Rrëfimi i policit për momentin e vrasjes së Afrim Bunjakut: Ishte sulm tipik ushtarak
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 12 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, tre prej 45 personave nga grupi i Millan Radoiçiqit, të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë”, janë sjellë edhe sot para gjyqit në Gjykatën e Prishtinës.
Ata akuzohen për sulmin terrorist në fshatin Banjskë, ku kishte mbetur i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku më 24.09.2023.
Gjykimi sot më 12.06.2025 ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Elez Peci, Koordinator i sektorëve në stacionin policor në Zveçan.
Në këtë rast të akuzuar janë 45 persona, por vetëm tre prej tyre janë të paraburgosur, Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq.
Në seancë nuk ishin prezent përfaqësuesit e palëve të dëmtuara.
Dëshmitari tha se si zyrtar policor prej ngjarjeve të ndodhura në shtator të vitit 2023, ku kishte ndodhur shpërthimi është shumë i lënduar dhe e ndjen veten si palë e dëmtuar.
“Unë si zyrtar policor jam shumë i lënduar shpirtërisht me humbjen e heroit, rreshterit Afrim Bunjaku. Normal atë natë nuk kam pasë lëndime, por emocionalisht dhe shpirtërisht jam shumë i lënduar dhe e ndiej veten si palë e dëmtuar”- tha dëshmitari Peci
Dëshmitari Peci gjatë pyetjeve të prokurorit Abazi tregoi detaje se si kishte ndodhur shpërthimi, me ç’rast kishte mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
“Kur jemi shku në Banjskë diku pa u afru të kamioni afër 20 metra, diku i kena parku automjetet, edhe kena vazhdu na katër jena nis në drejtim të kolegëve tanë të cilët kanë qenë mbrapa kamionit duke e monitoru situatën”- tha ai.
“Gjatë rrugëtimit e kam vërejtur se diçka nuk është në rregull. Shumë terr, s`ka pasë dritë, ndërsa rruga ka përshkonin ne ndriçimi shumë i fortë, kur jemi afru ngat kolegëve tanë të NJRSh-së, unë kam dyshu dhe kam thënë ‘kolegë po shkepum’. Pastaj mbrapa meje ka ardh Sadati. Në anën e majtë ka qene një kamion i gjelbër buzë përroit (rekës së Banjskës), unë kam shku jam mbështetur ku është motori. I kam thanë kolegut, Sadatit, ‘përcjelle rrugën e Izvorit’. Në atë moment ka ndodhur një detonim shumë i fortë, detonimi ka qenë shumë i fortë, aq i fortë sa më ka humb edhe balancimi, detonim ka pasuar menjëherë me të shtëna të armëve kalibra të ndryshme”- tha dëshmitari Peci.
Dëshmitari tha se sulmuesit kanë qenë shumë afër.
“P.sh. në pjesën ku kam qenë unë ka qenë lumi, matanë lumit kanë qenë disa rrathë, prej asaj pozite kanë gjuajt në drejtim tonin, në atë anë ka pasur sulmues, shumë afër kjo distancë ka mujt me qenë 10-15 metra”- tregoi Peci.
Dëshmitari rrëfeu momentet edhe si janë munduar që ta tërheqin Afrim Bunjakun kur kishin kuptuar se ai ishte i plagosur.
“Momentin kur jemi sulmu unë siç thash e kam marrë veten, edhe kam fillu me e mbrojtë veten dhe kolegët e mi duke shtënë në drejtim të terroristëve, mirëpo ishim të pabarabartë si në numër edhe në armatim”- tregoi ai.
“Toyota e NJRSh-së ka qenë shumë afër, kolegu Mirsadi ka ardhur te unë ku kam qenë si pozicion, më ka thanë ‘koleg e kanë plagos rreshterin’. Ne e pamë ishim shumë afër po me i ofru ndihmë ishte e pamundshme. Ai ka thanë ‘po shkoj po e dhezi veturën tem po e tërheqë’. Mirëpo, për fat të keq nuk ka dhezë, e kam ndi zërin kur më ka thirrë ‘Elez nuk po ndizet vetura çka me bë’. Për fat të mirë i lash çelësat e veturës në kerr, dhe e kam njoftu i kam thanë ‘Mirsad nëse munesh me shku te vetura jonë, vetura është çel’, dhe e ka pru veturën e ka lënë në drejtim të Izvorit. Atëherë e ka kërku ndihmën me i ndihmu për me marrë rreshterin”- deklaroi dëshmitari Peci.
“Fahri Shala më ka thanë ‘Elez apo del ndihmom’, unë kam me ju mbrojtë sa të mundem, atëherë jam dalë unë nuk kish mo çka…, unë kam shku me hy mbrapa në veturë, jam mundu prej nalti me tërheq rreshterin, nuk kam mujt, atëherë jam dalë jashtë veturës e kam ngritë rreshterin e ndjerë e kam qit e kam ulë në gju, ja kom shti duart me e çu, kur e kam shti duart me e tërheq rreshterin m`u kanë nxe duart, e kam pa qe është gjak, dhe i kam heq duart, kam thanë mos pe lëndoj”- shtoi tutje Peci.
Dëshmitari tha se me kolegët e tij e kanë futur të ndjerin, rreshterin Afrim Bunjaku mbrapa në veturë, mirëpo edhe sa kanë qenë duke hipur në veturë, të shtënat nuk kanë pasë të ndalur dhe pasi kishin hipur në veturë, kolegu e tij e kishte njoftuar se nga të shtënat ishin shpërthyer gomat e veturës.
Dëshmitari Peci tha se sulmi ndaj tyre ka qenë tipik ushtarak.
“Sulmi që ka ndodhë ndaj nesh është sulm tipik ushtarak, i trajnuar fort mirë, nuk jam ballafaquar asnjëherë në jetën time me kësi sulmi, armatimi që ka qenë nuk mundet me u ble në treg, pra është i financuar direkt prej Serbisë”- tha dëshmitari Peci
“A keni njohuri mbi identitetin e sulmuesve, lidhjet e tyre të mundshme të sulmuesve, mos rastësisht ke njohuri që kanë lidhje me ndonjë strukturë?- ishte pyetja e prokurorit Naim Abazi.
Dëshmitari tha se “Personat si Radojiçiqi, dhe disa të tjerë në pjesën veriore kanë qenë gjithçka, ata kanë pasë aq strukturë të organizuar, si çdo herë kanë qarkullu me përcjellje të vet”- tha dëshmitari Peci.
Seanca pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të radhës.
Në seancën e së mërkurës më 11.06.2025 ka dëshmuar polici Mirsad Kryeziu.
Pasi që tregoi për momentet kur po përballeshin me grupin terrorist në Banjskë të Zveçanit në shtator 2023, ai para Gjykatës tregoi se si nga ai sulm u vra kolegu i tij, rreshteri policor Afrim Bunjaku.
“Kam vërejtur se nga ai detonim se njëri nga pjesëtarët tanë që në fakt ishte Afrim Bunjaku ishte i shtrirë përtokë dhe ishte i mbuluar pothuajse me gjak sepse detonimet që kishin bërë nga grupi tashmë terrorist mund ta quajmë ai ishte plagosur në fyt” – tha Kryeziu.
https://kallxo.com/ligji/rasti-banjska-deshmitari-jep-detaje-per-sulmin-terrorist-nga-i-cili-u-vra-rreshteri-policor-afrim-bunjaku/
Ky rast është duke u trajtuar nga trupi gjykues i përbërë nga Arben Hoti (kryetar i trupit gjykues) dhe Rrahman Beqiri dhe Ngadhnjim Arrni (anëtarë).
Tre të akuzuarit në rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 2023, Dushan Maksimoviq, Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq, edhe në shqyrtimin kryesor më 17.04.2025 nuk e pranuan fajësinë lidhur me veprat penale që u vihen në barrë.
Çka thotë aktakuza e Prokurorisë?
Ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq – është ngritur aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas aktakuzës mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale – terrorizëm, – financim i terrorizmit, dhe – shpëlarje e parasë.
Kjo pasi të njëjtit akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjakun.
Dosja e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com tregon me iniciale se cilët janë 45 të akuzuarit, e se cili ishte qëllimi i tyre.
“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirëorganizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht Komunat e banuara me Shumicë Serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë.” – thuhet në këtë dosje.
Prokuroria ka thënë se si rezultat i dhunës së përdorur ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile.
Në grupin kriminal të strukturuar, të udhëhequr nga Radoiçiq, janë këta të akuzuar: Milan Radoiqiq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesha Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Gjordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Urosh Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuckoviç, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviç, Marko Arsiç, Zharko Cvetkoviç, Krsto Damjanoviç, Stefan Milosavljeviç, Marko Saviç, Aleksandar Jevremoviç, Radosh Gvozdiç, Ivan Miliç, Gojko Zubaç, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milosh Milenkoviq, Gjorgje Baloviq, Danijel Gjukiç, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milosh Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, Radule Steviq dhe personi juridik “Rad D.O.O.”.
Ndërsa, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq po ashtu të akuzuar për “terrorizëm” janë në paraburgim që nga shtatori 2023.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj ka njoftuar më 11.09.2024 kanë ngritur Aktakuzë për 45 persona, për rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Naim Abazi, Prokurori i Speciales, i cili udhëhoqi hetimet e sulmit terrorist të 24 shtatorit të 2023-tës tregoi në detaje se si u hetua i gjithë ky rast.
Abazi në një Konferencë për media tha se ndaj 45 të akuzuarve rëndojnë veprat penale për “terrorizëm”, “financim terrorizmi” dhe “shpëlarje e parasë”.
Prokurori tha se hetimet për Banjskën kanë qenë më komplekset që ka pasur kjo Prokurori ndonjëherë dhe në hetim janë përfshirë Agjencitë më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare për zbatim të ligjit.
Sipas Abazit deri më tani janë realizuar afër 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur.
“Janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe rreth 1,266 armë e pajisje të tjera dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje.” – tha Prokurori.
Tutje, ai shtoi se gjatë hetimeve kanë hasur në disa sfida të rëndësishme, duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve dhe shpëlarjes së parave, si dhe përdorimin e teknologjive të avancuara të përfshira në aktivitetet kriminale nga ana e të akuzuarve.
“Kanë pasur role të ndryshme brenda këtij grupi kriminal: duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe shpëlarja e parave.” – theksoi tutje Prokurori.
Në Konferencë Abazi njoftoi se ndër të akuzuarit kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit Millan Radoiçiq, i cili u tha se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale.
Për këtë rast janë publikuar shumë video e pretendime në TikTok (shih: këtu, këtu dhe këtu), për arsyet dhe të dyshuarit e përfshirë.