40 ditë paraburgim ndaj personit që dyshohet për vrasje të rëndë në Maqedoni të Veriut
Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar masën e paraburgimit prej 40 ditësh të pandehurit F.K., i kërkuar nga Autoritete e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘Vrasja e rëndë’.
Caktimi i masës së paraburgimit ka ndodhur pasi Gjykata Themelore në Ferizaj e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt – Departamenti për Krime të Rënda, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.K..
Sipas njoftimit të Gjykatës së Ferizajt, i pandehuri F.K. dyshohet se veprën penale e kishte kryer në Maqedoni të Veriut.
I dyshuari, më 18.07.2024 është ndaluar dhe arrestuar nga Policia në Kaçanik.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se kundër të pandehurit është lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar nga Interpoli, me kërkesa të datave 25 korrik 2008 të shtetit të Maqedonisë së Veriut, për shkak të veprës penale vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)” – thuhet në njoftimin e Gjykatës në Ferizaj, më 20.07.2024.
Si rrjedhojë, Gjykata e Ferizajt njofton se gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform nenit 22 paragrafi 1 të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtarë në Çështje Penale (Ligji nr. 04/L-213) dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 40 ditësh.
“Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij” – kanë thënë nga Gjykata e Ferizajt.