Foto: REL
Hamasi refuzon rezolutën e Këshillit të Sigurimit, pretendon se forca ndërkombëtare do të bëhej palë e konfliktit
“Hamasi” e ka hedhur poshtë rezolutën e Këshillit të Sigurimit, hartuar nga presidenti Shtetet e Bashkuara në të cilën përfshihet edhe plani për Gazën i presidentit amerikan, Donald Trump, duke theksuar se ajo nuk i përmbush të drejtat e kërkesat e palestinezëve, dhe që kërkon të vendoset një bord ndërkombëtar për qeverisjen e enklavës që kundërshtojnë palestinezët dhe fraksionet e rezistencës, raporton Reuters.
“Të ngarkosh forcën ndërkombëtare me detyra dhe role brenda Rripit të Gazës, përfshirja çarmatosjen e rezistencës, e zhvesh atë prej neutralitetit, dhe e kthen atë në palë të konfliktit në favor të pushtimit”- thuhet në reagimin e “Hamasit”.
Në plan përfshihet edhe krijimi i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), për të cilën SHBA-ja thotë se shumë vende janë ofruar të kontribuojnë.
Rezoluta u mbështet nga 13 vende – përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Somalinë – dhe asnjë nuk votoi kundër propozimit. Rusia dhe Kina abstenuan.
Sipas rezolutës, ISF-ja do të bashkëpunojnë me Izraelin dhe Egjiptin, së bashku me një forcë policore palestineze të trajnuar dhe të verifikuar rishtazi, për të ndihmuar në sigurimin e zonave kufitare dhe për të siguruar procesin e çarmatosjes së përhershme të grupeve të armatosura jo-shtetërore, përfshirë “Hamasin”.
Deri më tani, policia atje ka vepruar nën autoritetin e “Hamasit”.
Mike Waltz, ambasadori i SHBA-së në OKB, i tha Këshillit se ISF-ja do të “ngarkohej me sigurimin e zonës, mbështetjen e demilitarizimit të Gazës, çmontimin e infrastrukturës terroriste, heqjen e armëve dhe sigurimin e sigurisë së civilëve palestinezë”, raporton BBC.
Këshilli i Sigurimit miratoi gjithashtu krijimin e një organi qeverisës kalimtar të quajtur Bordi i Paqes (BoP), i cili do të mbikëqyrte qeverisjen e një komiteti teknokratik dhe apolitik palestinez dhe do të mbikëqyrte rindërtimin e Gazës dhe ofrimin e ndihmës humanitare.
Financimi për rindërtimin e Gazës pas dy vitesh lufte do të vinte nga një fond besimi i mbështetur nga Banka Botërore, sipas rezolutës.
Sipas rezolutës, si ISF-ja ashtu edhe BoP-i do të punonin së bashku me një komitet palestinez dhe forcë policore.
Trump e ka quajtur votimin e Këshillit të Sigurimit “historik” dhe ka theksuar se ishte një mënyrë për të “njohur dhe mbështetur” BoP-in, me anëtarësimin e saj përfundimtar që do të shpallet së shpejti. Ai pritet ta kryesojë atë.
“Kjo do të mbahet mend si një nga miratimet më të mëdha në historinë e Kombeve të Bashkuara, do të çojë në paqe të mëtejshme në të gjithë botën dhe është një moment me përmasa të vërteta historike!” – ka shkruar ai në platformën e tij Truth Social.
Ndryshe nga draftet e mëparshme, rezoluta i referohet një rruge të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze. Është një gjuhë që disa anëtarë të këshillit e mbështetën.
Izraeli kundërshton fuqimisht krijimin e një shteti palestinez, një pengesë e rëndësishme në rrugën drejt shtetësisë së ardhshme. Shtetet kryesore arabe kishin ushtruar presion mbi hartuesit e rezolutës që të përfshinin vetëvendosjen palestineze në tekst.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com