Foto: KALLXO.com
Rasti "Banjska", dëshmitari jep detaje për sulmin terrorist nga i cili u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku
Dushan Maksimoviq, Vlladimir Toliq dhe Bllagoje Spasojeviq sot, më 11.06.2025, janë ulur në bankën e të akuzuarve lidhur me rastin e sulmit terrorist në Banjskë.
Më 24.09.2023 kishte ndodhur sulmi terrorist në fshatin Banjskë, ku kishte mbetur i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Në këtë rast të akuzuar janë 45 persona, por vetëm 3 prej tyre janë të paraburgosur: Dushan Maksimoviq, Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq.
Dëshmitari Mirsad Kryeziu ka dhënë dëshminë e tij.
Pasi që tregoi për momentet kur po përballeshin me grupin terrorist në Banjskë të Zveçanit në shtator 2023, ai para Gjykatës tregoi se si nga ai sulm u vra kolegu i tij, rreshteri policor Afrim Bunjaku.
“Kam vërejtur se nga ai detonim se njëri nga pjesëtarët tanë që në fakt ishte Afrim Bunjaku ishte i shtrirë përtokë dhe ishte i mbuluar pothuajse me gjak sepse detonimet që kishin bërë nga grupi tashmë terrorist mund ta quajmë ai ishte plagosur në fyt” – tha Kryeziu.
Ai tregoi se kishte qenë e pamundur t’i ndihmojë Afrim Bunjakut pasi që në drejtimin e tyre kishte pasur gjuajtje.
Kryeziu tha se e kishte tërhequr Afrim Bunjakun pak dhe kishte filluar të shtinte në drejtim të pozicioneve ku kishin qenë sulmuesit.
“Gjatë gjuajtjes time me armë filluan edhe kolegët e tjerë të shtinin në drejtim të pozicioneve të tyre. Pasi që ishte aty njëri nga policët tanë që e kisha vendosur në veturë dhe kërkova nga ai që ta sillte veturën që ta tërheqnim rreshterin. Në ato momente ai më tregoi se edhe njëri nga policët tanë ishte plagosur nga ai detonim. Për një moment unë kam tentuar të futem në të njëjtën veturë dhe jam futur kam tentuar që veturën ta tërheq për 3-4 metra afër Afrimit por gjatë qëndrimit tim në veturë jam goditur me shumë plumba dhe vetura ime në atë moment ka qenë e paralizuar” – tha Kryeziu.
Kryeziu para Gjykatës tutje tha se kishte dalë nga vetura dhe ishte kthyer prapë te Afrim Bunjaku, dhe se rreshteri tashmë vetëm kishte qenë duke luftuar për jetë dhe kishte tentuar ta largojë pak por sa herë që afrohej për ta ndihmuar ai tha se gjuajtjet nuk kishin të ndalur.
Mirëpo pasi që e kishin futur në veturë gjatë largimit për ta dërguar në spital ai tha se kishin pasur edhe vështirësi të tjera pasi i njëjti tha se e kishin përcjellë vazhdimisht dhe e kishin goditur rrotën e veturës dhe në atë gjendje ai kishte arritur ta dërgonte rreshterin Bunjaku në spital.
Kryeziu tha se pasi kishin hyrë në spital mjekët i kishin treguar se Afrim Bunjaku ka ndërruar jetë.
“Si e ke vlerësuar intensitetin e sulmit?” – e pyeti prokurori Naim Abazi.
“Intensiteti i sulmit ka qenë jashtëzakonisht i madh, edhe intensitet pothuajse të quajmë një strukturë ushtarake dhe të organizuar mirë”– tha Kryeziu.
Dëshmitari Kryeziu tha se e gjitha kjo kishte qenë e organizuar mirë duke pasur parasysh edhe errësirën dhe nuk ka mundur të identifikojë ndonjërin prej tyre.
“Ishte një organizimi jashtëzakonisht mirë i strukturuar dhe i organizuar mirë, për shkak errësirës që ka qenë unë kam vërejtur njerëz të uniformuar dhe të armatosur shumë mirë. Disa ishin me maska e disa pa maska mirëpo identifikimin e tyre nuk mund të bëhet për arsye të errësirës dhe njerëzit që ishin me uniforma ata duken pothuajse të gjithë njësoj” -tha Kryeziu.
Në seancë pas disa minutash prezent ishte edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar Naim Rudari, i cili përfaqëson të dëmtuarin Alban Rashitin.
Seanca e radhës lidhur me këtë çështje penale pritet të mbahet nesër në Gjykatën e Prishtinës dhe do të dëgjohen dëshmitarë të tjerë.
Ky rast është duke u trajtuar nga trupi gjykues i përbërë nga Arben Hoti (kryetar i trupit gjykues) dhe Rrahman Beqiri dhe Ngadhnjim Arrni (anëtarë).
Tre të akuzuarit në rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 2023, Dushan Maksimoviq, Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq, edhe në shqyrtimin kryesor më 17.04.2025 nuk e pranuan fajësinë lidhur me veprat penale që u vihen në barrë.
Çka thotë aktakuza e Prokurorisë?
Ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq – është ngritur aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas aktakuzës mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale – terrorizëm, – financim i terrorizmit, dhe – shpëlarje e parasë.
Kjo pasi të njëjtit akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjakun.
Dosja e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com tregon me iniciale se cilët janë 45 të akuzuarit, e se cili ishte qëllimi i tyre.
“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirëorganizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht Komunat e banuara me Shumicë Serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë.” – thuhet në këtë dosje.
Prokuroria ka thënë se si rezultat i dhunës së përdorur ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile.
Në grupin kriminal të strukturuar, të udhëhequr nga Radoiçiq, janë këta të akuzuar: Milan Radoiqiq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesha Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Gjordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Urosh Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuckoviç, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviç, Marko Arsiç, Zharko Cvetkoviç, Krsto Damjanoviç, Stefan Milosavljeviç, Marko Saviç, Aleksandar Jevremoviç, Radosh Gvozdiç, Ivan Miliç, Gojko Zubaç, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milosh Milenkoviq, Gjorgje Baloviq, Danijel Gjukiç, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milosh Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, Radule Steviq dhe personi juridik “Rad D.O.O.”.
Ndërsa, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq po ashtu të akuzuar për “terrorizëm” janë në paraburgim që nga shtatori 2023.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj ka njoftuar më 11.09.2024 kanë ngritur Aktakuzë për 45 persona, për rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Naim Abazi, Prokurori i Speciales, i cili udhëhoqi hetimet e sulmit terrorist të 24 shtatorit të 2023-tës tregoi në detaje se si u hetua i gjithë ky rast.
Abazi në një Konferencë për media tha se ndaj 45 të akuzuarve rëndojnë veprat penale për “terrorizëm”, “financim terrorizmi” dhe “shpëlarje e parasë”.
Prokurori tha se hetimet për Banjskën kanë qenë më komplekset që ka pasur kjo Prokurori ndonjëherë dhe në hetim janë përfshirë Agjencitë më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare për zbatim të ligjit.
Sipas Abazit deri më tani janë realizuar afër 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur.
“Janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe rreth 1,266 armë e pajisje të tjera dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje.” – tha Prokurori.
Tutje, ai shtoi se gjatë hetimeve kanë hasur në disa sfida të rëndësishme, duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve dhe shpëlarjes së parave, si dhe përdorimin e teknologjive të avancuara të përfshira në aktivitetet kriminale nga ana e të akuzuarve.
“Kanë pasur role të ndryshme brenda këtij grupi kriminal: duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe shpëlarja e parave.” – theksoi tutje Prokurori.
Në Konferencë Abazi njoftoi se ndër të akuzuarit kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit Millan Radoiçiq, i cili u tha se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale.
Për këtë rast janë publikuar shumë video e pretendime në TikTok (shih: këtu, këtu dhe këtu), për arsyet dhe të dyshuarit e përfshirë.