Flamuri i Suedisë, Foto: Pixabay
Shtetet nordike dhe baltike shprehin shqetësimin pas sulmit rus në hapësirën ajrore polake
Aleatet e Polonisë në NATO kanë lëshuar deklarata duke shprehur solidaritet dhe shqetësime pas sulmit rus me dronë në hapësirën ajrore polake, raporton BBC.
Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, ka thënë se shkelja e hapësirës ajrore polake nga Rusia është “e papranueshme”.
“Lufta rus e agresionit kundër Ukrainës përbënm kërcënim të sigurisë për të gjithë Europën”- ka deklaruar ai.
“Polonia ka gjithë të drejtën të mbrojë hapësirën e saj ajrore. Ne i shprehim mbështetjen tonë të plotë Polonisë, si aleate e NATO-s dhe si anëtare e BE-së. Suedia dhe Polonia janë bashkë në përkrahjen tonë për Ukrainën”.
Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, ka postuar në X duke shprehur “përkrahjen e solidaritetin e plotë” për Poloninë dhe aleatët.
Ai ka thënë se “agresioni rus në Ukrainë ndikon direkt te ne dhe se duhet të merren masa të duhura”.
Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, i ka quajtur “krejtësisht të papranueshme dhe thellësisht shqetësuese” veprimet e fundit rus. Ai ka shprehur mbështetje të palëkundur të Norvegjisë për “aleaten tonë Poloninë dhe për vlerat tona të përbashkëta për sigurinë europiane”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com