Rasti "Banjska", avokati Naim Rudari kallëzim penal ndaj 4 dëshmitarëve për dëshmi të rreme dhe vepra të tjera
Avokati Naim Rudari, njëherazi përfaqësues i njërit nga personat e dëmtuar nga sulmi terrorist në Banjskë, ku kishte mbetur i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku më 2023, përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se ka paraqitur kallëzim penal ndaj 4 dëshmitarëve lidhur me këtë rast për disa vepra penale.
Rudari ka publikuar kallëzimin penal që ka paraqitur ndaj këtyre 4 personave për veprat penale -ndihma në kryerjen e terrorizmit, – moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre, – dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale, – deklarimet e rreme, dhe – manipulimi me prova.
Sipas avokatit Naim Rudari këta persona kanë ndihmuar grupin terrorist që të strehohen në hotelin Rajnska Banja në fshatin Banjskë, si dhe këta dëshmitarë kanë dëshmuar rrejshëm në shqyrtim gjyqësor.
“Ata, përveç se kishin ndihmuar grupin terrorist që të strehohen në hotelin Rajnska Banja në fshatin Bajnskë, kishin premtuar se personat e armatosur (terroristët) do t’i evidentojnë si punëtorë të hotelit për t’i maskuar që mos të arrestohen, i kanë lejuar që të u japin ndihmë të plagosurve në hotel e më pas duke i zhveshur uniformat për t’i ndërruar me rroba civile ua kanë mundësur largimin nga fshati Bajnskë, kështu këta “dëshmitarë” kanë vendosur edhe në gjykim të DEKLAROJNË RREJSHËM duke mbrojtur kriminelët me dëshminë e tyre e duke u munduar që të mohojnë ato që kishin deklaruar me parë.”-ka bërë të ditur në rrjete sociale avokati Rudari.
Me tej avokati Naim Rudari ka kërkuar hetim sa më parë nga Prokuroria.
Njoftimi i plotë
Lidhur me rastin e koduar “BAJNSKA” jemi detyruar që disa persona t’i kallzojmë penalisht të cilët kanë kryer disa vepra penale.
Me datën 22 dhe 24 korrik 2025 në gjykatë janë ftuar që të dëgjohen në cilësi të dëshmitarëve dy persona të cilët kishin parë e kishin mësuar shumë për rastin dhe anëtarët grupit terrorist dhe se ato që dinin i kanë deklaruar më heret në polici e prokurori.
Ata, përveç se kishin ndihmuar grupin terrorist që të strehohen në hotelin Rajnska Banja në fshatin Bajnskë, kishin premtuar se personat e armatosur (terroristët) do t’i evidentojnë si punëtorë të hotelit për t’i maskuar që mos të arrestohen, i kanë lejuar që të u japin ndihmë të plagosurve në hotel e më pas duke i zhveshur uniformat për t’i ndërruar me rroba civile ua kanë mundësur largimin nga fshati Bajnskë, kështu këta “dëshmitarë” kanë vendosur edhe në gjykim të DEKLAROJNË RREJSHËM duke mbrojtur kriminelët me dëshminë e tyre e duke u munduar që të mohojnë ato që kishin deklaruar me parë.
Pra detyrimi për të deklaruar të vërtetën NUK ka alternativë dhe NUK i jap të drejtë dëshmitarit që në gjykatë të deklarojë çfarë të dojë apo të zgjedhë se pas cilit deklarim dëshiron të mbetet atij të dhënë më parë apo atij të rremë në gjykatë, por dëshmitarët DETYROHEN që të deklarojnë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.
Kërkojmë hetim sa më parë nga Prokuroria edhe pse provat janë në dorën tonë por me hetim do të sigurohen edhe shumë prova për personat që kanë ndihmuar grupin terrorist në Bajnska në forma të ndryshme sepse këtë ua kemi borxh familjes Bunjaku, zyrtarit policor Alban Rashiti, gjithë Policisë së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës që mbi këto veprimtari kriminale të Serbisë mbi Kosovë të ketë ndriçim të plotë e drejtësi duke gjykuar ata që me vepra terroriste sulmuan rendin juridik të Republikës së Kosovës.
Tre të akuzuarit në rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 2023, Dushan Maksimoviq, Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq, edhe në shqyrtimin kryesor më 17.04.2025 nuk e pranuan fajësinë lidhur me veprat penale që u vihen në barrë.
Çka thot aktakuza e Prokurorisë?
Ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq – është ngritur aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas aktakuzës mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale – terrorizëm, – financim i terrorizmit, dhe – shpëlarje e parasë.
Kjo pasi të njëjtit akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjakun.
Dosja e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com tregon me iniciale se cilët janë 45 të akuzuarit, e se cili ishte qëllimi i tyre.
“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirëorganizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht Komunat e banuara me Shumicë Serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë.” – thuhet në këtë dosje.
Prokuroria ka thënë se si rezultat i dhunës së përdorur ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile.
Në grupin kriminal të strukturuar, të udhëhequr nga Radoiçiq, janë këta të akuzuar: Milan Radoiqiq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesha Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Gjordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Urosh Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuckoviç, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviç, Marko Arsiç, Zharko Cvetkoviç, Krsto Damjanoviç, Stefan Milosavljeviç, Marko Saviç, Aleksandar Jevremoviç, Radosh Gvozdiç, Ivan Miliç, Gojko Zubaç, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milosh Milenkoviq, Gjorgje Baloviq, Danijel Gjukiç, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milosh Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, Radule Steviq dhe personi juridik “Rad D.O.O.”.
Ndërsa, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq po ashtu të akuzuar për “terrorizëm” janë në paraburgim që nga shtatori 2023.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj ka njoftuar më 11.09.2024 kanë ngritur Aktakuzë për 45 persona, për rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Naim Abazi, Prokurori i Speciales, i cili udhëhoqi hetimet e sulmit terrorist të 24 shtatorit të 2023-tës tregoi në detaje se si u hetua i gjithë ky rast.
Abazi në një Konferencë për media tha se ndaj 45 të akuzuarve rëndojnë veprat penale për “terrorizëm”, “financim terrorizmi” dhe “shpëlarje e parasë”.
Prokurori tha se hetimet për Banjskën kanë qenë më komplekset që ka pasur kjo Prokurori ndonjëherë dhe në hetim janë përfshirë Agjencitë më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare për zbatim të ligjit.
Sipas Abazit deri më tani janë realizuar afër 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur.
“Janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe rreth 1,266 armë e pajisje të tjera dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje.” – tha Prokurori.
Tutje, ai shtoi se gjatë hetimeve kanë hasur në disa sfida të rëndësishme, duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve dhe shpëlarjes së parave, si dhe përdorimin e teknologjive të avancuara të përfshira në aktivitetet kriminale nga ana e të akuzuarve.
“Kanë pasur role të ndryshme brenda këtij grupi kriminal: duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe shpëlarja e parave.” – theksoi tutje Prokurori.
Në Konferencë Abazi njoftoi se ndër të akuzuarit kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit Millan Radoiçiq, i cili u tha se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale.
