Zyrtarët e LDK-së shpërndanë video me aludimin se LVV ka manipuluar me vota - Prokuroria autorizon hetimet
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, më 18 dhe 19.03.2025, ka shpërndarë dy video në rrjete sociale, përmes së cilave aludohet se njerëz të Lëvizjes Vetëvendosje kanë plotësuar vota me postë.
“Kjo është arsyeja e vërtetë pas reagimeve (zhurmës) që VV po e bën për votat e mërgatës. Qëllimi është fshehja e qindra videove, si kjo nga qarkullimi dhe devijimi i temës diku tjetër, sepse ajo që po ‘dyshojnë’ se e paskemi bërë ne është PIKËRISHT çka bëjnë vetë!” – shkruante mes të tjerash Kica-Xhelili në postimin e publikuar, më 18.03.2025.
Ngjashëm si Kica-Xhelili, video në rrjetet sociale me të njëjtat aludime ka shpërndarë edhe kandidati për Deputet nga LDK, Visar Azemi.
Në postimin e tij, më 19.03.2025, përveç videos së bashkëngjitur, Azemi thotë: “Po dalin dëshmi të reja për manipulime. Video të cilat vetë i kanë postu, tu u ndi krenar. Tash për me i fshehë këto dëshmi, po kërkojnë anulimin e votave të LDK-së.”
KALLXO.com ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Prishtinë për të marrë vesh se a janë në dijeni për këto video dhe nëse kanë ndërmarrë veprime për të kuptuar vërtetësinë e tyre.
Prokuroria, më 20.03.2025, ka konfirmuar për KALLXO.com se ka autorizuar Policinë që të grumbullojë informacione.
“Lidhur me pyetjet të cilat i keni parashtruar, Prokuroria Themelore në Prishtinë ju njofton se ka lëshuar autorizim organeve të Policisë për mbledhjen dhe grumbullimin e të gjitha informacioneve në lidhje me ngjarjen aktuale.” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Kica-Xhelili në një përgjigje për KALLXO.com, e pyetur se a i ka dërguar këto video në Prokurori, ka thënë se ato vetëm se janë në Prokurori.
“Këto video tashmë janë në Prokurori. Janë dorëzuar nga eksponentë të ndryshëm politik. Tani vonë më kanë rënë mua në dorë, meqë janë publikuar edhe në rrjete të ndryshme sociale. Nuk kam asnjë indikacion që janë të komprometuara apo modifikuara.” – ka deklaruar Kica-Xhelili.
Edhe Azemi thotë se videot nuk i ka dorëzuar në Prokurori.
“Këto janë video të cilat i kemi marrë nga rrjetet sociale, ku janë postu nga njerëz të tyre. Pra, siç e shihni janë bukur krenar me postimet të cilat i kanë bërë dhe dëshmi të cilat ata vetë i kanë lënë si gjurmë në rrjete sociale.” – ka deklaruar ai.
“Unë nuk i kam dërgu në Prokurori, për shkak se janë publike, por mendoj që Prokuroria i ka këto informacione, ashtu siç i kemi marrë edhe ne, online, dhe besoj që kanë mjaftueshëm dëshmi për me reagu dhe për me pa çka ka ndodh në realitet.” – ka deklaruar Azemi për KALLXO.com.
Për këtë çështje, KALLXO.com ka insistuar të marrë një qëndrim nga zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, por deri në publikimin e këtij artikulli ai nuk ka kthyer përgjigje.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar rivotim me postë.
Blerim Sallahu dhe Sekretari Organizativ i kësaj partie, Alim Rama, më 17.03.2025, dorëzuan Ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Sipas tyre, ka fakte të manipulimit të votës me postë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për çka kërkojnë rivotim, anulim të votave me postë të LDK-së dhe heqjen nga lista të disa kandidatëve, të cilët sipas tyre kanë vota të manipuluara.
“Këto vota kanë pasë një adresë të vetme – LDK. Votimi ka ndodhur në formë të manipuluar, në formë të organizuar, masivisht dhe kolektivisht nga persona të njëjtë, me kimik të njëjtë, me ngjyrë të njëjtë dhe me duar të njëjta.” – deklaroi mes tjerash zëvendësministri i Drejtësisë.
Por, PZAP e ka hedhur si të pabazuar Ankesën e LVV-së.
Më 19.03.2025, Sallahu ka paralajmëruar Ankesë në Gjykatën Supreme.
“PZAP vendosi për legjitimim dhe legalizim të keqpërdorimeve të votave me postë, të orkestruar nga LDK dhe udhëheqja e saj. Shpresojmë se Gjykata Supreme nuk do të bie pre e papërgjegjësisë, joprofesionalizimit dhe ndikimit politik që PZAP ka pasur nga akterë politik dhe parapolitik.” – ka shkruar ai mes të tjerash.
Rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve janë shpallur më 15.03.2025.
Sipas këtyre rezultateve, në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 kanë marrë pjesë 966,283 votues, apo 46.54%. Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 396,787 vota, apo 42.30%; PDK është renditur e dyta me 196,474, apo 20.95%; LDK e treta me 171,357, apo 18.27%; AAK-Nisma me 66,256 vota, apo 7.06%.
Sipas numrit të ulëseve që kanë siguruar në Kuvendin e Kosovës, partitë janë renditur kështu: LVV me 48 deputetë, PDK me 24 deputetë, LDK me 20 deputetë, Lista Serbe me 9 deputetë, AAK-Nisma me 8 deputetë etj.
