Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Serbia reagoi pasi Kenia njohu Kosovën - MPJD: Serbia po sinjalizon për agresion
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dalë me Deklaratë pas reagimeve të shtetit të Serbisë ndaj Kenias, që njohu pavarësinë e Kosovës më 26.03.2025.
MPJD thotë se Qeveria e Serbisë ka “zbuluar fytyrën e tyre të vërtetë” – duke treguar se nuk kanë interes për normalizim të marrëdhënieve.
“Deklarata e tyre e fundit si përgjigje ndaj Vendimit sovran të Republikës së Kenias për të njohur Republikën e Kosovës vërteton se Serbia vazhdon të refuzojë të përmbushë zotimet e saj në kuadër të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të lehtësuar nga BE-ja.” – thuhet në Deklaratën e MPJD-së.
Ministria e Punëve të Jashtme ka akuzuar Serbinë se po kryen fushatë të gënjeshtrave, manipulimeve dhe propaganduese ndaj Kosovës.
“Kjo nuk është hera e parë që Serbia i shpërfill hapur zotimet e saj ndaj Bashkimit Evropian. Duke refuzuar njohjen e Kosovës dhe duke shtrembëruar parimet juridike ndërkombëtare, Serbia sfidon hapur detyrimet e saja të përcaktuara me Nenet 1-5 të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, të arritur në kuadër të Dialogut të Brukselit.” – shkruan tutje në Deklaratën e MPJD-së.
Deklarata e MPJD-së përmend edhe kohën e luftrave të viteve 90-ta në Ballkan, glorifikimin e kriminelëve të dënuar të luftës dhe se Serbia udhëhiqet nga individë të cilët kanë filluar luftërat.
Ministria Kosovare thotë se Serbia gënjen kur thotë se 28 shtete kanë tërhequr njohjen e tyre për Kosovën.
“Pohimi se 28 shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës në tetë vjetët e fundit është një gënjeshtër e paskrupullt. Përpjekjet e Serbisë për të minuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës përmes manovrave të sajuara diplomatike kanë dështuar vazhdimisht. Përveç kësaj, Serbia dëshiron që bota të injorojë opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, një interpretim juridik që vetë Serbia e kërkoi, me shpresën për një Vendim në favor të saj.” – shkruan tutje.
Tutje thuhet se në deklaratën e Serbisë ka kërcënim të drejtpërdrejtë.
“Duke deklaruar se do ta mbrojë ‘me vendosmëri më të madhe’ sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, Serbia po sinjalizon sërish gatishmërinë e saj për agresion. Duke pasur parasysh veprimet e saj të vazhdueshme armiqësore kundër Kosovës, që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, përfshirë sulmet ushtarake, politike, diplomatike dhe ekonomike bashkësia ndërkombëtare duhet t’i marrë këto kërcënime seriozisht.” – thuhet tutje në deklaratë.
Republika e Kenias ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës më 26.03.2025.
Ish-presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli ka deklaruar se më 26.03.2025, shteti i Kenias e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
“17 vjet pas pavarësisë, në një ceremoni të jashtëzakonshme e të paharrueshme, Republika e Kenias, një nga shtetet më të rëndësishme të Afrikës, e njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran!” – ka shkruar ai në Facebook.
Pas njoftimit të tij, presidentja Vjosa Osmani ka konfimruar deklarimin e Pacollit.
“Republika e Kosovës mirëpret Vendimin e Republikës së Kenias për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, nëpërmjet Vendimit të nënshkruar nga presidenti Ruto, të dërguar zyrtarisht pak më parë në Presidencë.” – ka shkruar Osmani në Facebook, më 26.03.2025.
Osmani ka thënë se kjo njohje është një dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme për të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi, sovranitet dhe integritet territorial.
Me këtë rast, ajo e ka falënderuar për angazhim të vazhdueshëm ish-presidentin dhe ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacollin.
“Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës shpreh falënderime të sinqerta ndaj presidentit të Kenias William Ruto, për këtë Vendim të drejtë dhe të rëndësishëm, si dhe ndaj institucioneve dhe qytetarëve kenianë të cilët mbështetën këtë hap të madh diplomatik.” – ka shtuar ajo.
Presidenten Osmani dhe presidentin Pacolli i ka falënderuar kryeministri Kurti për njohjen e sjellë për Republikën e Kosovës.
Ndërsa, përmes një njoftimi në rrjetin social X, Ministria e Punëve të Jashtme e Kenias njofton se në ceremoninë e nënshkrimit të njohjes ish-presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli ka qenë si i deleguar i presidentes Vjosa Osmani.
“Kenia e ka njohur Kosovën në interes të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, integritetit territorial dhe në avancimin e forcimit të marrëdhënieve me vendet e Ballkanit. Në këtë drejtim presidenti William Ruto sot u takua me Behgjet Pacollin, të dërguarin special të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, në Shtëpinë e Shtetit në Nairobi.” – thuhet në njoftimin e lëshuar, më 26.03.2025.
Pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Kenia ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë, e cila ka thënë se ky veprim është në kundërshtim me Të Drejtën Ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244.
“Republika e Serbisë do të marrë të gjitha masat e nevojshme diplomatike dhe politike në përgjigje të këtij akti të papranueshëm dhe jomiqësor. Republika e Serbisë mbetet fuqishëm e përkushtuar për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial përmes të gjitha mjeteve diplomatike dhe ligjore në dispozicion.” – thuhet mes të tjerash në reagimin e Serbisë.
The Ministry of Foreign Affairs of the Republic of Serbia strongly condemns the decision of the Republic of Kenya to recognize the unilaterally declared independence of so-called “Kosovo.”
Such an act constitutes a blatant violation of international law and a direct breach of…
— MFA Serbia (@MFASerbia) March 26, 2025