Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Murati e quan “marrëzi” kallëzimin penal ndaj tij nga Komuna e Prishtinës
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Muratit, për shkak të çështjes së buxhetit të Prishtinës, i cili ende nuk ka gjetur miratim në Kuvendin e Kosovës.
Ndërsa, marrëzi e ka quajtur ministri në detyrë Murati këtë veprim të Ramës.
Për kallëzimin penal të ushtruar ndaj tij, Murati iu kundërpërgjigj Ramës duke deklaruar se faji qëndron te vetë Rama pasi nuk ka arritur ta miratojë buxhetin në Kuvendin Komunal brenda afateve të përcaktura ligjore.
“Besoj që dikush do duhej me njoftu Përparimin që kodi penal parasheh dënim me 3 muaj deri në 3 vjet burg për kallëzim penal të rremë. Siç edhe mund të shihet nga data, kallëzimi qenka bërë me datë 7 tetor, pra gjatë fushatës zgjedhore. Dhe normalisht që aty ka qenë edhe qëllimi”- shkruan ndër të tjera Murati sot, më 14.11.2025.
Kujtojmë se në pamundësi për të tejkaluar bllokimin buxhetor, në shtator të këtij viti, i pari i Prishtinës, Përparim Rama, dorëzoi një kërkesë-padi në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kundër Ministrisë së Financave lidhur me çështjen e buxhetit.
Komuna e Prishtinës nuk e ka të miratuar buxhetin për vitin 2025.
Ndërkaq, nuk kanë munguar as përplasjet e ashpra mes pjesëtarëve të ekzekutivit të Prishtinës dhe ministrave të nivelit qendror lidhur me përgjegjësinë për menaxhimin e fondeve publike në kryeqytet.
Të gjitha raportimet për çështjen e buxhetit të Prishtinës mund t’i lexoni KËTU.