"Turpi nuk është i yni, turpi është i atyre" - Ramadan Nishori rrëfen për herë të parë publikisht dhunën seksuale gjatë luftës
Për herë të parë një burrë, Ramadan Nishori, i mbijetuar i dhunës seksuale ka rrëfyer publikisht dhunën seksuale të përjetuar gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Ky rrëfim i tij vjen në Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të Luftës – një datë që synon ndërgjegjësimin për kujtimin dhe përkrahjen e viktimave të dhunës seksuale të luftës në Kosovë.
Ky rrëfim i tij u dëgjua për herë të parë në organizimin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, që u mbajt sot, më 14.04.2025.
Pas më shumë se 25 vjetësh heshtjeje, Ramadan Nishori shënoi pikë kthese në diskursin publik, duke u bërë burri i parë i cili rrëfen mbi dhunën seksuale që përjetoi gjatë luftës në Kosovë.
Nishori ishte vetëm 22-vjeçar në vitin 1998, kur u largua nga shtëpia për t’u vendosur në shtëpinë e dajallarëve në fshatin Negroc të Drenasit, në mënyrë që në shtëpinë e tyre të vendoseshin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës (UÇK).
Derisa më 27 shtator të atij viti, Nishori thotë se kur forcat ushtarake e policore serbe rrethuan shtëpitë e tyre, të rinjtë e familjes i ndanë dhe i dërguan në Stacion Policor.
Ishte shtatori i vitit 1998 në Stacionin Policor të Drenasit Ramdan Nishori përjetoi përvojën e tij më të rëndë në jetë.
“Afër mesnatës më erdh rendi mua (për testin e parafinës), e u desh me pritë në korridor, ishin dhomat në të cilat na merrnin në pyetje. Ata janë kanë policë civilë. Ishte dhe një shqiptar që punojke me ta, e njihshin tanë, por atë ditë e ka pasë rolin e përkthyesit. Duke pritë në korridor, kah u enshin Policia, na sillshin, kanë ardhë dy policë në uniforma, m’kanë kap për krahësh, m’kanë ngrehë zhag e m’kanë shti në një banjo dhe aty ndodhi me e keqja, më e keqja që mund t’i ndodhë një njeriut.” – rrëfen Nishori.
Përvojat e asaj nate, që për dy dekada i mbajti të heshtuara, i kujton me saktësi Nishori, të cilat ia ndryshuan jetën.
“Njani më dhunoi dhe duke u përgatit i dyti për dhunë, nga britmat e mia, ai shqiptari i ka rënë derës u hy brenda dhe m’ka nxjerrë prej aty. M’kanë shti në atë zyrën ku na merrnin në pyetje, po mu, atë ditë nuk m’kanë marrë në pyetje ma. Policët civilë filluan me më kërcënu: ‘Kjo çka t’ka ndodh ty nuk guxon kurrë në jetë me i kallxu.’.” – vazhdon rrëfimin Nishori.
Ditën e nesërme të 28 shtatorit, ai thotë se nga aty, me autobus, i sollën ne Burgun e Prishtinës ku qëndroi për më shumë se tre muaj, e pastaj në atë të Lipjanit për çka thotë se edhe aty u përballë me maltretime që ai i quan “çnjerëzore”.
Përveç dhunës sistematike të përjetuar, ai u bë edhe dëshmitar i Masakrës së Dubravës, pasi në majin e vitit 1999 e kishin transferuar në Burgun e Dubravës.
“Turpi ishte më i randë se dhimta”
Kur në mars të vitit 2001 u lirua nga Burgu, ai tregon se në atë kohë u martua dhe po jetonte në fshatin e tij, pa e rrëfyer asnjëherë atë se çfarë i ndodhi.
“Pasi u martova i thashë vetes: ‘Do ta lë të kaluarën prapa dhe do të filloj një jetë të re, do ta ndërtojë një familje, por kjo ishte e pamundur, se çdo natë mu kujtojke ajo se çka më ka ndodhë.’.” – tregon Nishori.
Ai për një kohë jetoi me frikën se dikush nga të afërmit e tij do ta kuptonte të vërtetën e përjetimeve të tij.
Për këtë vendosi që të jetonte në Fushë Kosovë, por traumat e përjetuara nuk e lanë të qetë asnjëherë.
“Thosha me vete unë jam burrë dhe për këtë çka kam përjetu nuk duhet me ditë kërrkush, se thosha më nënçmojnë, më bullizojnë. Isha shumë i mbyllur në vete. Më vijke me kajtë, me bërtitë me t’madhe. Iksha natën prej shpisë, se turpi ishte me i randë se dhimta.” – rrëfen ai.
Heshtja e Nishorit u mbajtë peng për vite me radhë, saqë nuk ishte i gatshëm të kërkoj as ndihmën profesionale nga institucionet në vend.
“Por, një natë e pashë në një intervistë Vasfije Krasnqin, e cila për mua ishte heroinë e gjallë, i marrsha shumë lakmi thosha ‘Kjo po folë e po shfryhet’.”
Dhe pas kësaj ai me gjithë vështirësitë tregon se si bashkë me Vasfijen vendosi të rrëfehej në institucionet e vendit.
Pas marrjes së ndihmës profesionale ai thotë se megjithatë u ndje pak më i fortë.
Ndërsa, vetëm pas kësaj, Nishori vendosi që dhimbjen që e mbajti për vite me radhë ta ndajë edhe me familjen, për çka thotë se gjeti përkrahjen e plotë të bashkëshortes dhe vajzës e djemve të tij.
“Për herë të parë pas shumë e shumë viteve e ndjeva veten si babë, si një babë i vërtetë, se për familjen tem, për fëmijët nuk kam mujt me kanë kurrë baba i duhur, gjithë një njeri nervoz.” – rrëfen i emocionuar Nishori.
Ramdan Nishori, në fund të rrëfimit, bëri thirrje edhe për të mbijetuarit e tjerë.
“Sot diku është duke na parë një i mbijetuar tjetër. E di me çfarë sfidash është duke kaluar ai. Unë i them atij se ka shpresë dhe të mos dorëzohet kurrë. Ju them atyre se turpi nuk është i yni, turpi është i atyre.”
Ai publikisht kërkoi mbështje institucionale dhe të shoqërisë që të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës të kenë më shumë përkrahje.
“Do t’ju bëjë thirrje gjithë shoqërisë, të gjithë familjarëve të të mbijetuarve, të na përkrahin sado pak, se përkrahja e tyre, për neve është çlirim. Përkrahja e familjarëve ta heqë një barrë shumë të madhe dhe të kthen përsëri në jetë.
Në Kosovë nuk dihet saktë numri i personave të përdhunuar gjatë luftës më 1999, por besohet të jetë rreth 20,000.
Nga shkurti i vitit 2018, kur ka nisur aplikimi për njohjen e statusit të viktimës, deri në qershor të 2024-tës kishin aplikuar 2,083 persona për statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.
Shënim: Artikulli është edituar më 14.04.2025, në ora 14:15.