Qeveria e Kosoves. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
Raporti i Progresit: Qeveria në detyrë u përmbajt vetëm nga vendimet që kërkonin miratim parlamentar
Në fushën e qeverisjes, Raporti i Progresit për Kosovën- për vitin 2025- ka vlerësuar se nuk ka pasur ndryshime të mëdha në strukturën e qeverisjes në nivel qendror.
Ndër të tjera është theksuar se pas zgjedhjeve parlamentare, mandati i qeverisë së udhëhequr nga VV përfundoi zyrtarisht më 22 mars 2025 dhe ajo hyri në statusin e qeverisë në detyrë të nesërmen, e pajisur me fuqi ekzekutive të kufizuara për të kryer vetëm aktivitetet e nevojshme të planifikuara në Planin Vjetor të Punës dhe Ligjin Vjetor të Buxhetit.
“Pavarësisht këtyre kufizimeve, qeveria e përkohshme kryesisht vazhdoi me shumë aktivitete dhe u përmbajt vetëm nga vendimet që kërkonin miratim parlamentar”- shkruan në raport.
Në raport theksohet se Gjykata Supreme publikoi një vendim të rëndësishëm në lidhje me ndarjen e pushteteve që përsërit papajtueshmërinë e mbajtjes njëkohësisht të një roli legjislativ dhe një roli ekzekutiv siç përcaktohet në Kushtetutë dhe Ligjin për qeverinë.
“Ky vendim ka implikime për Kryeministrin në largim dhe disa ministra në largim që vazhdojnë të mbajnë mandatin e deputetit”- nënvizohet në raport.
Sipas Komisionit Europian, marrëdhëniet midis institucioneve qendrore dhe komunave mbeten të tendosura, pasiqë vlerësohet se komunat kanë bërë përparim në forcimin e operacioneve dhe ofrimit të shërbimeve të tyre, ndonëse ende përballen me çështje kyçe që lidhen me mbikëqyrjen financiare, planifikimin e buxhetit dhe ndarjen efektive të burimeve publike.
Aty thuhet se edhe pse Kosova ka bërë përparim në përmirësimin e barazisë gjinore, pabarazitë mbeten.
“Gratë janë të nënpërfaqësuara në pozicione të larta qeveritare dhe në organet lokale vendimmarrëse”- shkruan në raport.
Në lidhje me zgjedhjet qendrore thuhet se ato u zhvilluan në mënyrë paqësore, gjithëpërfshirëse dhe konkurruese.
Aspektet pozitive përfshinë përputhshmërinë e lartë me kuotat e përfaqësimit gjinor, zhvillimin e qetë të votimit në Ditën e Zgjedhjeve dhe trajtimin efektiv të ankesave nga Paneli i Ankesave dhe Parashtresave Zgjedhore (PZAP) dhe Gjykata Supreme.
Në raport thuhet se ndërhyrja politike, mangësitë institucionale dhe vonesat organizative dëmtuan procesin e përgjithshëm zgjedhor.
Sipas Komisionit Europian, institucionet kryesore – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe Komisioni i Pavarur i Medias (KPM) – iu nënshtruan presionit politik.
“Votimi jashtë vendit u përball me sfida të konsiderueshme logjistike dhe politike, duke përfshirë akuzat për parregullsi në votimin me postë. Pjesëmarrja e grave është rritur vazhdimisht, megjithatë nuk e tejkalon kuotën gjinore prej 30% të përcaktuar me ligj”- shkruan në raport.
Nga 1 279 kandidatët e çertifikuar, 443 ishin gra (34.6%), ndërsa 45 u zgjodhën në Parlament, shkruan në raport- duke shtuar se në terma relativë, 8.8% (39 nga 443) u zgjodhën në bazë të meritave të tyre para se të aplikohej kuota gjinore.
Ky rezultat, sipas tyre, pasqyron sfidat strukturore të vazhdueshme: dominimin mashkullor në hapësirat e fushatës, ekspozimin e kufizuar mediatik për kandidatet gra, më pak burime fushate dhe një diskurs politik shpesh të dëmtuar nga retorika mizogjine dhe sulmet personale.
“Këto barriera, të kombinuara me vazhdimësinë e normave patriarkale në platformat e partive dhe jetën publike, vazhdojnë të minojnë pjesëmarrjen dhe ndikimin e barabartë të grave në politikën zgjedhore të Kosovës, pavarësisht kuotave formale dhe angazhimit ligjor”- shkruan në raport.
Poashtu thuhet se sfidat që lidhen me qasjen kanë ndikuar gjithashtu në të drejtën e votës për personat me aftësi të kufizuara në zgjedhjet e fundit.
Në lidhje me zgjedhjet poashtu është theksuar se KQZ-ja dështoi të publikonte rezultatet paraprake natën e zgjedhjeve dhe nuk ishte e përgatitur për të filluar numërimin e votave të nesërmen, duke vënë në pikëpyetje efikasitetin dhe transparencën e administratës zgjedhore.
“Procesi i certifikimit të kandidatëve u dëmtua nga ndërhyrjet politike, veçanërisht përpjekjet për përjashtimin e kandidatëve të Listës Serbe nga anëtarët e KQZ-së nga Vetëvendosja (VV)”- shkruan në raport.
Ky raport mbulon periudhën nga 1 shtatori 2024 deri më 1 shtator 2025. Ai bazohet në të dhëna nga një sërë burimesh, duke përfshirë kontributet nga qeveria e Kosovës, shtetet anëtare të BE-së, raportet e Parlamentit Europian dhe informacionet nga organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe joqeveritare.
Ai gjithashtu përfshin rezultatet e vlerësimeve krahasuese dhe indekset e prodhuara nga palë të tjera të interesuara, veçanërisht mbi sundimin e ligjit. Raporti përdor shkallën e mëposhtme të vlerësimit për të përshkruar gjendjen aktuale: fazë e hershme, një nivel i caktuar përgatitjeje, mesatarisht i përgatitur, nivel i mirë përgatitjeje dhe shumë i avancuar.
Për të përshkruar progresin e bërë gjatë periudhës së raportimit, ai përdor shkallën e mëposhtme: kthim prapa, asnjë progres, progres i kufizuar, një farë progresi, progres i mirë dhe progres shumë i mirë. Kur është e përshtatshme, janë përdorur edhe hapa të ndërmjetëm.