Xheladini i LDK-së i gatshëm t’ua heqë shpenzimet e transportit qytetarëve që jetojnë në komuna të tjera por janë votues në Dragash
Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, u ka bërë thirrje qytetarëve që jetojnë në të tjera komuna por që janë votues të Dragashit të vijnë ta kryejnë këtë procedurë në zgjedhjet e 12 tetorit.
Madje, kandidati nga radhët e LDK-së tha se këta qytetarë “mos t’i mbajnë dert” shpenzimet e transportit.
“E kam një kërkesë që t’i evidentoni të gjithë personat që nuk jetojnë në Dragash, jetojnë në qytetet e tjera por janë votues të Dragashit. T’i evidentoni ata e t’i thërrisni le të vijnë të votojnë këtu. Nuk janë problem shpenzimet e transportit”- u shpreh Xheladini në tubimin e LDK-së të organizuar në Dragash.
Në Dragash, LDK garon në zgjedhjet lokale të 12 tetorit me kryetarin aktual të Komunës.
Ndërkaq PDK ka kandiduar ish-kryetarin e kësaj Komune, Shaban Shabanin.
Filiz Mustafa është kandidate nga Lëvizja Vetëvendosje.
Po ashtu Usmen Baldzi ka kandiduar nga Koalicioni Vakat.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12.10.2025.