Lutfi Haziri jep versionin e tij pse LDK humbi në Fushë-Kosovë e Obiliq, e nuk arriti ta mposhtë LVV-në në Gjilan
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka dhënë analizën e tij se pse LDK-ja humbi në Obiliq e Fushë-Kosovë në zgjedhjet lokale, por edhe pse Arbër Ismajli nuk arriti të fitojë në Gjilan.
Sipas tij, në Obiliq e Fushë-Kosovë “de facto ka fituar KEK-u”.
“Në formë, Vetëvendosja ka fituar Fushë-Kosovën dhe Obiliqin. Por, de facto KEK-u i ka fituar e jo partia. Njerëzve u është ofru zgjidhje praktike e problemeve që kurrkush nuk e ka bërë më herët, jo në këto përmasa”- ka thënë ai.
Për Gjilanin, sipas tij, nuk ka humbur Arbër Ismajli dhe LDK-ja por ka fituar sektori i sigurisë që, sipas tij, inxhinieringu është bërë nga sektori i sigurisë.
“Ka qenë garë e vështirë për Arbër Ismajlin dhe kandidati më konsensual, i vetëm, i gatshëm dhe përgatitur me hy dhe me fitu. Pritjet kanë qenë shumë më të mëdha, gara ka qenë e pabarabartë”- ka thënë Haziri.
“Arbëri nuk ka garu me Alban Hysenin në Gjilan, Arbëri ka garu me Alban Hysenin, me Albin Kurtin dhe me një numër të madh të ministrave, në veçanti me këta të sektorit të sigurisë që kanë qenë vazhdimisht në Gjilan, sektorit të financave dhe ekonomisë që po ashtu me një kategori tjetër kanë kriju një ambient të presionit dhe fushatës së pabarabartë”- shtoi ai.
Haziri ka thënë se çdo i dyti qytetar thot se nuk është punuar por që sipas tij në Gjilan njerëzit japin mundësi por nuk falin.
Në balotazhin e zgjedhjeve lokale, në Obiliq Xhafer Gashi i LDK-së humbi përballë Halil Thaçit të LVV-së, në Fushë-Kosovë Besnik Osmani i LDK-së humbi përballë Valon Prebrezës së LVV-së, kurse në Gjilan u rikonfirmua kryetari aktual Alban Hyseni i LVV-së që mposhti në garë Arbër Ismajlin e LDK-së.
LDK ka fituar 7 komuna në zgjedhjet lokale, Prishtinën, Dragashin, Pejën, Istogun, Lipjanin, Vitinë dhe Junikun.