I akuzuari Toliq pranon se kishte qenë në Banjskë ditën e sulmit më 24 shtator 2023
Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq sot, më 17.04.2025, janë ulur në bankën e të akuzuarve lidhur me rastin e sulmit terrorist në Banjskë. Në Gjykatën e Prishtinës ka nisur pjesa kryesore e gjykimit për rastin e sulmit terrorist në Banjskë, nga i cili mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Në këtë stad të procedurës gjykimi është duke vazhduar me prezantimin e fjalëve hyrëse të palëve.
Pas prezantimit të fjalëve hyrëse nga prokurori Naim Abazi dhe përfaqësuesit të familjes së zyrtarit policor të vrarë Afrim Bunjakut, avokatit Arianit Koci, seanca ka vazhduar me fjalët hyrëse të mbrojtësve të të akuzuarve dhe vetë të akuzuarve.
Pas fjalëve hyrëse të mbrojtësit të të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, avokatit Ljubomir Pantoviq, seanca ka vazhduar me fjalët hyrëse të mbrojtësit të të akuzuarit Vladimir Toliq, avokatit Millosh Delleviq dhe të akuzuarit Vladimir Toliq.
I akuzuari Vladimir Toliq pranoi se më 24.09.2023 kishte qenë në fshatin Banjskë, por i njëjti tha që qëllimi i tij dhe motivi nuk janë ashtu siç i ka përshkruar Prokuroria.
I njëjti tha se ai në asnjë moment nuk ka mundur që të supozojë se çka do të ndodhë atje dhe nuk ka qenë i vetëdijshëm për pasojat.
I njëjti ka shprehur keqardhje që ka mbetur i vrarë Afrim Bunjaku, por i njëjti ka thënë që nuk ka shtënë në askënd dhe nuk ka pasur qasje në eksplozivin që e kishte vrarë Afrim Bunjakun.
I njëjti ka falënderuar ekipin mjekësor, që sipas tij i kanë shpëtuar jetën.
“Qysh në fillim do të pajtohem me avokatin, do të them diçka në vazhdim, më 24.09.2023 kam qenë në Banjskë dhe kjo është e qartë, mirëpo qëllimi im, motivi i pranisë time atje, dhe pjesëmarrja në atë ngjarje, në plotni dallojnë nga ajo siç është e cekur në Aktakuzë. Unë në asnjë moment nuk kam mundur të supozoj se çka mund të ndodhë atje, edhe nuk kam mundur të jem i vetëdijshëm cilat janë pasojat dhe çfarë kanë qenë pasojat në fund.” – tha i akuzuari Vladimir Toliq.
“Tutje, të gjithë ne e dimë, që unë kam qenë i lënduar rëndë dhe se disa ditë jam mjekuar në QKUK. Gjyqtarë të nderuar, në këtë sallë janë të pranishëm një numër i madh i personave, gazetarëve dhe kamerave, prandaj do ta them qartë dhe me zë. Falënderim i madh, i kam borxh doktorit Skënder Uka, ekipit të tij, të cilët atë ditë në mënyrë profesionale e kanë kryer punën e tyre dhe mua ma kanë shpëtuar jetën dhe për këtë gjë jemi pafundësisht falënderues unë dhe familja ime. Gjatë mjekimit në Spital kam kuptuar se ka humbur jetën zyrtari policor dhe më vjen shumë keq për këtë, mirëpo do të shtoj, unë Vladimir Toliq, më 24.09.2023, në askënd nuk kam gjuajtur dhe as që kam pasë ndonjë qasje me mjete eksplozive dhe këtë gjë me përgjegjësi e them.” – shtoi tutje i akuzuari Toliq.
Edhe avokati i të akuzuarit Vladimir Toliq, Millosh Delleviq tha se Aktakuza është ngritur 6 muaj para përfundimit të hetimeve – duke përmendur edhe thirrjet që sipas tij i ka bërë tashmë ish-Kryeministri i Kosovës që të ketë Aktakuzë, sa më parë lidhur me këtë rast.
“Çdo muaj përmes mediave është kërkuar nga Prokuroria që të përfundohen këto hetime dhe që këta njerëz të akuzohen për raste që janë akuzuar.” – tha Delleviq.
Avokati ka shtuar se këto janë pasojat e një Aktakuze që kemi sot për një hetim kaq të shpejtë.
“Në një afat kaq të shkurtër PSRK nuk ka mundur të vërtetojë, të provojë, çfarë rolesh kanë pasur pjesëtarët e këtij grupi dhe në çfarë mënyre secili individualisht ka vepruar.” – tha tutje avokati Delleviq.
Tre të akuzuarit në këtë rast, Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq, janë sjellë të prangosur para Gjykatës.
Në nisje të gjykimit ndryshe nga herët tjera që kishte përkthyes fizikisht, tashmë mediat, të akuzuarit, avokatët dhe pjesëmarrësit e tjerë në Gjykatore janë pajisur me mjete të përkthimit, me qëllim mbarëvajtjen e procesit.
Tre të akuzuarit në rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 2023, Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, edhe në shqyrtimin kryesor nuk e kanë pranuar fajësinë – lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.
Që të tre u deklaruan të pafajshëm në Gjykatë.
Sipas Prokurorisë 45 të akuzuarit ishin të përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë, më 24.09.2023.
Çka thotë Aktakuza e Prokurorisë?
Ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq – është ngritur Aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas Aktakuzës mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale për “terrorizëm”, “financim terrorizmi” dhe “shpëlarje e parasë”.
Kjo pasi të njëjtit akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjakun.
Dosja e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com tregon me iniciale se cilët janë 45 të akuzuarit, e se cili ishte qëllimi i tyre.
“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirëorganizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht Komunat e banuara me Shumicë Serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë.” – thuhet në këtë Dosje.
Prokuroria ka thënë se si rezultat i dhunës së përdorur ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile.
Në grupin kriminal të strukturuar, të udhëhequr nga Radoiçiq, janë këta të akuzuar.
Milan Radoiqiq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesha Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Gjordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Urosh Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuckoviç, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviç, Marko Arsiç, Zharko Cvetkoviç, Krsto Damjanoviç, Stefan Milosavljeviç, Marko Saviç, Aleksandar Jevremoviç, Radosh Gvozdiç, Ivan Miliç, Gojko Zubaç, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milosh Milenkoviq, Gjorgje Baloviq, Danijel Gjukiç, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milosh Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, Radule steviq dhe personi juridik, “Rad D.O.O.”.
Ndërsa, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, po ashtu të akuzuar për “terrorizëm” janë në paraburgim që nga shtatori 2023.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj ka njoftuar më 11.09.2024 se kanë ngritur Aktakuzë për 45 persona, për rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Naim Abazi, Prokurori i Speciales, i cili udhëhoqi hetimet e sulmit terrorist të 24 shtatorit të 2023-tës tregoi në detaje se si u hetua i gjithë ky rast.
Abazi në një Konferencë për media tha se ndaj 45 të akuzuarve rëndojnë veprat penale për “terrorizëm”, “financim terrorizmi” dhe “shpëlarje e parasë”.
Prokurori tha se hetimet për Banjskën kanë qenë më komplekset që ka pasur kjo Prokurori ndonjëherë dhe në hetim janë përfshirë Agjencitë më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare për zbatim të ligjit.
Sipas Abazit deri më tani janë realizuar afër 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur.
“Janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe rreth 1,266 armë e pajisje të tjera dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje.” – tha Prokurori.
Tutje, ai shtoi se gjatë hetimeve kanë hasur në disa sfida të rëndësishme duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve dhe shpëlarjes së parave, si dhe përdorimin e teknologjive të avancuara të përfshira në aktivitetet kriminale nga ana e të akuzuarve.
“Kanë pasur role të ndryshe brenda këtij grupi kriminal duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe shpëlarja e parave.” – theksoi tutje Prokurori.
Në Konferencë Abazi njoftoi se ndër të akuzuarit kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit Millan Radoiçiq, i cili u tha se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale.
Për këtë rast janë publikuar shumë video e pretendime në TikTok (shih: këtu, këtu dhe këtu) për arsyet dhe të dyshuarit e përfshirë.