Nis rishtazi gjykimi ndaj të akuzuarve për krime lufte në komunën e Istogut
Gjykimi ndaj të akuzuarve për krime lufte në komunën e Istogut, Momir Pantiq dhe Zharko Zariq ka filluar rishtazi sot më 28.10.2025 në Gjykatën e Prishtinës. Kjo pasi në vend të gjyqtarit Valon Kurtaj tashmë kryetare e trupit gjykues është gjyqtarja Donikë Shala- Abdyli.
Sipas aktakuzës, Momir Pantiq, në kohën kur janë kryer krimet ka qenë kryeshef i Stacionit Policor në Istog, kurse Zharko Zariq ka qenë polic. Ata akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale – krime lufte kundër popullsisë civile.
Fillimisht, të akuzuarit u deklaruan sërish se nuk ndihen fajtor për veprat penale për të cilat i ngarkon Prokuroria Speciale.
Pas deklarimit të të akuzuarve gjykimi vazhdoi me paraqitjen e fjalëve hyrëse rreth këtij rasti, ku fillimisht fjalën e mori prokurorja speciale, Florije Salihu- Shamolli.
Prokurorja Salihu- Shamolli tha se qëndron pranë fjalës hyrëse të dhënë më herët në shqyrtimin e mëparshëm gjyqësor dhe më tej tha se pas dëgjimit të gjithë dëshmitarëve, trupi gjykues do të bindet se dy të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilat ngarkohen nga PSRK-ja.
Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Momir Pantiq, avokati Millosh Delleviq tha se do të vërtetojnë se nuk ekziston asnjë provë e besueshme materiale ndaj të mbrojturit të tij dhe se konsideron që pafajësinë e të mbrojtorit të tij do ta vërtetojnë.
Vet i akuzuari Momir Pantiq tha se ‘akuzohet për një vepër penale të cilën ai asnjëherë nuk e ka kryer’.
“Asnjëherë në jetë jo vetëm unë po 99% të policëve nga stacioni i policisë në Istog nuk kanë marrë pjesë në veprimet luftarake dhe as që kanë kryer krime lufte, sepse as nuk kanë qenë të veshur as të trajnuar ta bëjnë këtë”- tha Pantiq.
Avokati Dejan Vasiq i cili mbron të akuzuarin Zharko Zariq tha se qëndron pranë fjalës hyrëse të dhënë më herët në shqyrtimin e mëparshëm, ndërsa vet i akuzuari Zariq tha nuk dëshiron të shtojë asgjë.
Më tej avokati Millosh Delleviq i propozoi Gjykatës zëvendësimin e masës së paraburgimit me atë të dorëzanisë për të akuzuarin Momir Pantiq, me arsyetimin se fakti që i mbrojturi i tij ka dy nënshtetësi nuk shërben si bazë për vazhdimin e masës së paraburgimit, dhe se masën e dorëzanisë do të sigurohet prania e të mbrojturit të tij në shqyrtim gjyqësor.
Edhe avokati Dejan Vasiq i propozoi Gjykatës zëvendësimin e masës së paraburgimit për të mbrojturin e tij Zharko Zariq duke e përmendur masën e arrestit shtëpiak apo atë të dorëzanisë.
Propozimet e mbrojtjes i kundërshtoi prokurorja Florije Salihu- Shamolli me arsyetimin se eksizton rreziku i ikjes së të pandehurve pasi të njejtit kanë edhe nënshtetësi serbe dhe se bashkëpunimi juridik ndërkombëtar me Serbinë mungon.
Lidhur me propozimet e mbrojtjes, kryetarja e trupit gjykues Donikë Shala- Abdyli, njoftoi se Gjykata do të vendosë me aktvendim jashtë seancës.
Me pëlqimin e të gjitha palëve në procedurë, deklarata e dëshmitarit Nexhmedin Pepaj e dhënë në shqyrtimin e mëparshëm gjyqësor u konsiderua e lexuar.
Tutje, seanca e sotme (28.10.2025) u ndërpre dhe seancat e rradhës u caktuan për në muajin nëntor 2025, ku pritet të dëgjohen dëshmitarët e tjerë të propozuar në aktakuzë.
Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga: Donikë Shala- Abdyli (Kryetare), Arben Hoti dhe Kushtrim Shyti (antarë).
Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 07.10.2024, në Gjykatën e Prishtinës, dy të akuzuarit Momir Pantiq dhe Zharko Zariq nuk e kishin pranuar fajsinë.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas aktakuzës së 1 shtatorit 2024 të pandehurit Momir Pantiq dhe Zharko Zariq akuzohen se gjatë viteve 1998-1999 në territorin e komunës së Istogut, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, vepruan në shkelje të rëndë të rregullave të së drejtës ndërkombëtare.
Sipas aktakuzës Momir Pantiq nën përgjegjësinë individuale dhe përgjegjësinë komanduese si kryeshef i Stacionit Policor në Istog ka kryer vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës civile të nacionalitetit shqiptar në komunën e Istogut.
I pandehuri Zharko Zariq akuzohet se në cilësinë e policit të Stacionit Policor në Istog dhe si ekzekutues i urdhrave ka kryer vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës shqiptare në Komunën e Istogut.
Aktakuzën voluminoze për këtë rast mund ta gjeni këtu.
Po ashtu të gjitha raportimet e tjera lidhur me këtë rast mund ti gjeni në këtë LINK.
Gjykimet për krimet e luftës
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.