Greva e punëtorëve të RTK-së 17.11.2025 / Foto: Nora Osmani / KALLXO.com
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së paralajmëron grevë çdo ditë nga java e ardhshme
Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës ka njoftuar se si pasojë e mosmarrjes së pagës nga e hëna, më 23.11.2025 do të hyjnë në grevë të përgjithshme, e cila do të mbahet çdo ditë nga ora 11:00 deri në 13:00.
“Gjatë këtyre dy orëve ndalet çdo punë, në çdo sektor të RTK-së: redaksi, administratë, financa, arkiv, kamera, galeri, master, teknikë, produksion, regjisorë, montazh, audio, si dhe të gjitha njësitë tjera mbështetëse. Greva vlen për të gjithë, pa përjashtim”– thuhet në komunikatën e SPERTK-së më 20.11.2025.
SPERTK- ja thekson se kjo masë vjen pas një periudhe të gjatë kërkesash të injoruara dhe një gjendjeje që sipas tyre është bërë e paqëndrueshme si për stafin ashtu edhe për funksionimin e institucionit.
Tutje, ata kërkuan nga menaxhmenti i RTK-së të marrë vendim të qartë për mosmbulim të fushatës zgjedhore.
“Nëse menaxhmenti nuk del me qëndrim, SPERTK do të thërrasë bojkotin e plotë të zgjedhjeve nga ana e gjithë kolegëve”– thanë ata.
Ndërkaq, njoftuan se greva do të shoqërohet edhe me protesta në shesh dhe para Qeverisë së Kosovës.
SPERTK u shpreh haptas se kanë vetëm një qëllim që është zgjidhja urgjente e çështjes së pagave, pasi sipas tyre, kjo situatë ka kaluar çdo kufi të durimit.
“Qëllimi ynë është i vetëm: zgjidhja urgjente e çështjes së pagave dhe garantimi i funksionimit normal të RTK-së. Pasi nuk ka Kuvend aktiv, kërkojmë që Qeveria, përkatësisht Ministria e Financave, të marrë vendimin e nevojshëm pa asnjë vonesë”– u shprehën nga sindikata.
Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës protestuan para disa ditësh, më 06.11.2025 dhe më 10.11.2025 për të kërkuar miratim të buxhetit dhe alokim të pagave.
Ditë më parë, kryetari i Kuvendi të Kosovës, Dimal Basha e quajti padrejtësi situatën me punëtorët e RTK-së, ndërsa tregoi se ka ftuar të gjitha subjektet politike për mirëkuptim ndaj miratimit të raportit për RTK-në.
“Unë dola këtu me u solidarizu me punëtorët e RTK-së, ku janë mbi 700 prej tyre të cilët i presin pagat dhe pa të drejtë kanë mbetur pa paga. Megjithatë, unë gjithashtu e kam me rëndësi t’ju njoftoj si Kryetar i Kuvendit, që i kam ftuar të gjitha subjektet politike për të bërë hapat që duhet, për të arritur deri te një mirëkuptim për miratimin e raportit” – theksoi Basha.
Ndërsa, herën e fundit ata protestuan më 13.11.2025, me ç’rast paralajmëruan grevën njëorëshe që u mbajt më 17.11.2025.
Pas kësaj, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, më 15.11.2025 nëpërmjet një letre i ka kërkuar kryeparlamentarit, Dimal Basha, për të adresuar vonesat në pagesat e pagave të mbi 700 punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës, si pasojë e mosformimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa në legjislaturën e re.
Mospagesa ka mbetur peng për shkak të mosformimit të komisionit parlamentar për shqyrtim dhe miratim të raportit për RTK-në.
Edhe në gusht 2025, punëtorët e RTK-së patën protestuar për paga. Pas situatës, Qeveria në detyrë e Kosovës, më 15.08.2025 e kishte miratuar në parim kërkesën për huamarrje deri në 2,540,000 euro të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) për qëllime të likuiditetit të transmetuesit publik.
Më 17.11.2025 rreth situatës në RTK u deklarua edhe nënkryetarja e Kuvendit nga LVV-ja, Albulena Haxhiu. Sipas saj tash që ka Kuvend të konstituuar “nuk ka sens të vazhdohet me huadhënie të tjera” për RTK-në.