Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani Foto: Denis Sllovinja /KALLXO.com
Vjosa Osmani në El Salvador, vizita e parë e një kreu të shtetit të Kosovës në këtë vend
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit Nayib Bukele ka udhëtuar për në El Salvador.
Vizita e presidentes Osmani sipas Zyrës së Presidencës është e para e një kreu të shtetit të Republikës së Kosovës në këtë shtet.
“Presidentja do të marrë pjesë në Inaugurimin e Presidentit të ri-zgjedhur Nayib Bukele. Gjatë qëndrimit në San Salvador, Presidentja Osmani do të zhvillojë një sërë takimesh bilaterale me udhëheqës shtetëror të El Salvadorit, duke filluar me Presidentin Bukele” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës.
Tutje u tha se fokusi i këtyre takimeve do të jetë forcimi i marrëdhënieve bilaterale, bashkëpunimit ndërshtetëror si dhe forcimi i aleancave ekzistuese dhe krijimi i aleancave të reja me shtete në rajonin e Amerikës Latine.
Presidentja u tha po ashtu se do të zhvillojë një sërë takimesh të tjera bilaterale me përfaqësues të shteteve të tjera, me qëllim të forcimit të pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, si dhe avancimit të bashkëpunimit bilateral në fusha të interesit të përbashkët.