Sveçla akuzon Ramën për keqmenaxhim: Prishtina është futur në krizën më të madhe që ka përjetuar ndonjëherë
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Prishtinës, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ka drejtuar kritika ndaj kryetarit Përparim Rama, duke e akuzuar atë për keqmenaxhim të skajshëm dhe përgjegjësi direkte për situatën e rënduar në kryeqytet.
Sveçla tha se arsyeja pse asamblistët janë mbledhur sot është gjendja e krijuar në Prishtinë, të cilën ai e përshkroi si krizën më të madhe të keqmenaxhimit që ka përjetuar ndonjëherë.
“Jemi këtu sepse kryeqyteti jonë është futur në krizën më të madhe të keqmenaxhimit që ka përjetuar ndonjëherë. Jemi këtu sepse qyteti është bllokuar, shërbimet kanë rënë, punëtorët kanë mbetur pa paga, autobusët janë ndalur, sepse një kryetar i papërgjegjshëm e ka çuar administrimin komunal në nivelin zero.”- deklaroi Sveçla.
Ai theksoi se vetë thirrja e kësaj seance është dëshmi e asaj që e quajti marrëzi politike e Përparim Ramës.
“Për muaj të tërë ka qarë e ka ulëritur në studio televizive, duke akuzuar Qeverinë për bllokim të të hyrave vetanake. Dhe vetëm kur punëtorët e Trafikut Urban dolën në rrugë, kur autobusët ndaluan qarkullimin, kur qyteti u bllokua, atëherë befasisht e kuptoi që bartja e mjeteve nuk bëhet në studio televizive, por në kuvendin komunal.”- tha ai.
Sveçla akuzoi kryetarin Rama dhe LDK-në se e kanë përdorur krizën për përfitime politike.
“Kjo seancë ka mundur të thirret para një muaji, para dy muajve, para zgjedhjeve, para krizës. Por nuk u thirr, sepse kriza i duhet Përparimit dhe LDK-së. Viktimizimi është strategjia e vetme politike që i kishte mbetur.”- shtoi ai.
Ai tha se dështimi për miratimin me kohë të buxhetit ka sjellë pasoja serioze për funksionimin e komunës.
“Kemi një kryetar të dështuar që nuk arriti me kohë ta miratonte buxhetin e qytetit. Përparimi humbi afatet, dhe kur buxheti i shtetit tashmë është miratuar, ligji thotë se komuna funksionon me një të dymbëdhjetën e buxhetit të vitit paraprak.”- deklaroi ai.
Në fund, Sveçla konfirmoi se asamblistët e Vetëvendosjes do të votojnë për bartjen e mjeteve buxhetore, por jo për t’i ardhur në ndihmë kryetarit Rama.
“Ne asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje votojmë për bartjen e mjeteve. Do ta votojmë, jo për ta shpëtuar Përparim Ramën, por për t’i ndihmuar Prishtinës të dalë nga zullumi i Përparim Ramës.”- tha ai.
Kryetari, Përparim Rama theksoi se dy vendime janë thelbësore për funksionim normal të kryeqytetit.
Rama tha se duhet të bëhet bartja e mjeteve nga viti paraprak në vlerë prej 28 milionë euro dhe duhet të ndodhë votimi i buxhetit për vitin 2026.
“Në këtë situatë të ndjeshme financiare dhe institucionale, prioritet absolut janë qytetarët e kryeqytetit. Asnjë kalkulim politik nuk guxon të vihet mbi nevojat e tyre. Fondet që po i trajtojmë sot, do t’i shfrytëzojmë menjëherë për funskionalizimin e ndërmarrjeve publike, për mbrojtjen e vendeve të punës, për pagat e punëtorëve dhe shërbimet bazike të kryeqytetit.”– u shpreh ai.
Rama përsëri kërkoi nga Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati që t’i ekzekutojë të hollat të cilat “u takojnë qytetarëve me ligj” dhe që sipas tij që nuk kërkojnë procedura por bëhen me vullnetin e ministrit Murati.
“Në të njëjtën kohë kërkoj publikisht që poashtu edhe fondet prej 35 milionë eurove, ku 25 janë të hyra vetanake dhe 10 milionë janë grant qeveritarë, të cilat u takojnë qytetarëve me ligj, të cilat nuk kërkojnë procedura në asamble por vetëm vullnet për miratim nga ministri në detyrë, pra edhe ato të bëhen të mundshme për t’u shfrytëzuar nga kryeqyteti dhe mos të zvarriten mëtejshëm, pra sepse janë në dëm të qytetarëve.”– theksoi Rama.
https://kallxo.com/lajm/perparim-rama-para-nesh-jane-dy-vendime-thelbesore-per-funksionimin-normal-te-kryeqytetit/
Mbledhja e jashtëzakonshme u thirr pas krizës së krijuar nga mosbartja e mjeteve buxhetore, e cila ka shkaktuar ndërprerje shërbimesh, vonesë të pagave dhe ndalimin e qarkullimit të autobusëve të Trafikut Urban.