Vilat në pronësi të familjes Stanaj në Podgoricë, Foto: RFE/REL
"Rokshped" - perandoria e familjes Stanaj në shënjestër të Prokurorisë malazeze
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 12 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 13 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 14 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 15 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Në kuadër të një aksioni kundër kontrabandës së cigareve Policia Speciale e Malit të Zi bastisi Kompleksin e vilave të familjes Stanaj në lagjen “Stari Aerodrom” në Podgoricë.
Kjo familje është pronare e Kompanisë “Rokshped”.
Aksioni u zhvillua me Urdhër të Prokurorisë Speciale.
Më 9 qershor u arrestuan ish-drejtori i Rokshped-it Prokopije Periq dhe katër persona të tjerë, përfshirë pronarin e Kompanisë “MP Shped Trans, Predrag Maxhgal”, ndërsa Ivan Turçinoviq u dorëzua vetë.
Periq është Drejtor i Kompanisë “Plus”, që tregton produkte duhani dhe është e lidhur me “Rokshpedin”.
Hetimet kanë në shënjestër bizneset e “Rokshpedit” – njërës prej Kompanive më të fuqishme në Mal të Zi.
Në krye të Kompanisë “Rokshped” është Nuo Stanaj, ndërsa “Rokshped Auto Qendra” drejtohet nga Sander Stanaj.
Sipas burimeve jozyrtare ata nuk ndodhen në Mal të Zi prej kohësh.
Çfarë dihet për bizneset e familjes Stanaj?
Familja Stanaj e themeloi Kompaninë “Rokshped” në vitin 1992.
Kompania, e drejtuar nga Rrok Stanaj, ishte fillimisht e përqendruar në transportin e mallrave në rrugë tokësore.
Gjatë sanksioneve kundër Republikës së atëhershme Federale të Jugosllavisë Kompania merrej me importin dhe shitjen e naftës dhe derivateve të naftës.
Pompën e parë të benzinës e hapi në vitin 2000.
8 vjet më vonë ia shiti zinxhirin e pompave Kompanisë ruse “Lukoil” për 26.5 milionë euro, me një klauzolë që e lejonte “Rokshpedin” të vazhdonte të operonte në këtë biznes.
Në vitin 1992 Ndërmarrja u regjistrua edhe për aktivitetin e importit dhe eksportit të cigareve, me miratimin e Gjykatës Ekonomike në Podgoricë.
Firma është importuesja e vetme e autorizuar e një numri të madh të markave të njohura të cigareve në Mal të Zi dhe distributorja e njërit prej prodhuesve më të mëdhenj ndërkombëtarë “Japan Tobacco International”.
Ajo posedon një rrjet prej afërsisht 300 Pikash për shpërndarjen e shtypit dhe cigareve.
Në vitin 2009 nga Kompania kroate “Agrokor” mori rrjetin prej 188 Pikash të shtypit, ndërsa një vjet më parë themeloi “Tobacco S pressin”, me 80 Pika shitjeje me pakicë.
“Rokshped Auto Qendra” është distributori i autorizuar i markave të makinave: Volkswagen, Audi, Seat dhe Cupra.
Gjatë viteve ’90 Kompania furnizoni me makina Qeverinë e Malit të Zi.
Në vitin 2006 ajo bleu Hotelin Galeb në Ulqin, që më pas u rrënua dhe në vend të tij duhej të ndërtohej një Hotel i ri.
Rroku, i cili kishte 6 djem, vdiq në nëntor 2016.
Bizneset i udhëhiqnin kryesisht djemtë e tij, Antoni dhe Nua.
Vëllezërit e tjerë, Lubo, Vaso, Sandri dhe Simoni, punuan gjithashtu në Kompaninë familjare, duke mbajtur pozita të ndryshme.
Antoni – i akuzuar në Beograd, i vrarë në Sudan
Antoni, i cili në shtator 2007 u nis nga Qiproja, përmes Beogradit, drejt Podgoricës, u arrestua në aeroportin e Beogradit gjatë një operacioni policor të quajtur “Memfis”.
Ai u akuzua për organizimin e një rrjeti ndërkombëtar për kontrabandën e cigareve – duke përdorur Kompaninë familjare si mbulesë.
Përveç tregtisë me cigare legale, sipas Prokurorisë, ai merrej edhe me cigare të falsifikuara, që i importonte në Mal të Zi përmes Kompanive të regjistruara në Qipro dhe në Dellauer të SHBA-së.
Cigaret ruheshin në Portin e Tivarit. Zyrtarisht raportohej se shiteshin në dyqanet pa taksa (free shop) në Mal të Zi, por në realitet kontrabandoheshin në Serbi dhe prej andej shpërndaheshin në vendet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian.
Antoni dhe 26 persona të tjerë u akuzuan se midis viteve 2004 dhe 2007 i kishin shkaktuar buxhetit të Serbisë një dëm prej 65 milionë eurosh përmes kontrabandës së cigareve.
Në vitin 2011 Antoni u dënua me 6 vjet e gjysmë burg dhe një gjobë prej 100,000 eurosh si drejtues i grupit kriminal.
Anëtarët e tjerë të grupit u dënuan me masa të ndryshme: nga dënimet me kusht deri në 5 vjet burg.
Gjykata pastaj e liroi me kusht, pasi pranoi një garanci prej 400,000 eurosh që ai të mbrohej në liri.
Por, në mars të vitit 2013 ai u vra në Sudan, ku thuhet se kishte një Kompani për prodhimin e duhanit.
Familja e tij njoftoi se ai kishte qëndruar dhe punuar atje për “një periudhë të shkurtër”.
Sipas punonjësve ai u vra nga bashkëpunëtori i tij në biznes, Mujo Sefa nga Kosova.
Aktivitetet në Serbi dhe lidhjet me Bosnjë dhe Hercegovinën
Anton Stanaj është përmendur edhe si një nga pjesëmarrësit në konsorciumin që privatizoi Fabrikën e kombajnave Zmaj në Zemun, që pas privatizimit dështoi.
Ai është përmendur po ashtu si pronar i kantinës së verës “Erdevik”, në Vojvodinë.
Përveç këtyre Qendra për Gazetari Hulumtuese e Serbisë (CINS) raportoi se “Rokshped” ka blerë aksione edhe në disa Ndërmarrje në Serbi; në mesin e tyre: “Agrovojvodina”, “Agrocoop”, “Stanishiq”, “Banat Seme”, “Mlinpek”, “Sheqer +”, “M.E.A.” dhe “Panonliv”.
Hetimi financiar i veprimtarive të Stanajt në Serbi nuk është iniciuar asnjëherë.
Në vitin 2013 CINS dhe rrjeti rajonal për raportimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit OCCRP raportuan se kanë siguruar një Raport të Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje të Bosnjë dhe Hercegovinës (SIPA), në të cilin thuhej se familja Stanaj kishte bashkëpunuar me Naser Kelmendin dhe Ekrem Llukën nga Kosova.
Naser Kelmendi u dënua në maj 2023 nga Gjykata në Prishtinë me 4 vjet e 8 muaj burg për “trafikim të drogës”.
Nuo Stanaj – akuzat në Serbi
Sipas të njëjtit burim vëllai i Antonit, Nuo Stanaj, u akuzua në vitin 2011 në Serbi për “keqpërdorime gjatë privatizimit të Kompanisë beogradase ‘Industria e Kushinetave Sferike'”.
Sipas Aktakuzës Kompania pësoi një dëm prej 9.2 milionë eurosh.
Nua figuron si themelues dhe Drejtor i Kompanisë “Rokshped” me 50.02% të aksioneve, ndërsa Lubo zotëron 33.3% dhe Vaso 16.6%.
Pavarësisht se Anton Stanaj ishte arrestuar dhe gjykuar për “kontrabandë të cigareve” Kompania “Rokshped” vazhdoi pa pengesa aktivitetet e saj në Mal të Zi: me shpërndarjen e shtypit, cigareve dhe makinave.
Sipas dokumenteve të siguruara nga OCCRP dhe CINS nga viti 2008 deri më 2011 “Rokshped” fitoi Kontrata në tenderë publikë me vlerë totale prej 3.8 milionë eurosh.
Sander Stanaj – hetimet në Mal të Zi
Sandri është pronari i vetëm i Kompanisë “Rokshped Auto Qendra”.
Në janar 2021 Prokuroria Speciale e Malit të Zi nisi hetime kundër tij dhe i bllokoi përkohësisht mbi 2,000,000 euro.
Ai u mor në pyetje pasi Njësia Financiare e Inteligjencës së Policisë i dorëzoi Prokurorisë të dhëna që tregonin se ai kishte futur mbi 2,000,000 euro në mënyrë të ligjshme në sistemin financiar.
Sandri tha se këto para ia kishte dhënë babai i tij, para më shumë se 10 vjetësh dhe se tani i ruante në bankë.
Gjatë hetimeve u intervistuan edhe 11 anëtarë të familjes Stanaj.
Prokuroria filloi hetimet ndaj Sandrit edhe për dyshimet për “shmangie taksash” dhe “pastrim parash”.
Ky hetim nuk ka përfunduar ende.
Sander Stanaj ka edhe një firmë në Shqipëri./REL