Sindikalistët e RTK-së: Nëse nuk alokohet buxheti, rrezikon të shuhet transmetimi
Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) sot, më 22.07.2025, ka mbajtur një Konferencë për media për t’i shprehur pakënaqësitë e tyre rreth siç thanë ata, mospagesës së stafit të këtij televizioni, për shkak të ngërçit në Kuvendin e Kosovës, për moskonstituimin e legjislaturës së nëntë.
Gëzim Bimbashi, Kryetar i kësaj Sindikate, e quajti alarmante këtë situatë dhe tha se në rast se kjo gjendje nuk përmirësohet rrezikohet funksionimi i televizionit.
Ai tha se nga ky bllokim nuk po mbesin pa paga deputetët dhe zyrtarët shtetërorë.
“Si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit dhe mosveprimit të tyre RTK-ja është bllokuar. Megjithatë, mund ta themi qartë se nga ky bllokim nuk mbesin pa paga deputetët dhe zyrtarët shtetërorë, por punëtorët e RTK-së, edhe pse e kanë buxhetin e ndarë me Ligj nuk po mund t’i marrin pagat e tyre për të cilat edhe punojnë.” – tha ai.
“Nëse kjo gjendje vazhdon, mbi 700 punëtorë mbesin pa paga dhe rrezikohet seriozisht funksionimi i televizionit publik. Dhe, ne jemi të obliguar të marrim masa të tjera sindikale. Nëse buxheti nuk alokohet RTK-ja rrezikon të shuhet komplet nga transmetimi.” – shtoi Bimbashi.
Ai theksoi se Sindikata do të presë reagim deri më 05.08.2025 dhe në rast se nuk ka alokim të mjeteve buxhetore do të ketë edhe grevë të punëtorëve.
“Sindikata e Punëtorëve pret nga institucionet shtetërore afatin deri më 5 të këtij muaji, që të alokojnë mjetet sipas obligimeve ligjore, pra deri më 5 gusht. Nëse kjo nuk do të ndodhë që ne presim të ndodhë se është kërkesë ligjore e jona. Është e drejtë e jona paga. Si paralajmërim për këto veprime të mëtejshme, përveç protestës do të hyjmë edhe në greva. Ne do të dalim në protestë fillimisht, pastaj do të vazhdojmë edhe me greva.” – potencoi Gëzim Bimbashi.
Ai shtoi ndër të tjera se u bëjnë thirrje partive politike dhe institucioneve që RTK-ja të mos shihet si interes politik.
“Sindikata e Punëtorëve u bën thirrje të gjitha partive politike dhe institucioneve që të mos e përdorin RTK-në për interesa politike. Por, ta mbrojnë atë si pronë publike dhe si një ndër shtyllat e Demokracisë.” – u shpreh ai.
Edhe Fisnik Durguti, sindikalist, tha se secila Qeveri që ka ardhur në pushtet ka premtuar që do të rregullohet statuti i këtij institucioni publik, por që sipas tij nuk ka pasur vullnet.
“Megjithatë, duket fare qartë se nuk ka pasë vullnet politik që asnjëherë të rregullohet çështja e Radio Televizionit të Kosovës.” – deklaroi Durguti.
Kurse kryeministri në detyrë Albin Kurti në një Konferencë për media, më 21.07.2025, ka thënë se sipas Ligjit për Buxhet buxheti i RTK-së ndahet sipas Vendimit të Komisionit për Buxhet të Kuvendit të Kosovës.
“Këto janë problemet kur ne kemi institucionet që kanë dalë nga Kuvendi i Republikës, i cili ngelet i pakonstituuar dhe rrjedhimisht edhe Qeveria kur do të ndihmojë është e penguar.” – ka deklaruar Kurti.
Në lidhje me çështjen e RTK-së, më 22.07.2025, ka reaguar edhe ish-kryeministri, tashmë deputet i LDK-së, Avdullah Hoti.
Ai ka shkruar në Facebook se RTK-ja nuk duhet të mbetet pa buxhet, pavarësisht se Kuvendi nuk është funksional.
Hoti shkruan se buxheti i RTK-së është pjesë e Ligjit për ndarjet buxhetore dhe ekzistojnë mjetet në Thesar që janë të përcaktuara për këtë qëllim.
“Në mungesë të Kuvendit funksional zgjidhja ligjore për alokimin e përkohshëm të buxhetit mund të bëhet sipas praktikave të mëparshme.” – shkruan mes të tjerash Hoti.
Tutje, ai ka thënë se në prag të Zgjedhjeve të përgjithshme 2021 Qeveria e tij që ishte në detyrë kishte marrë Vendim për alokimin e buxhetit për RTK-së.
Në atë Vendim Hoti tregon se janë të përfshira dy Pika që e obligojnë Thesarin të bëjë përshtatjet e nevojshme sipas Vendimit të Komisionit Parlamentar për Buxhet, që merret pas konstituimit të Kuvendit.
“Zyrtarët ligjorë të Qeverisë së atëhershme dhe këshilltarët ligjorë të Kryeministrit e kishin plotësuar këtë Vendim edhe me Arsyetimin përkatës, në mënyrë që secili që e lexon këtë Vendim të kuptojë rrethanat në të cilat është marrë ai.” – ka shkruar tutje Hoti.