Warning: Undefined property: WP_Error::$cat_ID in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/header.php on line 24
Dosja e investimeve në Fushë Kosovë - Si nisën hetimet për tenderët e sallave sportive dhe mbushjes së gropave në rrugë?

Warning: Undefined array key "item_classes" in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/template-parts/single/single-article.php on line 5

Salla e Sporteve në Pomozotin - Fushë Kosovë(2025)

Dosja e investimeve në Fushë Kosovë - Si nisën hetimet për tenderët e sallave sportive dhe mbushjes së gropave në rrugë?


Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403

Warning: Undefined array key 12 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403

Warning: Undefined array key 13 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403

Warning: Undefined array key 14 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403

Warning: Undefined array key 15 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403

Rreth 50 lëndë të dyshimta në Komunën e Fushë Kosovës, Auditori i Brendshëm i kësaj komune i ka dërguar në Prokurorinë e Shtetit. Ndër to janë edhe lëndët për ndërtimin dhe renovimin e gjashtë sallave sportive në fshatrat e kësaj komune dhe tenderi për mbushjen e gropave të rrugëve me asfalt dhe rregullimin e pusetave të kanalizimit. 

Hulumtimi i KALLXO.com tregon se të gjithë tenderët, pesë për ndërtimin e gjashtë sallave, dy tenderë për renovimin e tyre dhe tenderi i vitit 2023 për mbushjen e gropave të rrugëve, janë lëndë të dorëzuara në Prokurori. Prokuroria e Shtetit e ka konfirmuar që janë duke u hetuar tre tenderë, tenderi për mbushjen e gropave, ai për ndërtimin e sallës së sporteve në Lismir dhe ndërtimi i sallës së arteve marciale në Fushë Kosovë.

Nga viti 2018 deri në vitin 2020, pesë kontrata për ndërtimin e sallave të sporteve u nënshkruan nga Komuna e Fushë Kosovës me vlerë gati 830 mijë euro. Me këto kontrata parashihej ndërtimi i sallave sportive në Lismir, Pomozotin, Vragoli, Miradi të Epërme, salla e arteve marciale dhe salla e sporteve në shkollën “Selman Riza” në Fushë Kosovë.

Këto gjashtë salla janë ndërtuar e më pas edhe janë renovuar me dy kontrata të vitit 2023 të Komunës së Fushë Kosovës që tejkalojnë shifrën prej 313 mijë eurove, që i bie se së bashku me kontratat për ndërtimin e tyre u investuan mbi 1 milion euro.

Për këto salla, KALLXO.com ka siguruar raportet e Auditorit të Brendshëm të Komunës së Fushë Kosovës, të cilat janë dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit.

“Më 10.02.2023 i kam dorëzuar në Prokurori 11 lëndë të sallave të sporteve. Aty kam cekur që çdo njëra sallë pikon, nuk shfrytëzohet prej qytetarëve dhe prej nxënësve dhe dyshemeja si valë deti, lagështia ka shkuar deri në dritare, rrymë, toalete të demoluara. Renovimi ka filluar në vitin 2023, nuk kam mund më me i vizitu për shkak se auditimi më është ndaluar në periudhën kur unë e kam dorëzuar këtë lëndë. Kryetari i Komunës ma ka ndërprerë punën dhe ma lëshoi një vendim që nuk kam të drejtë me i auditu dhe më ka denuar 20 përqind në pagë” – ka deklaruar Shyqeri Krasniqi, Auditori i Brendshëm i Komunës së Fushë Kosovës për KALLXO.com.

Ai ka treguar për KALLXO.com se pasi i ka dërguar lëndët në Prokurori, atij iu ndalua auditimi në Komunë. 

Në lidhje me tenderët e sallave sportive, KALLXO.com ka dërguar kërkesë për qasje në dokumente në Komunën e Fushë Kosovës, por Komuna e ka refuzuar kërkesën me arsyetimin e njëjta po hetohet nga Prokuroria. Në gusht të vitit 2024, Prokuroria e Prishtinës e ka konfirmuar për KALLXO.com se po hetohen 11 persona, prej tyre 9 zyrtarë për sallat e Lismirit dhe të Arteve Marciale.

“Hetimet në rastin konkret janë duke u zhvilluar, prandaj nuk mund të japim informata të detajuara në këtë fazë, ashtu që dhënia e çfarëdo informate tjetër do ta cenonte procedurën hetimore” – ka deklaruar mes tjerash Prokuroria.

Sa i përket sallave e sporteve në fshatrat e Fushë Kosovës, nga kjo komunë kanë thënë se gjendja e tyre është e mirë. Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ali Topalli, ka thënë se ka mbetur që ato të pajisen me pajisje sportive dhe të lëshohen në përdorim, çështje kjo e cila është zvarritur për shkak të procedurave të prokurimit.

“Përfundimi i punimeve në këto salla ka qenë viti i kaluar. Kemi pasë një shqetësim në Miradi të Epërme, e kam parë sallën dhe kam pa që ka nevojë për nja dy ndërhyrje të vogla. Me përgjegjësi të plotë e them se sallat, punimet në salla kanë shkuar sipas kontratës. Lagështia mund të jetë sepse brenda mund të krijohet kondenzim i ajrit për shkak se nuk janë të shfrytëzuara, për shkak se nuk ka edhe ajrosje. Për të gjitha ka përfunduar pranimi teknik” – ka deklaruar Topalli.

Investimet me probleme në sallat sportive në Pomozotin e Lismir 

Në vitin 2020 u nënshkrua kontrata për ndërtimin e sallës së sporteve në fshatin Pomozotin, e cila tejkalonte shifrën prej 149 mijë eurove. Raporti i Auditorit të Brendshëm tregon që salla në Pomozotin kishte ngrohje jofunksoonale, pikim të ujit në sallë, lagështi në mure, dysheme plastikë e si valë deti, muret e tualeteve dhe zhveshtoreve ishin të çara dhe pllakat të vendosura jo mirë, mbi të gjitha salla nuk shfrytëzohej nga nxënësit.

Kjo sallë përfundoi renovimin në pjesën e dytë të vitit 2024. Kur ekipi i KALLXO.com e ka vizituar këtë sallë në mars të vitit 2025, ka gjetur se edhe pas renovimit, salla nuk po shfrytëzohej nga nxënësit, e njëjta kishte lagështi në mure, nuk kishte ujë e ngrohje dhe as pajisje sportive.

Salla e Sporteve në Pomozotin – Fushë Kosovë

Ngjashëm si salla në Pomozotin, edhe ajo në fshatin Lismir u ndërtua e renovua, për të filluar të përdoret tek në shtator të vitit 2024. Kontrata për këtë sallë u nënshkrua në vitin 2019 dhe kishte vlerë mbi 177 mijë euro. Më pas, në vitin 2023 u nënshkrua kontrata tjetër për renovimin e saj.

Auditori i Brendshëm në një raport të vitit 2023 ka thënë se salla nuk shfrytëzohej nga nxënësit, ngrohja nuk ishte funksionale, nga kulmi pikonte uji, lagështia në mure kishte shkuar 1-2 metra, dyshemeja ishte e vendosur laminat si valë në vend të dyshemesë notuese për sport, muret e toaleteve e zhveshtoreve ishin të çara dhe se nuk është aplikuar masa e sigurimit të kontratës.

Edhe pse kjo sallë ka filluar të përdoret nga nxënësit, KALLXO.com ka gjetur se ajo kishte akoma lagështi në mure, nuk kishte ujë, kishte defekt me ngrohtoren, kishte çarje në pllakat e toaleteve si dhe shtyllat në muret e sallës ishin të thepisura dhe rrezikojnë nxënësit në sallë.

Drejtori i shkollës “Lismiri” në fshatin Lismir, Uran Tërnava, për KALLXO.com ka thënë se salla ka nisur të shfrytëzohet pas pranimit teknik të saj në shtatorin e vitit 2024 dhe ka treguar cilat janë mungesat.

“Nuk posedon pajisjet sportive, golat e të tjerat por si objekt është i përfunduar. Nuk kemi hyrje të shiut brenda në objekt. Para renovimit, salla nuk ka qenë e shfrytëzueshme” – ka deklaruar Tërnava.

Salla e Sporteve në fshatin Lismir – Fushë Kosovë

Këto dy salla, në Pomozotin dhe Lismir, janë ndërtuar nga kompania “Seti Commerce”. Ata për KALLXO.com kanë thënë se kanë kërkuar nga Komuna e Fushë Kosovës që sallat sportive të ngriten për nga 20 centimetra më lartë për shkak se janë nën nivelin e rrugës. Por sipas tyre, kjo kërkesë u refuzua nga Komuna e Fushë Kosovës.

“Është kry sipas projektit, është kry sipas lartësisë, vërejtjet i kemi dhënë në fillim për shkak të lartësisë që duhet me u çu edhe 20 centimetra më lartë. Ata kanë thënë ‘realizone projektin edhe në rregull jemi’. Janë marrë procedurat, janë marrë edhe Prokuroria me të, pesë-gjashtë herë jam kanë, i kam dhënë edhe raportet në Prokurori” – ka deklaruar Nisret Bajraktari nga kompania “Seti Commerce”.

Tri salla të ndërtuara, asnjëra funksionale

Mbi 365 mijë euro ka qenë vlera e kontratës së nënshkruar në vitin 2018 për ndërtimin e sallave sportive në fshatrat Miradi e Epërme, Vragoli dhe tek shkolla “Selman Riza”.

Në vitin 2023, Auditori i Brendshëm ka gjetur se në sallën sportive në Miradi të Epërme, ngrohja ishte jofunksionale, pikonte uji nga kulmi, dyshemeja ishte e vendosur laminat si valë deti. Instalimi elektrik ishte i demoluar dhe se salla nuk shfrytëzohej nga nxënësit.

Salla e Sporteve në Miradi të Epërme – Fushë Kosovë

Në po të njëjtin vit, Komuna e Fushë Kosovës nënshkroi kontratë për renovimin e kësaj salle në Miradi të Epërme, bashkë me atë të Vragolisë dhe të shkollës “Selman Riza”. Edhe pse salla u renovua, në mars të vitit 2025, KALLXO.com ka gjetur se salla nuk shfrytëzohej akoma. Përveç që nuk u shfrytëzua kjo sallë, ajo ka mungesë të ujit, të pajisjeve sportive e shenja që pikon uji.

Gjendje më të mirë nuk ka as salla e sporteve në Vragoli, sallë e cila ka filluar të ndërtohet po ashtu në vitin 2018, pjesë e së njejtës kontratë me sallën në Miradi të Epërme dhe me sallën e shkollës “Selman Riza”.

Më 07.10.2021, kryetari i Fushë Kosovës, Burim Berisha, ka luajtur futboll në këtë sallë në Vragoli, megjithatë salla nga nxënësit nuk shfrytëzohet as në vitin 2025. Pas ndërtimit të saj, në raportin e vitit 2023 të Auditorit të Brendshëm thuhet se kaldaja në këtë sallë nuk ishte e lidhur, pikonte uji nga kulmi dhe se salla nuk shfrytëzohej nga nxënësit.

Kryetari i Fushë Kosovës duke luajtur futboll në sallën e sporteve në Vragoli – Foto: Burim Berisha FB – 2021

Salla e Vragolisë, e cila është ndërtuar në vitin 2018, së bashku me sallën e shkollës “Selman Riza” dhe sallën e Arteve Marciale, kanë filluar të renovohen në vitin 2023, me një kontratë mbi 157 mijë euro.

Kur këtë sallë e vizitoi ekipi i KALLXO.com në qershor të vitit 2024, ka gjetur një xham të dritares që kishte rënë brenda sallës. Xhami edhe në mars të vitit 2025 nuk ishte rregulluar por ishte zëvendësuar me material të drurit. Kjo sallë, kur KALLXO.com e vizitoi në mars të vitit 2025 nuk shfrytëzohej nga nxënësit e laminati i vendosur në sallë kishte filluar të dëmtohej.

Sallën e sporteve të shkollës “Selman Riza”, KALLXO.com nuk e gjeti asnjëherë të hapur gjatë vizitave në periudhën qershor 2024 – mars 2025. Kjo për shkak se çelësi i saj nuk ishte pranuar asnjëherë nga shkolla sipas drejtorit të saj.

Kjo sallë kishte filluar të renovohej por asnjëherë nuk u funksionalizua.

Në vitin 2023, Auditori i Brendshëm në raportin e tij shkruante se salla e shkollës “Selman Riza” ka ngrohje jofunksionale, nuk shfrytëzohet nga nxënësit, pikon uji në sallë, një pjesë e dyshemesë nuk ishte e vendosur, dhe se instalimi elektrik ishte demoluar. Në raportin e tij thuhet se për ndërtimin e kësaj salle, asaj të Miradisë së Epërme dhe Vragolisë u paguan mbi 341 mijë euro nga mbi 365 mijë sa ishin me kontratë, për shkak se kontrata u ndërpre.

Salla e Sporteve tek shkolla ‘Sleman Riza’ – Fushë Kosovë

Sallë e arteve marciale me laminat e jo me gomë 

Për sallën e arteve marciale u nënshkruan dy kontrata, fillimisht në vitin 2018 një kontratë me vlerë mbi 127 mijë euro, më pas në vitin 2020 një tjetër në vlerë 7 mijë e 990 euro. Pavarësisht këtyre dy kontratave, në vitin 2023, Auditori i Brendshëm gjeti se salla nuk shfrytëzohej, pikonte kulmi dhe se dyshemeja ishte laminat në vend se të ishte nga goma. 

Edhe kjo sallë u renovua me tenderin e nënshkruar në vitin 2023 nga Komuna e Fushë Kosovës. Kur KALLXO.com e vizitoi këtë sallë në mars të vitit 2025, gjeti se dyshemeja ishte laminat dhe e mbuluar me dyshekë gome.

Salla e Arteve Marciale – Fushë Kosovë

Çka thonë kompanitë që i ndërtuan dhe renovuan sallat?

Salla e Arteve Marciale, ajo e Miradisë së Epërme, e Vragolisë dhe e shkollës “Selman Riza”, janë ndërtuar nga kompania “Otland Group”. Nga kjo kompani për KALLXO.com kanë thënë se pranimi teknik është bërë dhe se punët janë kryer sipas projektit.

“Këto normal janë nda në dy/tri faza, ne fazën e parë e kemi përfundu, në fazat tjera s’di çka ka. Ka shku sipas projektit, qysh është në projekt, gjithçka në rregull. Është bërë pranimi teknik” – ka deklaruar për KALLXO.com Afrim Kolgeci nga “Oltand Grup”. 

Ai po ashtu e ka konfirmuar se Komuna e Fushë Kosovës nuk i ka thirrur asnjëherë për telashet në këto salla.

Nga kompania “Vetoni” që kishte fituar tenderin për renovimin e sallave në Miradi të Epërme, Lismir dhe Pomozotin, kanë thënë se puna kryesore ka qenë dyshemeja.

“Renovimi i dyshemesë ka qenë, renovimi jo por rregullimi i të resë, sepse ajo ka qenë e dëmtuar shumë. Ka qenë edhe nxemja qendrore, këto, kryesisht këto. Për Zotin unë nuk e kam ndonjë ankesë prej Komunës, aty në fillim janë kanë do pika, ne i kemi sanuar edhe ato dhe më nuk di që ka pasë aty diçka” – ka deklaruar Arton Thaqi nga kompania “Vetoni”.

Thaqi ka shtuar se vonesa në kryerjen e punëve iu kanë shkaktuar ardhja e gomës për dysheme nga Franca.

Ndërsa nga kompania “Engroup”, që kishte fituar tenderin për renovimin e sallës së arteve marciale, sallës së shkollës “Selman Riza” dhe asaj të Vragolisë, kanë thënë për KALLXO.com se aty kanë pasur shumë pak punë.

“Punët aty janë kanë të kryera, ne shumë pak kemi punu aty. Shumica janë kanë të kryera. Janë kanë të papërfunduara realisht” – ka deklaruar Nuhi Nuhiu nga kompania “Engroup”.

Tenderi për mbushjen e gropave të rrugëve dërgohet në Prokurori

Përveç shkeljeve në tenderët për ndërtimin dhe renovimin e sallave sportive në Fushë Kosovë, në Prokurori ka përfunduar edhe kontrata e nënshkruar në shtator të vitit 2023 për mbushjen e gropave të rrugëve me asfalt dhe rregullimin e pusetave të kanalizimit.

Gati një vit më vonë, në gusht të vitit 2024, Komuna e Fushë Kosovës u detyrua që të ndërpres kontratën, me arsyetimin se tenderuesi ka dështuar që t’i kryej punët me kohë.

Para ndërprerjes së kësaj kontrate, e cila ka pasur vlerë prej 39 mijë eurove, Auditori i Brendshëm në këtë komunë ka gjetur një faturë në vlerë prej 10 mijë e 40 eurove. Sipas Auditorit të Brendshëm, në rrugët “Tahir Zemaj”, “Fazli Grejqevci”, “Nëna Terezë” dhe “Naser Sekiraqa” është thënë se janë mbushur gropat por që punë janë kryer vetëm 17 apo 18%. Raport tjetër, auditori ka bërë edhe për rrugën “Pajazit Islami” në të cilën gropat nuk u mbushën me asfalt.

Auditori i Brendshëm i Komunës së Fushë Kosovës, Shyqeri Krasniqi, për KALLXO.com ka thënë se lënda është dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit me detaje. 

“Kontrata është në vlerë prej 39 mijë euro, i kam bërë fotot në terren dhe 5 herë kam dorëzuar dokumente në Prokurori. Lënda e parë ka qenë për ndalimin e pagesës sepse punët nuk janë kryer. Prokurori dhe hetuesit kanë mundur të dorëzojnë kallëzim penal por edhe pse i kam dërgu mbi 50 lëndë në Prokurori, po hetohet vetëm një prej tyre” – ka thënë Krasniqi për KALLXO.com.

Në njërin nga dokumentet që Auditori e ka dorëzuar në Prokurori, thuhet se mungon raporti i punëve të kryera nga kompania “Shkoza F07”, se fatura nuk përmban njësitë matëse sipas kontratës si dhe raporti i menaxherit të kontratës nuk përmban elemente të kontratës.

Për këtë tender, për të cilin auditori gjeti se ka pasur shkelje, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për KALLXO.com se po kryen hetime.

Mbushja e gropave në rrugë – Fushë Kosovë(2024), Foto: KALLXO.com

KALLXO.com ka kërkuar qasje në dokumente zyrtare për këtë tender në Komunën e Fushë Kosovës, mirëpo të njëjtit kanë refuzuar qasjen me arsyetimin se ky tender po hetohet nga Prokuroria.

Problematikat e këtij tenderi i ka pranuar edhe drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Fushë Kosovës, Ardit Sekiraça.

“Për pagesat e kaluara ka qenë drejtor dikush tjetër, e këto informatat se sa janë punu e qysh janë punu, mundeni me i gjetë veç në prokurim në Komunë të Fushë Kosovës. Përndryshe mundem me ju garantu edhe mundem me dhonë deklaratë që prej momentit që unë e kam marrë pozitën nuk është bërë asnjë punë, por nuk është bërë edhe asnjë pagesë. Është ndërru edhe menaxheri kur e kam marrë unë detyrën, e menaxheri i ri e ka bërë shkëputjen e kontratës, sepse ai nuk ka qenë i gatshëm me vazhdu me punu” – ka deklaruar Sekiraça për KALLXO.com.

KALLXO.com ka telefonuar edhe kompaninë punëkryese, “Shkoza F007”, me të cilën Komuna e Fushë Kosovës e ka ndërprerë kontratën. Nga kjo kompani kanë mohuar se ka pasur diçka që nuk ka shkuar mirë. Ata shkurtimisht për KALLXO.com kanë thënë se gjithëçka është në rregull.

“Asgjë s’ka ndodh aty, çdo send është në rregull” – ka thënë personi që është përgjigjur në numrin e telefonit të kësaj kompanie.


Warning: Array to string conversion in /home/kallxo/public_html/wp-includes/class-wp-query.php on line 1292

Warning: Undefined array key "hide_thumbnail" in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/template-parts/post/post-default-item.php on line 37

Betohen kryetarët e rinj të komunave në veri


Warning: Undefined array key "hide_thumbnail" in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/template-parts/post/post-default-item.php on line 37

“Lumi” që po ikte nga INTERPOL-i bie në pranga në Prishtinë


Warning: Undefined array key "hide_thumbnail" in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/template-parts/post/post-default-item.php on line 37

Fundi i mandatit, Izmir Zeqiri e Ilir Peci rrëfejnë sfidat e udhëheqjes së komunave në veri të Kosovës


Warning: Undefined array key "hide_thumbnail" in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/template-parts/post/post-default-item.php on line 37

I suspenduar nga shkolla për tre muaj, nxënësi në Ferizaj nuk po ndjek mësim alternativ


Warning: Undefined array key "hide_thumbnail" in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/template-parts/post/post-default-item.php on line 37

Gazetari i KALLXO.com fiton vendin e parë për Raportimin më të Mirë në Ekonomi për vitin 2025


Warning: Array to string conversion in /home/kallxo/public_html/wp-includes/class-wp-query.php on line 1292

Warning: Undefined array key "hide_thumbnail" in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/template-parts/post/post-default-item.php on line 37

Përleshen mes vete, Polica arreston tre persona në Fushë Kosovë


Warning: Undefined array key "hide_thumbnail" in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/template-parts/post/post-default-item.php on line 37

Shmangie nga tatimi, Policia sekuestron mbi 138 mijë euro në Qagllavicë


Warning: Undefined array key "hide_thumbnail" in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/template-parts/post/post-default-item.php on line 37

Shpërndau materiale me përmbajtje të keqpërdorimit seksual të fëmijëve, arrestohet i dyshuari në Gjakovë


Warning: Undefined array key "hide_thumbnail" in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/template-parts/post/post-default-item.php on line 37

Votimi i pakos së pensioneve teston autoritetin e Merzit