultatit të fundit zgjedhor ka paralajmëruar se nuk bëhet pjesë e një Qeverie ku Kryeministri nuk vjen nga LDK, e as të një Qeverie që mund të jetë afatshkurtër – në pamundësi të zgjedhjes së Presidentit të shtetit vitin që vjen.
Por, ashtu siç e ka përmendur vetë Kurti në letrën dërguar Abdixhikut, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës veçse kanë pasur një koalicion qeverisës, por që për aq kohë të shkurtër sa zgjati u përcoll me shumë probleme e mospajtime.
Pas Zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, LVV dhe LDK hynë në koalicion qeverisës, si dy parti që dolën: e para (LVV 26.27%) dhe e dyta (LDK 24.54%), respektivisht.
Negociatat mes këtyre dy partive ishin zvarritur për muaj të tërë. Gati 4 muaj pas ditës së Zgjedhjeve, tek më 03.02 2020 u votua Qeveria Kurti 1.
Në atë kohë pikë diskutimi ka qenë pozita e Presidentit, që e mbante Hashim Thaçi. Vonesat në formimin e koalicionit sollën edhe situatën ku Vetëvendosje zgjodhi si Kryeparlementar Glauk Konjufcën – pozitë të cilën e kërkonte LDK-ja në atë kohë.
Pas gati katër muajsh negociata të shpeshta, koalicioni mes VV-së dhe LDK-së ishte arritur pa u përmendur çështja e zgjedhjes së Presidentit. Konjufca ishte lëvizur në pozitën e Ministrit të Punëve të Jashtme, për t’i lëshuar rrugën Vjosa Osmanit për t’u zgjedhur Kryeparlamentare.
Lumir Abdixhiku, tanimë Kryetar i LDK-së, në atë kohë mbante pozitën e Ministrit të Infrastrukturës në Qeverinë Kurti 1.
Por, koalicioni ishte jetëshkurtër. Më 25.03.2020, 52 ditë pas zgjedhjes, Qeveria Kurti u rrëzua. Kjo pas mocionit të mosbesimit, i thirrur nga partneri i koalicionit – LDK.
Rrëzimi i Qeverisë Kurti u bë me 82 vota “për”, 34 “kundër” dhe 1 “abstenim”, kjo pasi që çarjet filluan në koalicion, pasi që kryeministri Kurti kishte shkarkuar nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme Agim Veliun e LDK-së, më 18.03.2020.
Qeveria e Kosovës në atë kohë kishte shpallur gjendjen emergjente për shkak të pandemisë së koronavisurit. Presidenti i asaj kohe Hashim Thaçi kishte kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme – propozim ky që ishte mbështetur nga Veliu, e u kundërshtua nga Qeveria Kurti.
Veçse para kësaj çështjeje, çarja mes koalicionit kishte filluar me propozimin e Kurtit për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Vendimin Qeveria e Kosovës për vendosjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë, e kishte marrë zyrtarisht më 31.03.2020, pesë ditë pasi ishte shkarkuar nga Kuvendi.
Ky Vendim u kundërshtua nga Ambasada Amerikane. Ky Vendim ishte kundërshtuar edhe nga Richard Grenell, i dërguar i asaj kohe i SHBA-së për Dialogun Kosovë-Serbi.
Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti LDK në bashkëpunim me AAK-në, NISMA-n dhe Listën Serbe, më 03.06.2020, formoi Qeverinë, të cilën e udhëhoqi ish-zëvendësi i Kurtit Avdullah Hoti.
Deputeti Haxhi Shala një ditë para votimit të Qeverisë Hoti kishte deklaruar se nuk do ta votonte këtë Qeveri – qëndrim i cili i ndryshoi atij pak pas mesnatës së 3 qershorit, pas vizitës që Presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj i bënë Shalës në shtëpi.
Muaj më pas, djali i Haxhi Shalës ishte emëruar Konsull në Pragë të Çekisë.
Qeveria Hoti, më 06.06.2020, tri ditë pas zgjedhjes, mori vendim për heqjen e masës së reciprocitetit.
Kjo Qeveri u rrëzua rreth 6 muaj më vonë, më 21.12.2020, me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që anuloi Vendimin për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, për shkak se kjo Qeveri u votua nga deputeti Etem Arifi, i cili ishte i dënuar me Vendim të formës së prerë me një vjet e tre muaj burgim.
Pas rënies së Qeverisë Hoti, më 14.02.2021, u mbajtën Zgjedhjet parlamentare, që i fitoi LVV me 50.28% dhe formoi Qeverinë Kurti 2 në koalicion me deputetët e partive joshumicë joserbe.
Në ato Zgjedhje Vetëvendosje hyri në koalicion parazgjedhor me Alternativën e Mimoza Kusari-Lilës dhe partinë e sapoformuar nga të pakënaqurit e LDK-së, të udhëhequr nga Vjosa Osmani.
Kurti 2 e përfundoi mandatin dhe vendi pati Zgjedhje më 09.02.2025, me ç’rast LVV ka marrë 42.3%, PDK 20.95% dhe LDK 18.27%.
Aktualisht, vendi është në ngërç insitucional për shkak të moskonstituimit të Kuvendit.
Kushtetuta nuk e përcakton ndonjë afat se brenda sa ditësh apo muajsh pas certifikimit të rezultatit të Zgjedhjeve, apo pas betimit të deputetëve duhet të konstituohet Kuvendi. Por, Rregullorja e re e Kuvendit e definon që “ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”. Por, pa konstituimin e Kuvendit nuk ka se si të nisë numërimi i ditëve për zgjedhjen e Qeverisë së re.