U.D. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani
Takimi konsultativ me liderët e partive: A mund të ndikojë Presidentja në tejkalimin e krizës institucionale?
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Kosova ndodhet në ngërç institucional pas Zgjedhjeve të fundit parlamentare të 9 shkurtit 2025. Pavarësisht 15 tentimeve për të konstituuar Kuvendin, procesi ka mbetur i bllokuar për shkak se partia që ka dalë e para në Zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë votat e mjaftueshme për zgjedhjen e Kryeparlamentares, ndërsa partitë që gjatë legjislaturës së kaluar kanë qenë në opozitë nuk po pajtohen për ta votuar të propozuarën e kësaj partie, Albulena Haxhiun. Në përpjekje për të tejkaluar këtë situatë presidentja Vjosa Osmani ka ftuar liderët e subjekteve parlamentare në një takim konsultativ më 15 maj.
Mirëpo, edhe para se të ndodhë ky organizim partitë politike vazhdojnë të jenë të “betonuara” në qëndrimet e tyre. LVV nuk heq dorë nga Albulena Haxhiu si kandidate për Kryeparlementare; PDK, LDK e AAK nuk e votojnë atë, PDK preferon Qeveri të opozitës, LDK propozon Qeveri të Tranzicionit, AAK kërkon po ashtu Qeveri të opozitës dhe nuk e do bashkëpunimin me LVV-në.
Më 13.05.2025, pas mbledhjes për të 15-tën herë në seancë konstituive deputetja Mimoza Kusari-Lila, e cila ishte edhe Shefe e Grupit Parlamentar të LVV-së gjatë legjislaturës së tetë, ka thënë se qëndrimin duhet ta ndryshojnë ata të cilët nuk po marrin pjesë në votim.
Kjo pasi që VV ka propozuar 5 herë votimin e fshehtë për Kryeparlamentar, por ky propozim nuk po votohet fare nga PDK, LDK, AAK-NISMA dhe Lista Serbe.
“E kemi dhënë propozimin dhe e kemi trajtuar edhe me përfaqësuesit e partive politike, kur kanë marr pjesë në takimet konsultative, kur i ka ftuar kryesuesi i seancës, zoti Dehari. Edhe kryeministri Kurti u ka dërguar ftesë dy Kryetarëve, edhe PDK-së edhe LDK-së, për të njëjtin proces. Ai propozim është në tavolinë dhe do të duhej të trajtohej me seriozitet, që të vazhdojnë me afatet për zgjedhjen e Qeverisë. Qëndrimi për të ndryshuar është i atyre të cilët nuk po marrin pjesë në votim.” – ka deklaruar Kusari-Lila për media.
Në anën tjetër kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi tha se i vjen mirë që presidentja Vjosa Osmani ka marrë parasysh propozimin për të thirrur një takim të të gjitha partive politike.
Krasniqi tha se nuk e ka refuzuar propozimin e LDK-së për Qeveri Tranzicionale, por atë e ka refuzuar LVV-ja, dhe si i tillë automatikisht ka rënë në ujë.
“Unë nuk kam dalë kundër një propozimi të tillë, por kam shprehur mendimin që duhet me i dhanë (vendit) një Qeveri tjetër.” – tha ai.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së Hykmete Bajrami tha se LDK-ja e ka propozimin e njëjtë edhe në takimin me Presidenten, e që është: Qeveri Nacionale të Tranzicionit.
“Nuk kemi propozim tjetër, sepse siç duket situata politike në vend nuk ka alternativë tjetër për të dalë nga kjo krizë. As VV nuk i ka votat dhe ne kemi pranuar me sinqeritet që as partitë e deridjeshme opozitare nuk i kanë votat. Kështu, për të ecur përpara kjo është alternativa që e kemi vendosur në tavolinë.” – tha ajo për media.
Ajo tha se shpresojnë që partitë politike të jenë të pranishme në takimin e ftuar nga presidentja Osmani dhe në qoftë se janë kundër propozimit të tyre, “atëherë janë ata të cilët duhet të lëvizin”.
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj tha se do të dëgjojnë së pari presidenten Vjosa Osmani, se çfarë qëndrimesh ka gjatë takimit që ka thirrur më 15 maj 2025.
“Do e dëgjojmë Presidenten se çfarë qëndrimesh ka, apo çfarë po sugjeron. Në të njëjtën kohë nëse kemi ndonjë sugjerim do ta japim.” – tha ai për media para fillimit të vazhdimit të seancës konstituive.
Haradinaj po ashtu para vazhdimit të seancës u pyet se a merr pjesë në takimin me Presidenten, nëse aty është Albin Kurti i LVV-së, meqë kishte deklaruar se nuk ulet në tavolinë me këtë parti.
“Ta shohim, a janë, a jo.” – deklaroi Haradinaj. Në ndërkohë LVV ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në takim, por që Haradinaj nuk është deklaruar se nuk merr pjesë ai në takim.
NISMA dhe partia Guxo, që po ashtu janë pjesë e Kuvendit por që kanë fituar mandate si pjesë e koalicioneve, gjatë 13.05.2025 kanë deklaruar se nuk kanë marr ftesë nga Presidentja për të marrë pjesë në këtë takim.
Pritshmëritë për takimin: A ka të drejtë Presidentja të japë propozime për zgjidhje të situatës?
Avokati Ardian Bajraktari e sheh ftesën e Presidentes për partitë politike në drejtim të funksionit të saj kushtetues, në garantimin e funksionimit të institucioneve.
“Presidentja nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojë indiferente ndaj kësaj sage, që tashmë jemi dëshmitarë që po ndodh çdo 48 orë në Kuvend.” – deklaroi Bajraktari për KALLXO.com.
Dritëro Arifi, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UBT, konsideron se pritshmëritë për takimin janë të kufizuara, por që e rëndësishme është që të fillojë takimi për bisedime në drejtim të zhbllokimit të situatës.
“Presidentja po mundohet të kthejë një komunikim mes partive politike dhe mundësisht për ta ndërtuar një konsensus, që të fillohet të lëvizet drejt formimit të institucioneve. Edhe pse qëndrimet e partive janë të ngurta në këtë pikëpamje, mendoj që në rastin më të mirë ky takim mund të shërbejë si një hap drejt një procesi të gjatë, për ta zhbllokuar situatën aktuale politike që është duke mbizotëruar në këtë periudhë kohore.” – deklaroi Arifi për KALLXO.com.
Ai konsideron se qëndrimet e partive politike nuk mund të ndryshojnë përnjëherë. Për këtë arsye, sipas tij është me rëndësi që të ketë sa më shumë takime e komunikime mes liderëve partiak.
“Kështu, në një farë mënyre mund të krijohet një narrativë publike që ekziston një vullnet politik për të ndryshuar gjendjen prej ku jemi, për të lëvizur nga pika A në pikën B, e kështu me radhë.” – shton Arifi, i cili konsideron se takimi i ftuar nga Presidentja mund të jetë pikë që i bashkon synimet e partive, prej ku mund të krijohen grupacione që mund ta bëjnë Qeverinë dhe Kuvendin.
Bajraktari thekson në anën tjetër se në rrethana normale Presidentja nuk do të duhej të përfshihej në këtë fazë.
“Por, duke qenë se tashmë Kuvendi është në bllokadë dhe deputetët e zgjedhur nuk po arrijnë ta tejkalojnë këtë situatë, në drejtim të jetësimit të vullnetit politik të qytetarëve të shprehur në Zgjedhje, një angazhim i tillë është i domosdoshëm.” – deklaron Bajraktari.
Roli i Presidentes në Kosovë, sipas Arifit, është i natyrës lehtësuese e jo vendimmarrëse.
Ai shpjegon se Kushtetuta i jep Presidentes kompetencë për të thirrur takime me liderët politik, për të mandatuar Kryeministrin, por jo për të negociuar Marrëveshje politike mes partive.
“Kjo mbetet në vullnetin e partive. Megjithatë, në situatën në të cilën gjendet Kosova me moskonstituimin e Parlamentit, Presidentja mund të luajë më shumë një rol zbutës të tensioneve, pra për të bërë thirrje për alternativa, për të gjetur zgjidhje, edhe për shkak të rrethanave të brendshme dhe të jashtme që kanë ndryshuar, si dhe çfarë obligimesh e presin Kosovën nëse nuk lëvizet tutje.” – sqaron Arifi.
Propozimet eventuale të Presidentes ai i sheh më shumë si sugjerime për tejkalim të ngërçit, por jo obligative. Megjithatë, ndonjë propozim nga Presidentja do të mund të krijonte momentum pozitiv sipas tij.
“Kruciale është gjetja e një zgjidhjeje për t’u tejkaluar kriza e zgjedhjes së Kryeparlamentarit. Nëse kjo krizë tejkalohet, atëherë mund të lëvizim tutje edhe për themelimin e Qeverisë, e mandej varet se cili propozim mund të arrijë numrin e konsiderueshëm.” – shton profesori Arifi.
Pak pritshmëri për efekt pozitiv të takimit të thirrur nga Presidentja ka Bajraktari.
“Se a do të këtë efekt apo jo mbetet të shihet, por diskursi i përfaqësuesve të subjekteve politike nuk lë shumë hapësirë për të shpresuar për një rezultat pozitiv.” – ka shtuar ai.
E, sipas Arifit, zgjidhjen mund ta gjejnë vetëm partitë politike, por që alternativat mund të dalin nga ky takim.
Profesori i Shkencave politike thekson se në takim mund të diskutohet se nëse formohet një Qeveri teknike apo kalimtare, çfarë detyrash do të ketë ajo.
“Alternativa tjetër është që të shkojmë në Zgjedhje të jashtëzakonshme. Por, logjika është se si mund të ndërtohet diçka që të mos kthehemi prapë në pikën 0. Pra, çka nëse edhe pas Zgjedhjeve të jashtëzakonshme numrat përafërsisht janë të njëjtë dhe mund ta kemi të njëjtin problem.” – ka sqaruar ai.
Arifi deklaron se ka elemente që janë lënë pezull, e një nga to është edhe ajo që a duhet të ketë “pako” gjithpërfshirëse, “një Qeveri e fuqishme e koalicionit shqiptar”, e cila sipas tij do të ishte alternativa më e mirë, sepse e zgjedh Kryekuvendaren, Qeverinë, por edhe çështjen e Presidentes.
“Pra, ka shumë mundësi për Zgjedhje, por duhet të jenë më të hapur dhe më konkret në objektiva.” – ka thënë Arifi.
Vakumi kushtetues
Kushtetuta nuk e përcakton ndonjë afat se brenda sa ditësh apo muajsh pas certifikimit të rezultatit të Zgjedhjeve, apo pas betimit të deputetëve duhet të konstituohet Kuvendi. Por, Rregullorja e re e Kuvendit e definon që “ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”. Por, pa konstituimin e Kuvendit nuk ka se si të nisë numërimi i ditëve për zgjedhjen e Qeverisë së re.
Vetëm pasi të jetë zgjedhur Kryetari dhe Nënkryetarët e Kuvendit, Presidentja e mandaton kandidatin për Kryeministër në konsultim me partinë që e ka numrin më të madh të deputetëve, që në rastin e tanishëm është Lëvizja Vetëvendosje.
Mandatari, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, obligohet të paraqesë përbërjen e Qeverisë dhe të kërkojë miratimin nga ana e Kuvendit. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, apo së paku 61 vota.
Nëse Qeveria nuk miratohet në herën e parë, Presidentja brenda 10 ditësh emëron një kandidat tjetër sipas së njëjtës procedurë. Dhe, nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidentja i shpall Zgjedhjet e parakohshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.
Kushtetuta e përcakton që Kuvendi shpërndahet nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës nuk mund të formohet Qeveria.
Në bazë të rezultateve të Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 42.30% të votave – duke i siguruar 48 mandate në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave apo 24 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës me 18.27% apo 20 deputetë dhe koalicioni AAK-NISMA 7.06% apo 8 deputetë. Lista Serbe do t’i ketë 9 deputetë. 1 ulëse nga komuniteti serb e ka fituar partia e Nenad Rashiqit. 10 deputetët e tjerë do të jenë nga komunitetet e tjera joshumicë.
https://kallxo.com/lajm/presidenca-te-gjitha-partite-kane-konfirmuar-pjesemarrjen-ne-takimin-me-presidenten-osmani/