Foto: Screenshot, LDK Facebook
Abdixhiku: Grupi më i madh parlamentar të veprojë në përputhje me aktgjykimin e Kushtetueses
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se partia e tij pret që grupi më i madh parlamentar – LVV-ja të veprojë në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin në lidhje me seancën konsituive të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se e njejta nuk është zhvilluar në pajtim me përcaktimet dhe kërkesat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata ka marrë vendim më 26.06.2025, se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e tij.
“Votim i hapur – siç është vepruar gjithnjë – konsensus e kompromis – siç e kërkon demokracia e sjellja normale politike. Ky është thelbi i vendimit të sotëm. Kështu kishim kërkuar gjithnjë”- ka shkruar Abdixhiku në Facebook teksa ka publikuar një komunikatë për media të LDK-së, në të cilën mirëpritet vendimi i Kushtetueses.
Abdixhiku më tej shkruan se duhet votim i hapur, konsensus e kompromis.
“Dhjetra seanca të humbura, për teke të imponimit që u konstatua si jokushtetues sot. Nga nesër, LDK pret që grupi më i madh parlamentar të veprojnë në përputhje me këtë aktgjykim, t’i ndërpresin bllokimet dhe të kontribuojnë në konstituimin sa më të shpejtë dhe të rregullt të Kuvendit të Republikës së Kosovës” – thuhet në publikimin e tij.
Vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese e gjeni në këtë LINK.