Jorn Rohde - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com
Zgjedhjet 2025 në Kosovë, Rohde rikujton rregulloren e Gjermanisë për tubimet partiake
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se autoritetet gjermane zakonisht nuk japin leje që partitë politike të një shteti të zhvillojnë fushatë në tokën gjermane në periudhën më pak se tre muaj nga data e mbajtjes së zgjedhjeve.
Si shkas ka marrë fushatën për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, që do të mbahen më 09.02.2025.
Përmes një postimi në “X”, më 18.11.2024, Rohde ka thënë se e ka informuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe partitë politike për këtë rregullore specifike.
“Në lidhje me zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Kosovë, ne kemi informuar Ministrinë e Jashtme dhe partitë politike për rregulloren tonë specifike. Kjo ka të bëjë me fushatë për zgjedhjet në Kosovë që zhvillohen në tokën gjermane. Rregullorja parashikon ndër të tjera se në përgjithësi, leja nuk do të jepet nëse ngjarja e fushatës zhvillohet brenda një periudhe prej më pak se tre muajsh përpara datës së zgjedhjeve në vendin përkatës”- ka shkruar Rohde.
With regard to the upcoming general elections in Kosovo, we informed the Foreign Ministry and political parties about our specific regulation. This concerns campaign events for elections in Kosovo that take place on German soil. The regulation stipulates inter alia that … 1/2
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) November 18, 2024
Pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla- Schwarz, kanë nisur një tur të tubimeve në diasporë, të organizuara nga ambasadat e Kosovës dhe jo vetëm.
Kjo qasje e tyre po kritikohet shkaku i shfrytëzimit të resurseve shtetërore për fushatë parazgjedhore, anipse arsyetimi i zyrtarëve të lartë të shtetit është se takimet me mërgimtarë nuk janë të tilla, por janë takime të zakonshme “për të mbajtur lidhjet me diasporën”.
Kurti e Gërvalla tubimet i nisën në fillim të tetorit në katër qytete të mëdha të Gjermanisë, pastaj vazhduan në Paris, në Vjenë e në Oslo, për t’u rikthyer sërish në Gjermani, kësaj radhe në Frankfurt.
Në Kosovë ende nuk ka filluar fushata zgjedhore, por kjo nuk do të thotë që subjektet politike nuk shfrytëzojnë këto kohë pa kufizime ligjore për të siguruar elektoratin.
Tubime të ngjashme në vende europiane po zhvillojnë edhe partitë e tjera politike.
Për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, në diasporë do të votohet një ditë më përpara, më 08.02.2025.
Gjermania prin me gjashtë qendra të votimit në të cilat mërgimtarët, më 08.02.2025, do të mund të hedhin në kuti votën e tyre për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë.
Qendrat e votimit në Gjermani janë në konsullatat në Duseldorf, Mynhen, Hamburg, Shtuttgart dhe Frankfurt dhe në ambasadën në Berlin, me nga 2 mijë votues për secilën.