Foto: Lumir Abdixhiku/Facebook
Abdixhiku e refuzon dorëheqjen e Xhafer Gashit: LDK-ja nuk i braktis njerëzit e saj
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, më 10.11.2025 ka thënë se e ka refuzuar dorëheqjen morale të Xhafer Gashit pas rezultatit zgjedhor në Obiliq.
Abdixhiku ka thënë se e ka rikonfirmuar Xhafer Gashin në pozitat e tij brenda LDK-së.
Sipas Abdixhikut, LDK-ja nuk i braktis njerëzit e saj në momente të vështira.
“Xhaferi është një prej njerëzve që nuk dorëzohet para vështirësive. Ai është njeri i fjalës, i punës dhe i përkushtimit të heshtur ndaj qytetarëve të tij. Në këto vite, ai i ka dhënë Obiliqit drejtim, dinjitet dhe stabilitet; në një komunë që ka parë shumë sfida. Sot, më shumë se kurrë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka nevojë për njerëz të tillë, me karakter, me vizion dhe me besim në vlera”- ka thënë Abdixhiku.
Ai ka thënë se ky është një mesazh për çdo aktivist, çdo kandidat e çdo qytetar që beson në punë e në dinjitet, duke thënë se LDK nuk matet vetëm me një garë, por me qëndrueshmëri.
“Me besim në njëri-tjetrin. Me përkushtim ndaj Kosovës që duam ta ndërtojmë. LDK qëndron. Dhe bashkë me të, qëndron edhe Xhafer Gashi, në të gjitha sfidat përpara; si simbol i qëndrueshmërisë, i besnikërisë dhe i misionit tonë të përbashkët”- ka thënë ai.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Obiliqit dhe kryetari aktual, Xhafer Gashi, ka njoftuar mbrëmë, më 09.11.2025, se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në parti.
Ai këtë njoftim e bëri duke e pranuar humbjen në këtë komunë përballë kanidatit të LVV-së Halil Thaçi.
“Si kryetar i degës së Lidhjes Demokratike në Obiliq e marr përgjegjësinë për humbjen, jap dorëheqje nga Këshilli i Përgjithshëm, nga Kryesia e Lidhjes Demokratike edhe nga kryetari i nëndegës. LDK-ja s’ka qenë kurrë më e fortë se sa sot, LDK-ja ka mbërri në 6 mijë e 135 vota, do të jem gjithmonë anëtar, mbështetës i LDK-së”- ka thënë Gashi, duke falënderuar të gjithë votuesit e LDK-së në këtë komunë.
https://kallxo.com/lajm/xhafer-gashi-jep-doreheqje-nga-te-gjitha-pozitat-ne-ldk/