Si ndodhi që 6 salla të sporteve në Fushë Kosovë u ndërtuan e u renovuan por nuk u funksionalizuan?
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 12 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 13 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 14 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Nga viti 2018 deri në vitin 2020, pesë kontrata për ndërtimin e sallave të sporteve u nënshkruan nga Komuna e Fushë Kosovës me vlerë gati 830 mijë euro.
Në këto kontrata parashihej ndërtimi i sallave sportive në Lismir, Pomozotin, Vragoli, Miradi të Epërme, salla për artet maciale dhe salla e sporteve në shkollën “Selman Riza”.
Këto gjashtë salla janë ndërtuar e më pas edhe janë renovuar me dy kontrata të vitit 2023 të Komunës së Fushë Kosovës që tejkalojnë shifrën prej 313 mijë eurove, që i bie se së bashku me kontratat për ndërtimin e tyre u investuan mbi 1 milion euro.
Për këto salla, KALLXO.com ka siguruar raportet e Auditorit të Brendshëm të Komunës së Fushë Kosovës, Shyqeri Krasniqi, i cili shkeljet i ka raportuar edhe në Prokurori.
KALLXO.com për këto salla ka intervistuar edhe Shyqeri Krasniqin, Auditor i Brendshëm në Komunën e Fushë Kosovës.
Ai ka konfirmuar raportet e tij dhe ka shtuar se pasi që i ka dërguar lëndët në Prokurori, atij iu ndalua auditimi në Komunë.
“Më 10.02.2023 i kam dorëzuar në Prokurori 11 lëndë të sallave të sporteve. Aty kam cekur që çdo njëra sallë pikon, nuk shfrytëzohet prej qytetarëve dhe prej nxënësve dhe dyshemeja si vale deti, lagështia ka shkuar deri në dritare, rrymë, toaleta të demoluara. Renovimi ka filluar në vitin 2023, nuk kam mund më me i vizitu për shkak se auditimi më është ndaluar në periudhën kur unë e kam dorëzuar këtë lëndë. Kryetari i Komunës ma ka ndërprerë punën dhe ma lëshoi një vendim që nuk kam të drejtë me i auditu dhe më ka denuar 20 përqind në pagë” – ka deklaruar Krasniqi.
Në vitin 2020 u nënshkrua kontrata për ndërtimin e sallës së sporteve në fshatin Pomozotin, kontrata tejkalonte shifrën prej 149 mijë eurove.
Raporti i Auditorit të brendëshëm tregon që salla në Pomozotin kishte ngrohje jofunksionale, pikim të ujit në sallë, lagështi në mure, dysheme plastikë e si valë deti, muret e tualeteve dhe zhveshtoreve ishin të çara dhe pllakat të vendosura jo mirë, mbi të gjitha salla nuk shfrytëzohej nga nxënësit.
Kjo sallë përfundoi renovimin në pjesën e dytë të vitit 2024.
Kur ekipi i KALLXO.com e ka vizituar këtë sallë në mars të vitit 2025 ka gjetë se edhe pas renovimit, salla nuk po shfrytëzohej nga nxënësit, kishte lagështi në mure, nuk kishte ujë e ngrohje dhe as pajisje sportive.
Ngjashëm si salla në Pomozotin, edhe ajo në fshatin Lismir u ndërtua e renovua, për të filluar të përdoret tek në shtator 2024.
Auditori i Brendshëm, në një raport të vitit 2023 ka thënë se salla nuk shfrytëzohej nga nxënësit, ngrohja nuk ishte funksionale, nga kulmi pikon uji, lagështia në mure kishte shkuar 1-2 metra, dyshemeja ishte e vendosur laminat si valë deri në vend të dyshemesë notuese për sport, muret e toaleteve e zhveshtoreve ishin të çara dhe se nuk është aplikuar masa e sigurimit të kontratës.
Kontrata për këtë sallë u nënshkrua në vitin 2019 dhe kishte vlerë mbi 177 mijë euro. Më pas, në vitin 2023 u nënshkrua kontrata tjetër për renovimin e saj.
Edhe pse kjo sallë ka filluar të përdoret nga nxënësit, KALLXO.com ka gjetur se ndonëse kjo sallë përdorej, ajo kishte akoma lagështi në mure, nuk kishte ujë, kishte defekt me ngrohtoren, kishte çarje në pllakat e toaleteve si dhe shtyllat në muret e sallës ishin të thepisura dhe rrezikojnë nxënësit në sallë. Shto këtu edhe mungesën e pajisjeve sportive.
Drejtori i shkollës ‘Lismiri’ në fshatin Lismir, Uran Tërnava, për KALLXO.com ka thënë se salla shfrytëzohet pas pranimit teknik në shtatorin e vitit 2024.
“Nuk posedon pajisjet sportive, golat e të tjerat por si objekt është i përfunduar. Nuk kemi hyrje të shiut brenda në objekt. Nuk pikë askund, salla është në gjendje të mirë. Para renovimit, salla nuk ka qenë e shfrytëzueshme” – ka deklaruar Tërnava.
Këto dy salla janë ndërtuar nga kompania “Seti Commerce”, të cilët thonë se kanë kërkuar nga Komuna e Fushë Kosovës që sallat në Lismir e Pomozotin të ngriten për nga 20 centimetra më lartë për shkak se janë nën nivelin e rrugës por që kjo kërkesë u refuzua nga Komuna e Fushë Kosovës.
“Është kry sipas projektit, është kry sipas lartësisë, vërejtjet i kemi dhënë në fillim për shkak të lartësisë që duhet me u çu edhe 20 centimetra më lartë. Ata kanë thënë ‘realizone projektin edhe në rregull jemi’. Janë marrë procedurat, janë marrë edhe Prokuroria me të, pesë-gjashtë herë jam kanë, i kam dhënë edhe raportet në Prokurori, kështu që nuk di çka mundem naj send me ju ndihmu më tepër” – ka deklaruar Nisret Bajraktari nga kjo kompani.
Mbi 365 mijë euro ka qenë vlera e kontratës së nënshkruar për ndërtimin e sallës së sporteve në fshatin Miradi e Epërme, kontratë e nënshkruar në vitin 2018.
Në vitin 2023, Auditori i brendshëm ka gjetur se në këtë sallë ngrohja ishte jofunksionale, pikon uji nga kulmi, dyshemeja ishte e vendosur laminat si valë deti. Instalimi elektrik ishte i demoluar dhe se salla nuk shfrytëzohej nga nxënësit.
Në vitin 2023 u nënshkrua kontrata për renovimin e kësaj salle së bashku me atë të Lismirit dhe Pomozotinit. Edhe pse u renovua, në mars të vitit 2025, KALLXO.com gjeti se salla nuk shfrytëzohej akoma.
Përveç se nuk u shfrytëzua kjo sallë ajo ka mungesë të ujit, të pajisjeve sportive e shenja që pikon uji.
Gjendje më të mirë nuk ka as salla e sporteve në Vragoli, sallë e cila ka filluar të ndërtohet po ashtu në vitin 2018, pjesë e së njejtës kontratë me sallën në Miradi të Epërme dhe me sallën tek shkolla “Selman Riza”.
Më 07.10.2021, kryetari i Fushë Kosovës ka luajtur futboll në këtë sallë, megjithatë salla nga nxënësit nuk shfrytëzohet as në vitin 2025.
Pas ndërtimit të saj, në raportin e vitit 2023 të Auditorit të brendshëm thuhet se kaldaja në këtë sallë nuk ishte e lidhur, pikonte uji nga kulmi dhe se salla nuk shfrytëzohej nga nxënësit.
Salla e Vragolisë, së bashku me sallën e shkollës “Selman Riza” dhe sallën e Arteve Marciale kanë filluar renovimin e tyre në vitin 2023, me një kontratë mbi 157 mijë euro.
Kur këtë sallë e vizitoi ekipi i KALLXO.com në qershor të vitit 2024, ka gjetur një xham të dritares që kishte rënë brenda sallës. Xhami edhe në mars 2025 nuk ishte rregulluar po që ishte zëvendësuar me material të drurit.
Kjo sallë, kur KALLXO.com e vizitoi në mars të vitit 2025 nuk shfrytëzohej nga nxënësit e laminati i vendosur në sallë kishte filluar të dëmtohej.
Sallën e sporteve tek shkolla “Selman Riza”, KALLXO.com nuk e gjeti asnjëherë të hapur gjatë vizitave qershor 2024 – mars 2025. Kjo për shkak se çelësi i saj nuk ishte pranuar asnjëherë nga shkolla, sipas drejtorit të saj.
Kjo sallë kishte filluar të ndërtohej në vitin 2018 me atë të Miradisë së Epërme e Vragolisë e më pas në vitin 2023 kishte filluar të renovohej së bashku me atë të Vragolisë dhe të Arteve Marciale por që asnjëherë nuk u lëshua në funksion.
Në vitin 2023, Auditori i brendshëm në raportin e tij shkruante se salla e shkollës “Selman Riza” ka ngrohje jofunksionale, nuk shfrytëzohet nga nxënësit, pikon uji në sallë, një pjesë e dyshemesë nuk ishte e vendosur, dhe se instalimi elektrik ishte demoluar. Në raportin e tij thuhet se për ndërtimin e kësaj salle, asaj të Miradisë së Epërme dhe Vragolisë u paguan mbi 341 mijë euro nga mbi 365 mijë sa ishin me kontratë, për shkak se kontrata u ndërpre.
Probleme janë shfaqur edhe në sallën e Arteve Marciale, për këtë sallë u nënshkruan dy kontrata, fillimisht në vitin 2018 një kontratë me vlerë mbi 127 mijë euro, më pas në vitin 2020 një në vlerë 7 mijë e 990 euro.
Pavarësisht dy kontratave, në vitin 2023, auditori gjeti se salla nuk shfrytëzohej, pikonte kulmi dhe se dyshemeja ishte laminat në vend se të ishte nga goma.
Edhe kjo sallë u renovua me tenderin e nënshkruar në vitin 2023.
Kur KALLXO.com e vizitoi këtë sallë në mars 2025 gjeti se dyshemeja ishte laminat dhe e mbuluar me dyshekë gome.
Sallat e Arteve Marciale, ajo e Miradisë së Epërme, e Vragolisë dhe e shkollës Selman Riza, janë ndërtuar nga kompania “Otland Group”, nga kjo kompani për KALLXO.com kanë thënë se pranimi teknik është bërë dhe se punët janë kryer sipas projektit.
“Këto normal janë nda në dy/tri faza, na fazën e parë e kemi përfundu, në fazat tjera s’di çka ka. Ka shku sipas projektit, qysh është në projekt, gjithçka në rregull. Është bërë pranimi teknik. Është kanë njëfarë telashe në këto salla, sepse ka pikë uji, ka pas mungesë të ngrohtores e dritaret… Nuk e di, çështjet tjera nuk i di, sepse këto i kanë 5-6 vjet a s’di kur janë ndërtu. S’di çka të them, veç e di që janë nda në 2-3 faza, në fazën e parë është bërë ndërtimi me disa pjesë tjera, në fazën e dytë tjera, në të tretën a s’di çka kanë bërë” – ka deklaruar për KALLXO.com Afrim Kolgeci nga “Oltand Grup”, i cili ka konfirmuar po ashtu se Komuna nuk i ka thirrur asnjëherë për telashet në këto salla.
Arton Thaqi nga kompania “Vetoni” dhe Nuhi Nuhiu nga kompania “Engroup”, që ishin kompanitë që kishin fituar dy tenderët për renovimin e këtyre sallave, kanë treguar për KALLXO.com se puna kryesore ka qenë tek dyshemeja.
“Renovimi i dyshemesë ka qenë, renovimi jo por rregullimi i të resë, sepse ajo ka qenë e dëmtuar shumë, na e kemi ndërru dyshemenë, suvatimin e brendshëm, kulm diçka ka pasë në Miradi të Epërme apo të Ulët sepse tash nuk po e di cilat po janë. Është kanë edhe nxemja qendrore, këto, kryesisht këto. Për zotin unë nuk e kam ndonjë ankesë prej Komunës, aty në fillim janë kanë do pika, ne i kemi sanuar edhe ato dhe më nuk di që ka pas aty diçka. Për lagështi të ujit, në Lismir edhe në Pomozotin, janë shumë ulët, të ndërtuara janë ulët dhe ato ne nuk kemi mund me ngrit objektin” – ka deklaruar Thaqi.
Thaqi ka shtuar se vonesa në kryerjen e punëve iu kanë shkaktuar ardhja e gomës për dysheme nga Franca.
“Punët aty janë kanë të kryera, ne shumë pak kemi punu aty. Shumica janë kanë të kryera. Janë kanë të papërfunduara realisht” – ka deklaruar Nuhiu në anën tjetër.
Komuna e Fushë Kosovës ka refuzuar kërkesën për qasje në dokumente sa i përket këtyre sallave të sporteve. Arsyetimi ka qenë se po hetohen nga Prokuroria.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në gusht të vitit 2024 ka konfirmuar për KALLXO.com se po hetohen 11 persona, prej tyre 9 zyrtarë për sallat e Lismirit dhe të Arteve Marciale.
“Hetimet në rastin konkret janë duke u zhvilluar, prandaj nuk mund të japim informata të detajuara në këtë fazë, ashtu që dhënia e çfarëdo informate tjetër do ta cenonte procedurën hetimore” – ka deklaruar mes tjerash Prokuroria.
KALLXO.com ka intervistuar edhe drejtorin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ali Topalli, i cili thotë se gjendja e sallave sipas tij është e mirë.
Ai shton se ka mbetur që ato të pajisjen me pajisje sportive dhe të lëshohen në përdorim, çështje kjo e cila është zvarritur për shkak të procedurave të prokurimit.
“Përfundimi i punimeve në këto salla, ka qenë viti i kaluar. Kemi pas një shqetësim në Miradi të Epërme, e kam parë sallën dhe kam pa që ka nevojë për nja dy ndërhyrje të vogla. Me përgjegjësi të plotë e them se sallat, punimet në salla kanë shkuar sipas kontratës. Lagështia mund të jetë sepse brenda mund të krijohet kondenzim i ajrit për shkak se nuk janë të shfrytëzuara, për shkak se nuk ka edhe ajrosje. Për të gjitha ka përfunduar pranimi teknik” – ka thënë Topalli.







