Ministrja Arbërie Nagavci dhe dy zëvendësministrat e Arsimit. Bora Shpuza - gruaja e dytë në të djathtë, Foto: Bora Shpuza/Facebook
Shefja e kabinetit të Nagavcit ia mësyn pozitës udhëheqëse në Ministri të Arsimit
Bora Shpuza, shefja e kabinetit të ministres në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavci ka aplikuar në konkursin për pozitën e udheheqësit të Divizionit për Komunikim me Publik të datës 27.03.2025 në këtë Ministri. Shpuza përmes telefonit i ka thënë KALLXO.com se ky nuk është favorizim ndaj saj nga Ministria e Arsimit.
Në Sistemin Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore është publikuar lista e aplikantëve, të cilët janë verifikuar dhe do të vazhdojnë me procedurat tjera të konkursit. Sipas informacioneve të KALLXO.com, ende nuk ka filluar testimi me shkrim i kandidatëve.
Në listën e aplikantëve, Shpuza figuron e dyta. Në rast se zgjedhet kandidate e suksesshme, Shpuza do të kalojë nga pozita politike në shërbim civil, me mandat katër vjeçar.
KALLXO.com e ka pyetur edhe Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK) për aplikimin e Shpuzës në pozitën udhëheqëse në Ministri të Arsimit dhe ata kanë theksuar se të gjithë anëtarët e komisionit vlerësues janë të thirrur dhe obligohen që të deklarojnë konfliktin eventual të interesit, në raport me kandidatët që vlerësohen.
“Komisioni vlerësues duhet të shoh paraprakisht nëse ka ndonjë kufizim apo ndalesë të paraparë me Rregulloren për Parandalimin e konfliktit të interesit që ka MASHT-i në fuqi, e po ashtu edhe me ligjet tjera respektive si dhe kriteret e veçanta të konkursit. Nëse konstatohet se nuk ka kufizime e ndalesa të tilla, dhe i njëjti vlerësohet me më së shumti pikë, e brenda afateve të parapara ligjore nuk ka as ankesa për shkelje tjera procedural të mundshme (KPMSHC), atëherë sigurisht se edhe mardhënja e punës mund të themelohet” – thuhet në përgjigjen e APK-së, më 05.06.2025.
Shpuza i tha KALLXO.com se përderisa aplikimi i saj është pranuar, ajo e konsideron “të ligjshëm”.
“Është aplikim si krejt, secili ka të drejtë me apliku në atë pozitë. Përderisa aplikimi është pranu, është i ligjshëm, me rregulloret aktuale që janë në fuqi. Sikur të mos kishte qenë i ligjshëm atëherë nuk do të ishte pranu aplikimi prej fillimit” – ka thënë Shpuza, më 04.06.2025.
KALLXO.com nga data 04.06.2025 e ka pyetur Ministrinë e Arsimit për aplikimin e Shpuzës për pozitën e udhëheqësit të Divizionit për Komunkim me Publik, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Po ashtu, më 04.06.2025 është pyetur edhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) nëse i lejohet Shpuzës nga pozita e shefes së kabinetit të aplikojë në pozitën e udhëheqëses, por as ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Shpuza e ka mohuar se i është premtuar pozita e Udhëheqëses së Divizionit për Komunikim me Publikun nga Ministria e Arsimit.
“Premtimi nuk është pjesë e këtyre procedurave [të konkursit]. Procedurat janë të rregullta, secili kandidat analizohet në bazë të përvojës profesionale që ka edhe kalon në procedurë të rregullt të seleksionimit” – tha Shpuza.
Shpuza tha se ka aplikuar para disa javësh në konkursin për pozitën e Udhëheqësit të Divizionit për Komunikim me Publik.
Kur u pyet nëse paraqet konflikt interesi aplikimi dhe vlerësimi i saj në konkursin për pozitën e Udhëheqësit të Divizionit për Komunikim me Publik në Ministri të Arsimit, Shpuza tha “jo, përndryshe, nuk do të ishte pranuar aplikimi [im]”.
Shpuza mendon se i plotëson kriteret për këtë pozitë në Ministri të Arsimit, ndërsa tregoi se në dhjetor të vitit 2022 është emëruar shefe e kabinetit të Nagavcit.
Disa nga kriteret për pozitën e udhëheqësit të Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministri të Arsimit sipas shpalljes së konkursit më 27.03.2025, janë: të jetë shtetas i Kosovës; të zotërojë të paktën njërën nga gjuhët zyrtare, në pajtim me Ligjin për Gjuhët; të mos jetë e/i dënuar për kryerjen e një veprës penale me dashje; të mos ketë në fuqi masë disiplinore për shkelje të rëndë në institucion publik, dhe të tjera.
Në anën tjetër, udhëheqësi i Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministri të Arsimit drejton dhe mbikëqyrë të gjitha aktivitetet e Divizionit dhe siguron funksionim efikas të tij; kontribon në procesin e vendimmarrjes sipas fushës së përgjegjësive; planifikon, përgatit, monitoron dhe analizon buxhetin e Divizionit si dhe aktivitetet tjera të Divizionit.