Ilustrimi. KALLXO.com.
Dialogu i lënë pas dore
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 12 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 13 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 14 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 15 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 16 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Dialogu i nivelit të lartë Kosovë–Serbi ka mbetur jashtë agjendave për më shumë se dy vjet. Krizat e brendshme politike në të dyja shtetet kanë ndikuar që ky proces të lihet mënjanë.
Edhe pse Bashkimi Europian emëroi këtë vit Peter Sørensenin si emisar të ri për Dialogun Kosovë–Serbi, në horizont nuk janë vërejtur ndryshime që do të sillnin gjallërim të procesit, i cili prej kohësh përshkruhet se është në “vdekje klinike”. Sorensen ende nuk ka arritur të ndërmjetësojë ndonjë takim të nivelit të lartë në Bruksel mes dy udhëheqësve të të dyja shteteve.
Takimi i fundit mes kryeministrit të Kosovës- tashmë në detyrë, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u mbajt më 14 shtator 2023 në Bruksel, por përfundoi pa ndonjë përparim të prekshëm. Ndërkaq, gjatë këtij viti janë zhvilluar vetëm disa takime dypalëshe në nivelin e kryenegociatorëve: Besnik Bislimi, Petar Petkoviq dhe emisarit Sorensen.
Profesori në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, Daniel Serwer, vlerëson se një zgjidhje e qëndrueshme për Dialogun kërkon “vullnet politik i cili mungon sot në Serbi”, e që sipas tij, kjo e ka ngadalësuar në mënyrë të justifikuar integrimin e Beogradit në BE.
Ai ka bindjen se këtë proces më shumë po e dëmton Serbia sesa Kosova, duke thënë se kjo e fundit nuk ka nxitur incidente të dhunshme në Serbi, por është e kundërta.
“Në Kosovë, procesi është ngadalësuar gjithashtu, por shumë më pak është justifikuar. Kosova duhet të bëjë më shumë për të integruar serbët, veçanërisht në veri, por nuk ka shkelur integritetin territorial të Serbisë dhe as nuk ka nxitur incidente të dhunshme atje”- tha ai për KALLXO.com.
E njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Artan Muhaxhiri vlerëson se Dialogu ka stagnuar për shumë arsye, mirëpo kryesorja është mungesa e plotë e dëshirës dhe vullnetit të liderëve, sipas tij, populistë në Kosovë dhe Serbi që të avancohet ky projekt.
“Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit kalkulimet politike u kanë rezultuar njëjtësisht se mbajtja peng dhe zvarritja e pacaktë e kësaj teme është absolutisht më e dobishme elektoralisht sesa arritja e një zgjidhjeje përfundimtare, që pastaj do ta kthente fokusin drejt përgjegjësive të tyre karshi çështjeve të jetës reale”- tha Muhaxhiri për KALLXO.com.
Megjithatë, sipas tij, një gjë është kristal e qartë: pa progres në Dialog “kurrqysh hiç nuk mund të ketë normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që është kushti themelor gjeopolitik për ecjen e Kosovës drejt integrimeve europiane.”
Muhaxhiri thekson se BE-ja në asnjë mënyrë nuk lejon ta importojë “situatën tonë konfliktuale” përbrenda strukturës së saj.
“Prandaj, Dialogu dhe rruga europiane janë të lidhura në mënyrë të pashkëputshme”- thekson ai.
Shefja e diplomacisë e Bashkimit Europian, Kaja Kallas pak para vizitës në Prishtinë dhe në Beograd në maj, përsëriti se “tani është koha për riangazhim” nga Kosova dhe Serbia në Dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kallasi tha se Dialogu është domosdoshmëri që ato të ecin drejt integrimit europian.
Sa po punon BE-ja në këtë proces?
Profesori Serwer deklaron hapur se do të donte të shihte edhe më shumë presion ndaj Serbisë- që ta ndalë shfrytëzimin e situatës në veri për qëllime të mbrapshta- por nuk mendon se kjo do të bëjë ndonjë ndryshim të madh.
“Aleksandar Vuçiq ka zgjedhur të mos jetë presidenti serb që do të normalizojë vërtet marrëdhëniet me Kosovën e pavarur, e aq më pak ta njohë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Për këtë do të nevojitet një president tjetër në Beograd”- thekson ai.
Kurse, për Kosovën ai vlerëson se BE-ja duhet të bëj presion që të përqendrohet në integrimin e serbëve dhe trajtimin e tyre të barabartë.
“Nuk njoh shumë kosovarë shqiptarë që nuk e kuptojnë sa e rëndësishme është kjo, por ta bësh në praktikë është shumë më e vështirë sesa ta thuash”- tha ai.
Se a është angazhuar aq sa duhet BE-ja në këtë proces viteve të fundit, Artan Muhaxhiri thotë se Bashkimi Europian ka një stil specifik të të vepruarit – skajshmërisht të komplikuar, të ngadalshëm dhe të brishtë.
Sipas tij, në raport me ngjarjet në Ballkan, BE-ja vazhdimisht është ndikuar nga dinamika e stimujve amerikanë, të cilët e kanë ndërtuar kornizën, formatin dhe tempin e zhvillimeve që prej viteve të 1990-ta.
“Ndonëse në prapaskenë mund të ketë dromca përparimesh, shtytjet madhore përpara në Dialog mbështeten në arritjen dhe – ç’është më e rëndësishmja, respektimin – e marrëveshjeve të mëdha strategjike. Pasi që prej 18 marsit 2023 dhe Marrëveshjes së Ohrit, nuk ka pasur një tjetër të tillë, ky është treguesi më i mirë i gjendjes ekzistuese”- tha ai.
Muhaxhiri konsideron se për shkak të ndikimeve të tyre shumëdimensionale, luftërat në Gaza dhe në Ukrainë i kanë përvetësuar interesimet e strukturave të pushtetshme vendimmarrëse, duke u shndërruar në temat qendrore globale.
Sipas tij, ky peizazh e ka zhvendosur vëmendjen e tyre institucionale, rrjedhimisht edhe dedikimin e resurseve politike për Ballkanin, gjë që në kombinim me indiferencën e qeveritarëve kosovarë dhe serbë, ka krijuar kushte të favorshme për vendnumërim.
“Nëse luftërat në Gaza dhe në Ukrainë do të përfundojnë gjatë mandatit të presidentit Donald Trump, është e pritshme që administrata e tij në mënyrë të furishme t’i përvishet punës për arritjen edhe të një suksesi historik të radhës – marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë”- përfundoi ai.
Duke komentuar nëse ndryshimet gjeopolitike në botë kanë zhvendosur vëmendjen nga Kosova dhe Serbia, Serwer thekson se aktualisht të dyja vendet janë shumë poshtë në listën e prioriteteve si për SHBA-në ashtu edhe për BE-në.
“Nëse do të bëhet ndonjë përparim, do të duhen njerëz në Beograd dhe në Prishtinë që e dëshirojnë atë”- tha ai.
Sorensen, në gusht gjatë vizitës në Kosovë, ka thënë situata politike në Kosovë mund të “vonojë gjërat”, duke nënkuptuar zhvillimet në dialog.
Ai këtë deklaratë e dha para gazetarëve, pas takimeve të ndara që ka zhvilluar me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, më 06.08.2025.
Kur u pyet nga gazetarët se cila është gjendja e dialogut aktualisht, Sorensen u përgjigj shkurt “gjallë dhe në formë”.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në BE në lidhje me situatën me Dialogun dhe a pritet të mbahet ndonjë takim në Bruksel së shpejti, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk janë përgjigjur.
Në anën tjetër, zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, në muajin tetor 2025, ka zhvilluar një takim pune në Prishtinë me Sorensenin, nga i cili ka kërkuar që të trajtohet me urgjencë çështja e personave të pagjetur dhe një sërë kërkesash tjera.
Zyra e Kryeministrit kishte bërë të ditur se gjatë takimit u diskutua rreth rrugës përpara drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjes bazë (të nënshkruar në Bruksel) dhe aneksit të zbatimit të saj, për të cilin dy vendet kishin rënë në ujdi në Ohër.
Bislimi theksoi se duhet të trajtohet me urgjencë dhe vëmendjen e merituar çështja e personave të zhdukur me dhunë, në mënyrë që të fillohet edhe me punën e Komisionit të Përbashkët, gjersa ekziston marrëveshje e dakorduar nga dhjetori i vitit të kaluar.
Më 11 shtator 2025 u mbajt takimi i fundit në nivelin e kryenegociatorëve në Bruksel në kuadër të Dialogut.
“Preokupimet e brendshme politike”
Kosova në vitin e fundit është në krizë politike në mungesë të një kompromisi për formimin e institucioneve të reja. Ndërkaq, në Serbi që prej vitit të kaluar janë zhvilluar protesta masive kundër pushtetit atje.
Komisioni Europian në Raportin e Progresit 2025, theksoi se preokupimet politike të brendshme nga të dyja palët kanë penguar hapat vendimtarë drejt zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2023 mbi Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të zbatimit të saj- dhe në këtë mënyrë edhe përparimin në normalizimin e marrëdhënieve të tyre.
Mirëpo, në anën tjetër, potencoi se Dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ka vazhduar me takime të rregullta të Dialogut në nivelin e negociatorëve.
Aty thuhet që pritet që të dyja palët, Kosova dhe Serbia, të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja mbi Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i saj i Zbatimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të Dialogut, në përputhje me riaftësimin zyrtar të bërë përkatësisht në shtator dhe tetor 2024.
Nga Kosova u potencua se pritet krijimi i Asociacionit/Komunitetit të Komunave me Shumicë Serbe (A/CSM), kurse nga Serbia të fillojë të përmbushë detyrimet e saj nga Marrëveshja paralelisht, duke nisur njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës.
“Marrëveshja është e vlefshme dhe ligjërisht e detyrueshme për palët, dhe çdo formalitet, përfshirë miratimin apo ‘formalizimin’ e saj, nuk duhet të pengojë përparimin në zbatimin e saj. Konstruktiviteti i palëve do të vlerësohet vetëm mbi bazën e performancës së tyre në zbatim”- shkruan në raport.
Mirëpo, aty poashtu theksohet se normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i angazhimeve të Dialogut mbeten kushte thelbësore për rrugën europiane të të dyja palëve- dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit.
Për të dy vendet u tha se kanë kryer herë pas here veprime në kundërshtim me detyrimet nga Dialogu.
Për Kosovën u tha se ka kryer veprime përfshirë operacione policore kundër strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia në veri.
“Kosova gjithashtu arrestoi dhe deportoi menjëherë qytetarë të Kosovës që punonin për strukturat e sigurisë serbe dhe ndërtoi dy ura të reja në Mitrovicë afër urës kryesore. Këto veprime nuk janë në përputhje me frymën e normalizimit”- shkruan në raport.
Kurse për Serbinë, Komisioni Europian tha se gjithashtu ka kryer herë pas here veprime në kundërshtim me detyrimet e saj nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit duke lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Procesi i normalizimit vazhdon të ndikojë nga mungesa e veprimeve të mjaftueshme nga Serbia për të siguruar llogaridhënie për sulmin e dhunshëm nga sulmues të armatosur serbë të Kosovës kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator 2023 në Banjska/Banjskë, i cili përbënte përshkallëzimin më të rëndë në vitet e fundit”- shkruan në raport.
Poashtu u potencua se të dyja palët duhet të respektojnë Rregullimet për Vizitat Zyrtare me mirëbesim dhe pa kushte paraprake. Gjatë periudhës së raportimit pothuajse nuk u zhvilluan vizita.
“Të dyja, Kosova dhe Serbia, duhet të lejojnë vizitat e Negociatorëve të tyre Kryesorë, zyrtarëve të tjerë qeveritarë dhe autoriteteve fetare kur janë njoftuar dhe zhvillohen në përputhje me Rregullimet, gjë që nuk ka ndodhur gjithmonë. Vizitorët zyrtarë pritet të shmangin deklarata ose sjellje ndarëse”- shkruan aty.
Kurse, përparim i kufizuar u evidentua se është bërë në zbatimin e Deklaratës Politike mbi Personat e Zhdukur, miratuar në maj 2023, me marrëveshjen e 17 dhjetorit 2024 mbi Termat e Referencës për Komisionin e Përbashkët që do të krijohet sipas Deklaratës.
Palët u inkurajuan të shmangin politizimin e kësaj çështjeje humanitare dhe të fillojnë menjëherë zbatimin e Deklaratës duke mbajtur një mbledhje të parë të Komisionit të Përbashkët.
“Në përgjithësi, Kosova dhe Serbia kanë marrë pjesë në Dialog, por duhet të tregojnë angazhim më serioz dhe konstruktiv për të avancuar procesin e normalizimit. Për të ecur përpara, Kosova dhe Serbia gjithashtu duhet të bëjnë përpjekje të mëtejshme të konsiderueshme për të shmangur veprime që minojnë stabilitetin dhe retorikë që nuk nxit dialogun dhe pajtimin”- përfundoi Raporti i Progresit.
Rrugët e kundërta
Në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Dialogu me Serbinë udhëhiqet vetëm nga Qeveria që vazhdon të udhëhiqet nga Kurti. Ndërkaq, në këtë proces, palën e Serbisë e drejton Presidenti i saj, në këtë rast Vuçiqi.
Kryeministri në detyrë, Kurti mban qëndrimin se tri kushtet që i vendosi në takimin e fundit të Dialogut në Bruksel, janë ato që garantojnë procesin e normalizimit me Serbinë.
Për të, pa dorëzimin e Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij, që kreu sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, tek autoritetet e Kosovës nuk mund të ketë mirëbesim në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian. Dy kushtet tjera të Kurtit, që ai i quan paqësore janë nënshkrimi i Marrëveshjes dhe tërheqja e letrës së ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq.
Kurse, Vuçiq ka kushtin që formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga pala kosovare është “një parakusht për përparim të mëtejmë në dialog”.
Në mars të vitit 2025, u shënuan dy vite që kur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri kosovar dhe presidenti serb, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.
Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.
Marrëveshja me 11 nene, ndër tjera parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Megjithatë kjo marrëveshje ende ka mbetur e pazbatuar.
Kosova dhe Serbia janë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011.
Ky proces fillimisht kishte nisur për çështje teknike, për të kaluar më pas në nivel politik.