Foto-ilustrim
Policia: Rasti i denoncuar për rrëmbimin e një vajze të mitur në Fushë-Kosovë - raportim i rremë
Policia ka njoftuar se një rast rrëmbimi i denoncuar më 21.05.2025 rreth orës 00:45 në rrugën “Pajazit Islami” në Fushë-Kosovë, pas hetimeve të thelluara ka rezultuar të jetë një kallëzim i rremë.
Agron Borovci, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Prishtinës, ka thënë për KALLXO.com se më 21.05.2025 ishte raportuar se një vajzë e mitur ishte futur me forcë në një veturë nga persona të dyshuar në Fushë-Kosovë dhe pas rreth një ore ishte liruar.
Po, sipas raportimit, në tentativë për të parandaluar rastin ishte lënduar lehtë edhe nëna e viktimës.
Borovci ka thënë se Policia në Fushë-Kosovë, në bashkëpunim Prokurorinë, kanë marrë të gjitha masat për zbardhjen e rastit.
“Si rezultat i hetimeve intensive, veprimeve të koordinuara policore, analizave të detajuara, si dhe verifikimeve të kryera, është arritur të konfirmohet se nuk ka pasur asnjë rrëmbim të vërtetë, por kemi të bëjmë me një kallëzim të rremë”- ka thënë Borovci.
Sipas tij, Policia, në bashkëpunim me prokurorin e shtetit, është duke vazhduar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe përgjegjësive ligjore që dalin nga ky rast.
Borovci ka thënë se Policia apelon tek qytetarët që të shmangin deklarimet dhe veprimet mashtruese, si dhe t’i raportojnë rastet me përgjegjësi, duke qenë se siç ka thënë ai, çdo informacion trajtohet me seriozitet të plotë dhe profesionalizëm të lartë.